Fabian Kamberi, një sipërmarrës i ri me origjinë shqiptare, është përfshirë në listën prestigjioze “Forbes 30 Under 30 Europe 2025” në kategorinë “Sports & Games”, duke u renditur mes emrave më të spikatur të kontinentit për inovacion dhe ndikim në industrinë dixhitale.

Kamberi është bashkëthemelues i SLAY, një kompani gjermane që po revolucionarizon mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë në aplikacione sociale dhe lojëra, duke përdorur teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale.


Një nga sukseset më të mëdha të kompanisë është loja sociale Pengu, ku përdoruesit kujdesen për penguinë virtualë në një univers të ngjashëm me metaversin.

Loja ka tërhequr mbi 10 milionë përdorues dhe ka siguruar 20 milionë dollarë investime, duke u mbështetur nga emra të njohur si Accel, Scooter Braun dhe Harry Stebbings.

SLAY ka lançuar gjithashtu edhe aplikacionin frfr (for real for real), një platformë sociale e fuqizuar nga AI që u mundëson përdoruesve të dërgojnë mesazhe zanore anonime me zëra të personazheve të famshëm – një risi në mënyrën e komunikimit në epokën dixhitale.

Vetëm 25 vjeç, Fabian Kamberi përfaqëson gjeneratën e re të inovatorëve shqiptarë në diasporë, duke dëshmuar se me përkushtim, vizion dhe guxim, suksesi ndërkombëtar është më shumë se i mundur./Telegrafi/