LAJMI I FUNDIT:

Fatos Xhafolli: Kur m’u desh të ‘përvilja mëngët’

Fatos Xhafolli: Kur m’u desh të ‘përvilja mëngët’

Ka nisur karrierën e vet profesionale, në një shtet mikpritës që në moshë të njomë. U desh një shkëndijë dhe pasioni i tij për kuzhinën u ndez për të mos u reshtur kurrë. Sot është një profesionist i vërtetë. Dhe jo vetëm kaq, por mjaft i kërkuar, madje

Këmbëngulës, kureshtar dhe, mbi të gjitha, korrekt në marrëdhënie me të tjerët, Fatos Xhafolli arriti të jetë në krye të restoranteve më të mira në kryeqytetin gjerman.


I vendosur në qytetin e Berlinit, në një nga zonat më të frekuentuara, Nuovo Mario” është kthyer në atraksion të vendasve dhe të gjithë vizitorëve të huaj. I njohur për kuzhinën dhe për stafin e orientuar drejt shërbimit delikat, restoranti është tashmë sinonim i komoditetit, dizajnit dhe shijes.

Muza që e frymëzon është dashuria për kuzhinën, ndaj edhe ata që shijojnë pjatat e tij kanë arsye të thonë se Fatosi në vend të ushqimit të ofron një copëz parajse. Mbase e ekzagjeruar, por atmosfera në “Nuovo Mario”, të imponon në shpërthimin e imagjinatës.

Në këtë intervistë për Telegrafin, Xhafolli skicon në mënyrë të hollësishme rrugëtimin e tij, profilin e vet përtej derës së kuzhinës, marrëdhënien me gatimin dhe më së shumti me të shijuarit, – sepse, siç thuhet, ushqimit të mirë zor se i bën dot ballë…

Fatos, çdo fëmijë është rritur me sfida, por edhe me ëndrra përkohësisht të fjetura, të cilat më vonë kanë shpërthyer dhe kanë marrë dhenë. Nëse e kthen memorien prapa, si do ta përshkruanit fëmijërinë tuaj?

Që të jem i sinqertë, ne kemi patur një fëmijëri të shkëlqyer, krahasuar me shumë moshatarë të mi. Të dy prindërit ishin të punësuar dhe të përkushtuar maksimalisht që të na i plotësonin të gjitha kërkesat dhe dëshirat fëmijërore dhe djaloshare. Ëndrrat ishin duke filluar nga shkollimi në Prishtinë, sikurse prindërit e mi, të kisha një punë të denjë, por siç e dini, rrethanat i ‘rrokullisën’ planet dhe i sh(prishën) ëndrrat.

Jeni larguar qysh në rini të hershme në drejtim për askund. Por fati duket se ju ka përkëdhelur dhe ju ka degdisur në Gjermani. Menjëherë jeni i treguar i zgjuar. Si ka qenë ky moment?

Po, është e vërtetë, në Gjermani kam shkuar qysh si i ri, pra në moshën 15-vjeçare. Mirëpo, mund të them se fati më ka buzëqeshur për të emigruar me shumë vështirësi, si çdo i ri. Pra, po e potencoj edhe një herë, fatin e kam pasë aleat të mirë qysh në nismë, pastaj gjërat tjera i kam arritur me angazhimin tim të patundur dhe konsideroj se kam arritur synimin e gjakuar. Fati nuk ishte individual, por na përqafoi tërë familjen. Pavarësisht kësaj, jeta në hullitë e reja kërkoi shumë alternativa për zgjidhje afatgjate të sukseseve të prekshme në një metropol botëror. Gjatë rrugëtimit, tim nuk është se nuk kam patur momente të bukura, por edhe të vështira, të cilat veçse më kanë kalitur për sukseset e arritura.

Ndonëse mund të keni patur disa prirje të fjetura, ndoshta talenti për t’u bërë kuzhinier ka dominuar mbi të gjitha dhuntitë tjera të fshehura. A është kështu?

Nuk mund ta fsheh dëshirën për t’u shkolluar këtu, por kisha pengesa administrative të cilat e pamundësuan realizimin e kësaj dëshire. Pavarësisht kësaj, unë u desh të gjendesha disi sepse, kisha obligime edhe ndaj familjes në Prishtinë, sikur për t’ua shpërblyer mundin e tyre ndaj nesh kur ishim të rinj.

A ju kujtohet çka ka përmbajtur pjata e parë dhe sa ka qenë tërheqëse për klientët e panjohur?

Pjata e parë e servuar ishte “Fëlterja” (‘Kosovo Pfanne’), e cila tashmë është e shumë e njohur edhe në Gjermani për mysafirët tanë – jo me speca e vezë, por me karkaleca e hudhër, spec djegës, vaj ulliri dhe tomatina. Kur ju shërbeva disa mysafirëve gjerman, ata mbetën pa fjalë për cilësinë e ushqimit dhe m’u drejtuan: a i përgatisni karkalecat ngjashëm edhe në Kosovë? U ktheva me pak sharmë se ne, karkalecat i zëvendësojmë me speca dhe ata qeshën me të madhe.

Kulinaria tashmë konsiderohet si art i të gatuarit. Këtë epitet dëshirojnë ta gëzojnë të gjithë ata që dëshirojnë të merren me këtë veprimtari. Çka ishte vendimtare, në rastin konkret, që të bëheni ky që jeni?

Përgjigjja është e thjeshtë. Ne kemi ditur të shndërrojmë pijet, ushqimin dhe shërbimin në art. Gjithçka është kombinuar në mënyrë të përsosur. Intuita jonë nuk gabon dhe në hollësitë më të vogla. Asgjë nuk është pjesë e spontanitetit dhe rastësisë, por e një pune të mirëstudiuar. Është kjo arsyeja që “Nuovo Mario” nga 8000-9000 restorantet premium që ka Berlini, vlerësohet si nga më të pëlqyerit.

Mund të them se, kuzhina nuk ka të bëjë me gatimin, do t’ia zbehnim shijen gjithçkaje nëse do ta konsideronim vetëm kaq. Ajo lidhet me krijimin, me atë se çfarë mund të bësh. Kuzhina është art. Pasioni është kryefjala e gjithës, ndërsa vullneti çelësi.

Ju mbani dy restorante prestigjioze në Berlin. Madje janë vlerësuar si restorante elitare. A mund të na përmendni ndonjë figurë të shquar që frekuenton restorantin tuaj dhe si jeni ndjerë me të tilla personalitete?

Mund të them se, tashmë kemi një eksperiencë vërtet të madhe e të admirueshme në kuzhinë; vlerësimi nga shefa të mëdhenj të kuzhinës ka bërë që t’u shërbejmë ushqim shumë njerëzve të njohur dhe me famë, duke filluar nga njerëzit e artit e deri te yjet e sportit elitar. Restorantin tonë e kanë vizituar edhe delegacione të larta nga nomenklaturat udhëheqëse të Kosovës, nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Gjermania, Italia, pastaj ambasadorët e shumë vendeve të ndryshme të botës, duke filluar nga SHBA e gjetiu.

Sa më përket mua, të gjithë janë të barabartë pavarësisht statutit shoqëror që mund të ketë një person, ushqimi do t’i përgatitet dhe serviret me të njëjtën dashuri dhe përkujdesje.

Cilin ushqim e përgatisni më me pasion dhe cila meny është më e komplikuara për t’u servirur?

Po e përsëris, edhe më tutje, atraktive mbetet Fëlterja e Kosovës. Kuzhina është e dedikuar që të ndjekë tradicionalen. Tradicionalja është kujtesë, bashkëkohorja është interpretimi i asaj që i ruan rrënjët bashkë me trungun.

Kur jeni në shtëpi, larg menysë së restorantit, cili ushqim ju pëlqen juve, të cilin e përgatit tjetri dhe cilat ushqime i preferoni?

Kuzhina shqiptare vjen si një ritakim me traditën për disa receta unike dhe tejet të veçanta, sikur që janë pitja, tava e Elbasani, qebapët…

Për cilin ushqim ju shkon ‘lëng prej goje’, të cilin ua ka servirur nëna juaj, Afërditë?

‘Terapia’ më e mirë janë gatimet e nënës. Ato janë pjatat më të mira në botë, që më sjellin ndërmend fëmijërinë me piten me kos dhe hudhër, që nuk e bën dot askush më mirë se nëna Afërditë. Ajo, është një heroinë e vërtetë. Gatuan në mënyrë të shkëlqyer gjëra të thjeshta, dhe me pak përbërës, por të ëmbla, ndonëse ekonomike.

Ju keni patur rastin t’i provoni të gjitha kuzhinat e kombeve të ndryshme. Ku qëndron kuzhina jonë dhe nëse do të huazonit receta të vendeve të tjera, cilat i preferoni?

Kuzhina në Kosovë ka arritur shumë, është larg nga vendet e rajonit, pa e përfshirë Shqipërinë. Është një larmi e madhe gatimesh e kombinimesh. Në kuzhinë të mishit (biftek) duhet edhe pak për të punuar. Mendoj se vetëm kualiteti mungon, se kuzhinierët i kemi, për peshk të mos flasim, jemi 700 m lartësi mbidetare dhe të përgatitët peshku kaq mirë, është për respekt.

Për të mbajtur një biznes të tillë, kërkohen shumë punë dhe durim. Pavarësisht presionit dhe pritshmërisë së madhe të të tjerëve, si arrini ta menaxhoni dhe të përballoni ‘huqet’ në mënyrë që ta mbani nën kontroll edhe stresin eventual?

Çdo krijim varet nga dita. Ti ngrihesh i frymëzuar dhe mund të krijosh. Ashtu sikurse një piktor. A mund të krijojë ai nëse nuk ngrihet një mëngjes me frymëzim? Mendoj se jo? Kështu ndodh edhe me ne shefat, vjen dita e duhur, çasti i duhur dhe ja ku ndodhet gjithçka. Por kjo nuk ndodhë çdo ditë. Jo çdo ditë ke humorin dhe frymëzimin e duhur. Pra, duhet të bëhen të gjithë komponentët që krijimi të vijë.

Kohët e fundit fjalën stres e kemi zëvendësuar me fjalë detyrë! Nga stafi kërkoj përkushtim, pasion, shpejtësi, korrektësi.

A ka të drejtë gjithmonë klienti?

Po, 100% për momentin, më vonë kur të qetësohet, duhet t’ia shpjegosh situatën dhe gjërat zgjidhen me qetësi e dashuri. Përderisa në restorant vjen një klient, duhet që ai të mbetet i kënaqur, duhet t’i ofrojmë maksimumin, në mënyrë që ai të shkojë i kënaqur dhe të kthehet sërish me buzëqeshje e hare.

Nëse gjendeni në një restorant dhe ushqimi që ju shërbehet nuk ju shijon, si do të vepronit ju në këtë rast?

Se si do të reagoja, ka shumë rëndësi fakti se ku gjendem, me kënd dhe arsyeja duhet të jetë e fortë që të reagoja ashpër, përndryshe kjo më ndodhë shumë, shumë rrallë.

Thuhet se si shëndeti, poashtu edhe sëmundja burimin e kanë në pjatë. A ka ardhur koha që të hiqet dorë nga disa forma të stërvjetëruara të gatimit të cilat nuk përkojnë me trendët dhe jetën e shëndetshme?

Kequshqyerja jonë e ka zanafillën që në momentin kur zgjedhim çfarë do të fusim në shportën e blerjeve. Dhe për fat të keq, jemi diku shtatë miliard njerëz në botë, është e pamundshme të ushqehen të gjithë Bio ose gjëra të shëndetshme. Psh., në Evropë, pothuajse krejt toka bujqësore janë të kontaminuara, nga fabrikat, makinat…, por, s’kemi ç’të bëjmë, si duket është mësuar edhe organizmi.

Ju shpesh vini edhe në Kosovë ku frekuentoni lokale të ndryshme. Nëse do të bënit një krahasim, a shihni ndonjë dallim të madh qoftë në cilësi të ushqimit, qoftë në enterier?

Duhet konstatuar se në Kosovë dhe Shqipëri mungon lënda e parë cilësore. Kosova sa i përket ushqimit, krahasohet me Italinë, Spanjën, por edhe disa vende tjera të Evropës i kalon. Ndërsa, vendet e rajonit, nuk po i përmend, sepse janë shumë larg.

Këtë aktivitet e ushtroni me dy vëllezër dhe anëtarë tjerë të familjes. Është karakteristikë që të gjithë të punësuarit i keni shqiptar. Është çështje e besimit, apo të themi njëfarë ‘patriotizmi’?

Me tre vëllezërit e mi, Labinotin, Valzonin dhe Zgjimin, kur vendosëm të merrnim punëtorë bashkëkombës tanë, e kemi gjetur kuzhinën italiane të viteve 70-ta me lazanje, carbonara, bolognese, pizza. Kurse ne shqiptarët e bëmë një revolucion në kuzhinën italiane. Mund të them se, e ndryshuam në një kuzhinë kulinare. Fatkeqësisht nuk e pagëzuam si Kuzhinë shqiptare (shaka). Kur na vizitonin kolegët italian ose donin të punonim te ne, mbeteshin gojëhapur, u thosha me zë të lartë se, restorantet që mbahen nga shqiptarët janë më të mirët.

Sigurisht se për të qenë i suksesshëm duhet të kesh edhe një mbështetje dhe harmoni në familje?

Çelësi i çdo suksesi gjendet në familje. Kur ka razi në shtëpi, gjërat ecin për mrekulli. Mund të jesh me tërë botën keq, por kur në familje ke rehati, është mrekulli. Dhe e kundërta, mund ta kesh mirë me tërë botën, por nëse familja është e trazuar, dështimi është i garantuar.
E falënderoj bashkëshorten time Magdalenen dhe tre fëmijët e mi Fatjoni (12), Fillesa (8) dhe Dardani (Gani),- 6 vjeçar, që me gjendën në çdo hap! Pa ta, do të isha si i pafat! Suksesi im, nuk do të kishte asnjë kuptim!

Edhe babai i juaj, poeti i njohur për fëmijë, Gani Xhafolli, ka bërë art elitar, por në një fushë tjetër. Duket se nga ai keni trashëguar gjenin e talentit për të bukurën?

Po, fatkeqësisht, babai na la pak herët, por siç thuhet, artistët nuk i merr vdekja sepse i mbron vepra. Babai ynë kishte një talent të rrallë, ku për të gjallë të tij, ka botuar mbi 30 libra, kurse, presin për t’u botuar edhe afro 50 sosh.
Në momentet para ndarjes nga ai, sikur i kam thënë: babi Gani, mos përto, shkruaj edhe atje poezi. Unë besoj se, ai po e realizon këtë porosi.

I ndjeri Xhafolli ka qenë zemërgjerë, shumë i afërt me njerëz. Sigurisht këtë virtyt të tij e trashëgoni edhe ju si familje në përpikëri. Ai mburrej me ju dhe ju ngriste në piedestal për mirësjellje, bamirësi dhe virtyte të tjera që duhet t’i këtë çdo njeri. Si ndjeheni?

Ju qenkeni përgjigjur vet dhe unë dakordohem në plotni. Faleminderit që na çmoni.

Kulinaria mund të krahasohet me futbollin cilësor. Ekipet paguajnë shuma marramendëse për të ‘blerë’ lojtarët më të mirë, por edhe ‘transferimet’ në kuzhinë thuhet se janë ‘të majme’?

Me keqardhje mund të konstatoj se është pikërisht ashtu siç thoni ju. Problemet kanë filluar të na përcjellin, gjeneratat e reja nuk kanë interes të punojnë në restorante edhepse fitohet shumë. Mund të them se një kuzhinier në Gjermani, fiton 6000 euro – brutto. Më shumë se një punonjës arsimi ose në administratë.

Çdo biznes i suksesshëm e ka sekretin e vet që pronari nuk e tregon lehtë. A duhet të ketë një lloj ‘xhelozie’ pozitive ndërmjet afaristëve për t’u bërë të suksesshëm?

Nëse merret si motivim, pajtohem që njeriu duhet të ketë një xhelozi pozitive derisa nuk e dëmton tjetrin qëllimisht, përndryshe s‘mund të jesh gjithmonë i pari!

Shija vjen duke ngrënë, është një thënie e stërnjohur. A keni ju pretendime që ta rrisni biznesin tuaj, qoftë në Gjermani, Kosovë, pse jo edhe Shqipëri e gjetiu?

Patjetër që kemi plane, gjithmonë ka vend për ide të reja dhe nisma të reja. Tashmë jemi duke punuar në një projekt të ri që së shpejti do të jeni të njoftuar.

Cilat janë qëllimet e “Nuovo Mario”?

Qëllimi është përcjellja e mesazhit të ushqyerjes së mirë, cilësore e me vlera për organizmin. Mbi të gjitha, ushqimi si delikatesë, sepse njeriu nuk ushqehet vetëm për t’u ngopur, por mbi të gjitha duhet një lloj edukimi për të konsumuar saktë dhe shëndetshëm.

Fatos, ju jeni edhe nënkryetar i rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani. Me cilat problemet po ballafaqohet komuniteti ynë atje?

Nga më të ndryshmet, por, do të thoja, jemi unik në dallime. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Lajme
Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë -  kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë - kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Lajme
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Kalo në kategori