LAJMI I FUNDIT:

Felix Nadar, autori i parë i portretit psikologjik: Francezi që fotografinë e shndërroi në art

Felix Nadar, autori i parë i portretit psikologjik: Francezi që fotografinë e shndërroi në art

Felix Nadar është legjendë në Francë. Flokëkuqi i gjatë, plotë energji dhe i magjepsur nga fama, si karikaturist dhe gazetar njohu secilin që ishte diçka në vendin ku jetoi. Duke e nuhatur shtimin e interesit për të famshmit – dhe rolin që fotografia mund të luajë në këtë synim – krijoi portrete komplekse psikologjike, të artistëve, të shkrimtarëve dhe të aktorëve kryesorë francezë të mesit të shekullit XIX, me çka ia doli që një medium me potencial ta kthejë në formë të vërtetë arti, shkruan kritiku Cath Pound. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Talenti i tij për vetëpromovim dhe shfrytëzimi i guximshëm i balonave për të bërë foto nga ajri, dëshmoi se ai ishte i famshëm sa edhe klientët e tij. Dëshmi e ambicies së tij për famë është fakti se e potencoi emrin e tij me tuba të mëdha xhami – shkronja tri metra të larta që shndritnin natën nga neoni – në pjesën e përparme të studios së tij luksoze parisiane.


Autoportreti i Felix Nadarit (1865)

“I donte të famshmit dhe donte vet të ishte i tillë”, thotë biografi Adam Begley. “Ishte narcisoid, por sharmant”.

I lindur si Gaspard-Felix Tournachon më 1820, merr pseudonim Nadar nga një mik dhe shpejt nisi ta përdorte kur nënshkruhej. E filloi karrierën duke mbijetuar si gazetar e shkrimtar në një seri të gazetave dhe revistave jetëshkurtra, përmes të cilave ndërtoi një rreth të miqve dhe të shkrimtarëve bohemë, përfshirë poetin Charles Baudelaire i cili iu referua atij me admirim si “shprehja më e mahnitëse e vitalitetit”.

I madhi Charles Baudelaire para objektivit të Nadarit (1862)

Një tregues i hershëm i ambicies dhe vetëbesimit është i qartë nga vendimi për të bashkëthemeluar një revistë luksoze letrare, “Livre d’or”, që në moshën 19-vjeçare. Nadari ia doli që aty të siguronte përfshirjen e shkrimtarëve të shquar, si Honoré de Balzak dhe Alexandre Dumas. Ndërkaq, anëtarësimi i tij në “Societe des Gens de Lettres”, ia ka mundësuar të shoqërohet me emrat si George Sand dhe Victor Hugo, miqësi që i shfrytëzoi kur nisi të punojë si karikaturist.

Sarah Bernhardt (1864)

Duke i pasë subjektet e ulura para tij, e me lejen që të zhvillonte aftësitë e tij për vëzhgim, kjo i ndihmoi atij të bënte portretizime të sakta që dukeshin se pasqyronin tamam personalitetin dhe tiparet e karakterit të tyre. Magjepsja e tij me ata që përshkruante doli shumë e vlefshme kur iu kthye fotografisë më 1854, pasi e futi më parë vëllain e tij Adrien në këtë profesion.

“E kishte kuptuar se njerëzit ishin të gatshëm të paguajnë për imazhet e njerëzve të famshëm dhe ky ishte një mjet i shkëlqyeshëm pasi imazhet ishin të riprodhueshme dhe kishin vlerë si risi”, thotë Begley.

Autoportreti i Adrien Tournachonit (1854)

Por, Nadari ishte i vendosur të përdorte mediumin për të krijuar vepra të mrekullueshme arti.

“Në atë kohë, shumica e studiove të portretit përdornin sfondin dhe shumë aksesorë, ndërsa fotografët përqendroheshin se si njerëzit visheshin. Për dallim nga ata, ai u fokusua në fytyrë, duke përdorur sfond neutral në tentimin për të interpretuar karakterin e njerëzve”, thotë Anne Lacoste, bashkëkuratore e ekspozitës kushtuar Nadarëve në Bibliotekën Nacionale të Parisit.

Gustave Doré nga Adrien Tournachon (1854)

Ai ishte i aftë në përdorimin e dritës, duke ia dal t’i nxirrte subjektet nga sfondi e duke u dhënë fytyrave cilësi të ndritshme që shpesh mungonte në punën e kolegëve të tij. P.sh. e reja dhe e panjohura Sarah Bernhardt, e pushton shikuesin; fytyra e saj e dashur theksohet nga veshja e thjeshtë me të cilën Nadar e kishte mbuluar.

“E kishte një mënyrë për të bërë portrete psikologjike, që kur i shikon duket sikur po bashkëvepron me ata persona”, thotë Karen Hellman, kuratore e fotografisë në Muzeun Getty.

Litografi e bërë nga Honore Daumer më 1863, që tregon Nadarin tek fotografon nga ajri

Është i diskutueshëm niveli i kontributit të Adrienit në prodhimin e imazheve të hershme. Megjithëse fitoi medalje për portretet e tij mahnitëse të mjeshtrit të pantomimës Charles Deburau, kur nisi të quhej Nadar Juniori, Felixi e çon në gjyq dhe e përvetëson emrin. Atëherë karriera e tij shkëlqeu dhe e Adrienit u tret.

Joséphine Baker nga Paul Nadar (1930)

Studion e tij do ta trashëgojë më vonë djali Paul. Nadar e lejoi ta përdorte emrin, ndonëse me frikë pasi ishte i vetëdijshëm se kjo do të reflektohej në trashëgiminë e tij. Në mbarim të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, portretet e Paulit, si ajo e Josephine Bakerit, sollën një dozë moderniteti, por u mungonte thellësia e Nadar Seniorit.

Pas Paulit do të ketë edhe Nadarë të tjerë. Emri vazhdon edhe sot të jetojë. Por, për publikun francez, Felixi mbetet ikonik po aq sa gjigantët e letërsisë, të artit dhe të skenës që i bëri të pavdekshëm përmes fotografisë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Analiza
BEHAR

BEHAR

Poezi
AMANTE

AMANTE

Poezi
POPULLIT TIM

POPULLIT TIM

Poezi
S’MUND TA DIMË

S’MUND TA DIMË

Poezi
SISTEMI

SISTEMI

Fjala+
Kalo në kategori