LAJMI I FUNDIT:

EUROVISIONI I SHQIPTARËVE

EUROVISIONI I SHQIPTARËVE
Foto: Eurovision.tv/Getty Images

“Eurovision” është një ndër festivalet më të mëdha në Evropë, që organizohet që nga viti 1956.

Shpesh është cilësuar si një nga garat më emocionuese, kjo pasi secili shtet ka mundësinë të shfaqë kulturën e vet, përmes përfaqësuesve që ata përzgjedhin çdo vit.

Shqipëria ka një histori mjaft të gjatë në këtë festival, kjo pasi si shtet merr pjesë tash e 15 vite.


Debutimin e parë e pati në vitin 2004, me përfaqësuese këngëtaren Anjeza Shahini, e cila këndoi “The image of you” në Stamboll të Turqisë, dhe pikërisht atë vit, Shqipëria do të shënonte një rezultat befasues, duke u renditur në vendin e shtatë.

Mirëpo do të duhej të kalonin edhe tetë vite të tjera që ky rekord të thyhej, kur në vitin 2012 në skenën e “Eurovisionit” në Azerbajxhan, do të nxhitje artistja kosovare, Rona Nishliu. Me këngën “Suus”, ajo do t’i rezervonte vendit pozitën e pestë.

Rona Nishliu vazhdon të mbajë rekordin e Shqipërisë në “Eurovison” me këngës “Suus” (Foto: Getty Images)

Të suksesshëm ishin edhe artistët Ledina Çelo në vitin 2005, Olta Boka në vitin 2008, Kejsi Tola në vitin 2009, Juliana Pasha në vitin 2010 dhe Elhaida Dani në vitin 2015, të cilat gjithashtu i siguruan vendit finalen, përkundër faktit që me përfaqësime të tilla nuk patëm ndonjë renditje të mirë.

Viti 2016 dhe 2017 do të shënonin dy vite ‘pauzë’ nga nata finale për Shqipërinë, kjo pasi përkundër përfaqësimeve dinjitoze që i bën Eneda Tarifa me “Fairytale” në 2016, dhe Linda Halimi me “World” në 2017 përkatësisht, vendi nuk do të siguronte votat e duhura për të prekur finalen.

Mirëpo, edicioni i 63-të i “Eurovisionit” është krejt ndryshe. Për herë të parë në histori, në skenën e “Eurovisionit” do të ngjiteshin jo një, por tre shqiptarë.

Eugent Bushpepa, Eleni Foureira dhe Ermal Meta, tre artistët shqiptarë në “Eurovision 2018”

Këngëtarët Eugent Bushpepa, Eleni Foureira dhe Ermal Meta janë tre këngëtarët shqiptarë që përfaqësojnë tri shtete të ndryshme këtë vit në “Eurovision”.

Eugent Bushpepa përfaqëson Shqipërinë me këngën “Mall”, sakaq Eleni Foureira është përfaqësuesja e Qipros me “Fuego”, dhe i fundit, por jo më pak i rëndësishmi: Ermal Meta. Ai së bashku me Frabrizio Moron janë përfaqësues të Italisë këtë vit në “Eurovsion”.

Për koiçidencë, të tre artistëve në fjalë emri u fillon me shkronjën “E”, një “E” e cila shpresojmë të jetë fatsjellëse, ngase “E”-ja nënkupton Evropën dhe “Eurovisionin”.

Në vazhdim: Historiku i gjithë-secilit prej tyre në rrugën drejt “Eurovisionit”  

EUGENT BUSHPEPA – MALL

Eugent Bushpepa (Foto: Getty Images)

Fundi i dhjetorit të vitit 2017 do të përzgjidhte Eugent Bushpepën si përfaqësues të Shqipërisë për në “Eurovision 2018”, kjo pasi ai u shpall triumfator i Festivalit të Këngës në RTSH me këngën “Mall”.

Eugent Bushpepa është i lindur më 2 korrik të vitit 1984 në Rrëshen të Shqipërisë. Dashuria për muzikën lind që i vogël, kur e motra e tij i bën dhuratë një kitarë, pas së cilës do të pasionohej dhe të mbushej me dëshirën për të vazhduar rrugën drejt muzikës.

Bushpepa shënon disa pjesëmarrje të suksesshme ndër vite në festivalin Top Fest. Ishte viti 2007 kur ai pushtoi skenën e këtij festivali me këngën “Maska e madhështisë”, që mbetet njëra ndër këngët më të suksesshme të tij.

Në vitin 2015, kur edhe u organizua “Top Fest i fundit”, rokeri shqiptar u nderuar me Çmimin Honorifik, të dhënë nga vet organizatorja e këtij festivali, Lori Hoxha.

Kënga “Mall” është e kompozuar dhe shkruar nga vet artisti Bushpepa.

Klipi i këngës është mjaft i veçantë, pasi vetëm në ngjyrat bardhë e zi arrin që të përçojë mesazhin e duhur dhe të transmetojë te shikuesit një performancë impresionuese. Regjisore e klipit është gruaja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, Arjola Xoxa.

Data 8 maj e gjeti Eugentin duke performuar i treti me radhë në gjysmëfinalen e parë të “Eurovision 2018”.

Pas një interpretimi të mrekullueshëm dhe spektakolar, Bushpepa arriti që t’i sigurojë biletën për në finale Shqipërisë pas tri vitesh mungesë.

Një lajm i tillë, erdhi me gëzime dhe u mirëprit nga të gjithë shqiptarët, e në veçanti nga kritikët e muzikës, të cilët e cilësuan si magjike paraqitjen e rokerit shqiptar në gjysmëfinale.

Eugent Bushpepa (Foto: Getty Images)

I kontaktuar nga Telegrafi, Eugent Bushpepa tha se emocionet ishin dhe janë të pranishme, por ndjehet më se krenar me mbështetjen e madhe që merr nga shqiptarët.

“Emocione kam pasur dhe vazhdoj të shumë, megjithatë gjithçka ia vlen kur sheh mbështetjen e madhe që të japin njerëzit e ty. Jam munduar të bëj një përfaqësim dinjitoz dhe do jap maksimumin. Ju falënderoj pafund për mbështetjen”, ka thënë Eugent Bushpepa për Telegrafin.

Ekskluzive, flet Eugent Bushpepa pas performancës në "Eurovision": Zemra mal me flamujt shqiptarë përreth
Lexo po ashtu Ekskluzive, flet Eugent Bushpepa pas performancës në "Eurovision": Zemra mal me flamujt shqiptarë përreth

Tutje, ai ka shtuar edhe se ka shumë besim tek shqiptarët, dhe shpreson që të marrë mbështetjen edhe për në finale.

“Nëse shqiptarët ndjehen krenarë për përfaqësimin që u është bërë me performancën tonë, atëherë besoj do të na votojnë”, tha Eugent Bushpepa për Telegrafin pak para performancës në finale.

Kritikët e muzikës vlerësojnë lartë interpretimin e Eugent Bushpepës në 'Eurovision': Ai ka potencialin të fitojë
Lexo po ashtu Kritikët e muzikës vlerësojnë lartë interpretimin e Eugent Bushpepës në 'Eurovision': Ai ka potencialin të fitojë

Duket se gjithçka është gati për mbrëmjen e madhe, dhe shqiptari i parë i kësaj mbrëmje është gati ta djegë skenën e “Eurovisionit” në Lisbonë.

ELENI FOUREIRA – FUEGO

Eleni Foureira (Foto: Getty Images)

Një arsye më shumë pse shqiptarët të jenë krenarë këtë vit, është këngëtarja Eleni Foureira.

Ajo është e lindur më 7 mars të vitit 1987 në Fier të Shqipërisë, ndërsa ka emigruar si shumë e vogël me familjen e saj në Greqi.

Eleni ka potencuar në disa intervista se ka ditur të flasë shumë mirë shqip në të kaluarën, por që me jetesën në Greqi, ajo e ka harruar dhe tani mban në mend vetëm disa fjalë.

Shqiptarja ka një karrierë shumë të suksesshme në shtetin grek, madje ajo është cilësuar nga mediat atje si “Beyonce e Greqisë”, kjo falë sharmit dhe potencës së saj vokale.

Ajo pati fatin që këtë vit të zgjidhet si përfaqësuesja e ishullit të Qipros në “Eurovision 2018”, me këngën “Fuego”.

Në një intervistë ekskluzive të dhënë për Telegrafin, Eleni ka treguar se cila është fabula e këngës së saj, me të cilën u prezantua në gjysmëfinalen e parë të “Eurovision 2018”, më 8 maj.

“Kënga përshkruan një fuqi të pandalshme të një personi që ka punuar kaq shumë për ta bërë ëndrrën e tij realitet, dhe se duke besuar vërtet mund të arrish të gjitha synimet tua. Çdokush nga ne ka një zjarr brenda shpirtit”, ka thënë Eleni Foureira për Telegrafin.

Ekskluzive - rrëfehet shqiptarja që përfaqëson Qipron në "Eurovision", Eleni Foureira: Mezi pres ta ndez skenën
Lexo po ashtu Ekskluzive - rrëfehet shqiptarja që përfaqëson Qipron në "Eurovision", Eleni Foureira: Mezi pres ta ndez skenën

Mbrëmja gjysmëfinale e 8 majit ishte shumë me fat për artisten me prejardhje nga Fieri. Ajo arriti t’i sigurojë finalen Qipros në mesin e 19 shteteve garuese.

Në intervistën e dhënë për Telegrafin, ajo kishte rrëfyer se ndjehet muzikor pafund e lumtur që pati rastin të shijojë skenën e “Eurovisionit”, këtë skenë gjigante të cilën dikur e kishte ëndërr.

Eleni Foureira gjatë interpretimit të këngës “Fuego” në gjysmëfinalen e parë të “Eurovision 2018”, më 8 maj (Foto: Getty Images)

“Për mua ‘Eurovisioni’ është një spektakël muzikor shumë i mirë, më i madhi në botë dhe ndjehem e lumtur që jam pjesë e tij. Do të jap më të mirën time në finale dhe shpresoj që do të vendos një ‘Fuego’ të madhe në skenë”, ka treguar artistja shqiptare për Telegrafin.

Në shumë prej tabloideve evropiane, performanca e saj është cilësuar si një nga më të zjarrtat e këtij edicionit.

ERMAL META – NON MI AVETE FATTO NIENTE

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro (Foto: Getty Images)

Jo më kot edicioni i këtij viti mund të quhet lirshëm “Eurovisioni i Shqiptarëve”.

Një tjetër artist shqiptar në konkurrim këtë vit në “Eurovision” është edhe Ermal Meta, i cili së bashku me këngëtarin italian, Fabrizio Moro, përfaqësojnë Italinë me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Shqiptari fitues i Sanremos - jeta dhe karriera e Ermal Metës
Lexo po ashtu Shqiptari fitues i Sanremos - jeta dhe karriera e Ermal Metës

I lindur më 20 prill të vitit 1981 në Fier, Ermal Meta është një artist i njohur shqiptar, i cili emigroi në moshën 13-vjeçare së bashku me familjen e tij në Itali.

Ai provoi fatin e “Eurovisionit” në vitin 2017, kur u prezantua në festivalin “Sanremo” me këngën “Viertato Morire”, që në shqip përkthehet “Është e ndaluar të vdesësh”, dhe është një këngë e cila lidhet me jetën personale të artistit.

Me këtë këngë ai do të renditej në vendin e tretë në “Sanremo 2017”, por një vit më vonë, i njëjti, pas bashkimit të forcave me këngëtarin italian, Fabrizio Moro, do të rrëmbenin çmimin e parë në “Sanremo” me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Kjo këngë u ka siguruar atyre biletën për në finalen e “Eurovision 2018”, pasi Itali si shtet në fuqi nuk garon me shtete tjera të vogla, por kualifikohet direkt në finale.

Kënga e dyshes në fjalë u prezantua në natën e dytë gjysmëfinale të “Eurovisonit”. Të intervistuar nga prezantuesja e spektaklit, Ermali tregoi fabulën e kësaj kënge, e cila është një dedikim i veçantë.

“Kënga jonë është shumë e ndjeshme, ajo flet për terroristët dhe u thotë atyre se ata s’mund të na bëjnë asgjë”, ka thënë Ermal Meta për Telegrafin.

Ekskluzive, Ermal Meta flet para finales së Eurovisionit: U dërgoj përqafim të gjithë vëllezërve dhe motrave shqiptarë
Lexo po ashtu Ekskluzive, Ermal Meta flet para finales së Eurovisionit: U dërgoj përqafim të gjithë vëllezërve dhe motrave shqiptarë

Në vazhdimin e bisedës, ai dërgoi një mesazh përshëndetës për të gjithë shqiptarët që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij deri më tani.

“Dërgoj një përqafim të madh për të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptarë, dhe shpresoj se ata janë shumë krenarë për atë që janë: të talentuar, të lumtur dhe plot me vlera të mira”, ka përfunduar Ermal Meta për Telegrafin.

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro gjatë interpretimit të këngës “Non mi avete fatto niente” në gjysmëfinalen e dytë të “Eurovision 2018”, më 12 maj (Foto: Getty Images)

Këta janë tre shqiptarët e “Eurovisionit” të këtij viti.

Shqiptarët tashmë veç e kanë dëshmuar talentin e tyre me shumë përfaqësues në tregun ndërkombëtar, e veçanërisht në atë të muzikës.

Fati ka dashur që nga jeta e vështirë dhe kushtet e ekonomike, shumë prej tyre të rriten në një shtet tjetër, por që karriera dhe suksesi me punën e madhe nuk munguan edhe aty ku ata u ndodhën.

Të gjitha lajmet rreth 'Eurovisionit'
Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth 'Eurovisionit'

Rasti i edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit” është një shembull i tillë.

Nata e finale mbahet sonte (e shtunë) në Altice Arena në Lisbonë, dhe do të jetë më emocionuesja ndonjëherë për shikuesit shqiptarë të këtij festivali.

Nga 26 këngëtarë, tre prej tyre kanë gjasë të mëdha që të renditen në vendet e para, dhe më shumë se kurrë shqiptarët do të jenë para ekranit për të parë përfaqësuesit e tyre në një prej festivaleve më të mëdha në Evropë. /Telegrafi/