Fabrika e Shkabajt sjell ujë të pijshëm për disa fshatra të Fushë Kosovës

Ekipet teknike të KRU “Prishtina”, së bashku me kontraktorin dhe menaxhmentin e kompanisë, kanë nisur sot testimin e furnizimit me ujë të pijshëm nga Fabrika e Shkabajt për lokalitetet Grabovc, Lismir dhe Bardh i Madh.
Sipas njoftimit nga ndërmarrja, aktualisht me ujë të pijshëm janë furnizuar fshatrat Bardhi i Madh, Lismiri dhe Grabovci, ndërsa shumë shpejt pritet që rrjeti të shtrihet edhe në Bardhin e Vogël dhe Pomozot.
Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, përmes fondeve që kanë mundësuar ndërtimin e sistemit të pompave dhe rezervuarit në fshatin Lismir – investim që do të përmirësojë dukshëm cilësinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë për banorët e zonës.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka theksuar se mbetet e përkushtuar të sigurojë furnizim të pandërprerë dhe cilësor me ujë për të gjithë konsumatorët, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe partnerët donatorë. /Telegrafi/

















































