LAJMI I FUNDIT:

Euro njeh vetëm rritje në tregun valutor në Shqipëri

Euro njeh vetëm rritje në tregun valutor në Shqipëri

Valutat e huaja e kanë nisur javën me rritje në Shqipëri. Euro, monedha kryesore që qarkullon në Shqipëri, këmbehet sot me 110.6 lekë. Ajo po rritet në mënyrë progresive që pas javës së parë të gushtit, duke fituar më shumë se 7 pikë brenda 20 ditëve.

Këto pikë të fituara të euros në tregun vendas kanë ndikuar edhe tek valutat e tjera. Kështu vlera e dollarit amerikan është rritur në 102.5 lekë, e paundit 129 lekë dhe frangës zvicerane për 115.7 lekë.


Dobësimi i lekut në këtë periudhë është i pazakontë, pasi përgjatë gjithë muajit gusht fluksi i valutës së huaj ka qenë i lartë nga prania e turistëve, çka matematikisht do të conte në zhvlerësimin e tyre.

Megjithatë, ndërhyrjet e Bankës Qendrore në tregun valutor, besohet se janë faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen kursit.

Kjo e fundit vendosi zyrtarisht të ndërhyjë në treg, duke rritur shumën e planifikuar të blerjeve të valutës për këtë vit.

Vendimmarrja tregon se shuma e parashikuar e blerjeve për vitin kalendarik do të jetë në intervalin mes 220 dhe 300 milionë, ose 80 deri në 140 milionë euro më shumë se planifikimi fillestar.

Kujtojmë se valutat e huaja u zhvlerësuan në rekorde historike këtë vit, duke goditur shumë biznese që kryejnë pagesa me euro ose dollarë. /Telegrafi/