LAJMI I FUNDIT:

Familja Deliu

Nuk besoj se ka rrugë në Kosovë, më të pakalueshme se sa rruga që shpie te varret dhe te familja e nderuar Deliu. Ditën kur i vizitova varret e Deliajve, binte shi i ftohtë. Rruga ishte tërë gropa dhe mezi arrita. Sidoqoftë, Valmiri më priti i qeshur nga fotografia e varrit të tij, aty nga ku vështron i freskët këtë shoqërinë tonë të vyshkur moralisht. Motra duket e brengosur edhe në gurin e varrit. Deliajt pushojnë në varrezat, për të cilat vetëm familja e tyre është kujdesur. Kanë kaluar trembëdhjetë vjet nga dita e gjëmës. Kaloj afër çdo varri dhe më kaplojnë kujtimet e takimit të fundit me këtë familje martire.

Ditën kur e kam parë Valmirin për herën e fundit, kam ecur këmbë një orë e gjysmë dhe kam kaluar tri fshatra. Përveç oxhakëve, që nuk ishin rrëzuar – dhe këtë e mora për shenjë të mirë – shumica e kulmeve të shtëpive kishin rënë. Shtëpitë dhe gjithçka përreth ishin shkatërruar. Edhe gruri në hambare po digjej. Deliajt dhe fshati i tyre ende ishin në shtëpi. Ende kishte njëfarë gjallërie. Familja e madhe Deliu po korrnin grurin. Ata po jepnin pushkën dhe bukën për këtë luftë. (Pak më vonë, do të japin edhe shumë më shumë). Oda e Deliajve ishte e mbushur. Ata dhe mysafirët bisedonin për luftën e për paqen, për ditët e liga e të mira – se si duhet t’i presim dhe t’i jetojmë të dyja.


Ne zumë vend dhe po bisedonim kur u dëgjua një cicërimë sikur e zogut. Motra ime po hynte të na takonte dhe Valmiri ishte në krahët e saj. Shpejt u lirua nga krahët e nënës dhe kërceu me shkathtësi në tokë. Për çudi, ai nuk po më afrohej, edhe kur motra më përqafoi duke na dëshiruar mirëseardhje. Njomaku qeshte dhe ikte larg meje. Prapë afrohej dhe duke klithur, kur përpiqesha ta kapja, ikte përsëri. Dukej i bukur dhe plot jetë. Nuk pushoi së qeshuri dhe së vrapuari në odë dhe jashtë saj edhe në dy orët e ardhshme. Mirëpo mua nuk më erdhi. As nuk më përqafoi, as nuk erdhi në prehërin tim. Në gojë mbante biberonin, ah…atë biberon që do ta shihte tërë bota pastaj. Rrinte pak larg dhe vazhdonte të kërcente i lumtur. Më vonë e kam kuptuar hapësirën që na ndante. Valmiri ishte i përjetësisë ndërsa unë isha i kohës me plot gënjeshtra. Për këtë arsye, mbase, ishte krijuar boshllëk në mes nesh. Valmiri po ikte nga kjo botë ende pa e shijuar jetën dhe ne po mbeteshim këtej – që të gjejmë ngushëllimin për të, për familjen e tyre e të gjitha familjet kosovare me fatin e njëjtë. Dhe të vlerësojmë çmimin që është paguar për lirinë.

Gjithmonë kam besuar se në figurën e kryefamiljarit të kësaj familje, Imer Deliut, fshihet diçka madhështore. Zelli i tij për ta ngritur familjen ishte i pashembullt. Energjia për punë dhe për jetë tek ai ishte e pabesueshme. Mbresëlënëse ishte edhe ardhja e tij, me nxitim – nëpër malet që i ndajnë shqiptarët, për të luftuar armikun që na kish zënë frymën. E mahnitshme forca e tij në organizimet e mbrojtjes së tokës sonë në fillimet e luftës. E madhe ndjeshmëria, dashuria e respekti që tregonte për anëtarët e familjes, për shokët, për të afërmit, për të njohurit. E stërmadhe dashuria ndaj edukimit, arsimimit dhe bindja se vetëm këto na drejtojnë në përparim (sa për ilustrim të kësaj të fundit: ai kurrë nuk pranoi t’ia jap paratë për librat e rrallë që m’i kishte sjellur nga Perëndimi; më vonë kam kuptuar për çmimin e tyre – një javë e punës së rëndë që ai bënte në dhé të huaj).

Nëse mendoni se e tregova tërë madhështinë e këtij njeriu, atëherë gaboheni. Madhështor është gajreti i tij pas masakrimit të anëtarëve të familjes së tij të ngushtë dhe të familjes së gjerë Deliaj. Forca e tij ishte (dhe është) epike, e ngjashme me forcën e nënave lakedemoniane në kohërat antike. Mirëpo, madhështinë e tij në shkallë titanike, ai e ka treguar edhe më tej. Po e ndaj këtë episod legjendar me ju! Imer Deliu, pasi kishte varrosur gati krejt familjen, ka ardhur në familjen tonë dhe na ka ngushëlluar. Ka ngushëlluar prindërit e mi për vdekjen e vajzës së tyre të madhe dhe nipit të tyre të parë. Na ka dhënë gajret dhe na ka qortuar për pikëllimin tonë. Ai, Imer Deliu, me zemrën që i pikonte gjak, pasi kishte varrosur me duart e veta nënën, gruan me tre fëmijët, vëllaun Ademin, dy kunatat dhe nipin e dashur Valmirin, vinte si kolos dhe na ngushëllonte e pajtonte zemrat tona të plagosura. Pyes veten dhe juve: A ka diçka më madhështore nën këtë diell se sa kjo?

Zgjohem nga kujtimet. Shiu nuk ka pushuar. Deliajt pushojnë të qetë, anash rrugës së shkatërruar, që tregon turpin tonë. Më duket se më pyesin nga fotografitë. Nuk kam se ç’tu them. Kaloj afër tyre i heshtur dhe nuk mendoj më për ta. Mendoj për ne, për këtë shoqërinë tonë. I preku gurët e ftohtë të varreve dhe nuk më dhimbsen më Deliajt. Më dhimbset vetja dhe kjo shoqëri amorale që po krijojmë. Deliajt dhe mijëra familje kosovare kanë paguar çmimin më të lartë të mundshëm për ne që s’kujtohemi më shumë se një gjysmë dite në vit për ta. Edhe në ato orë, sipërfaqësisht dhe duke u ngutur. Duhet ta mbajmë mend: popujt e botës, që kanë pasur fatin e njëjtë si ne, nuk harrojnë kaq shpejt!

P.S.
Më 26 shtator 1998 forcat serbe kanë vrarë, në mënyrën më barbare, 22 anëtarë të familjes Deliu, nga fshati Abri e Epërme të Drenasit. Fotografia e Valmirit, 2 vjeçar, është shfaqur pak ditë më pas në një seancë të Kongresit Amerikan, si shenjë proteste e përkujtimi. Këta rreshta synojnë të njëjtën gjë.

Në trend

Më shumë
Mike Tyson jep parashikimin për luftën Fury-Usyk dhe bën një pretendim të guximshëm

Mike Tyson jep parashikimin për luftën Fury-Usyk dhe bën një pretendim të guximshëm

Boks
Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK jep detaje nga Plani i veprimit

Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK jep detaje nga Plani i veprimit

Lajme
Zbulohen emrat e pesë lojtarëve të Barcelonës të “keqtrajtuar” nga Xavi

Zbulohen emrat e pesë lojtarëve të Barcelonës të “keqtrajtuar” nga Xavi

La Liga
Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Boks
Dështimi për anëtarësim në KiE, Haradinaj: Betejën e patëm humbur edhe në UNESCO dhe INTERPOL - jemi në rrethana të rënduara gjeopolitike, jo në vitin 1999 e 2008

Dështimi për anëtarësim në KiE, Haradinaj: Betejën e patëm humbur edhe në UNESCO dhe INTERPOL - jemi në rrethana të rënduara gjeopolitike, jo në vitin 1999 e 2008

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Kalo në kategori