“EULEX-i nuk është duke bërë asgjë”

“Fushata i ka dy qëllime kryesore,” tha Nicholas Hawton, udhëheqës i ZSHIP. “Së pari, ne duam ta demantojmë mendimin se asgjë nuk është duke u bërë në luftimin e korrupsionit. Përderisa korrupsioni kurrë nuk do të eliminohet në tërësi dhe mbetet edhe shumë për të bërë, në anën tjetër është duke u bërë progres. Për shembull, janë nxjerrë tridhjetë e tri aktvendime për raste të mëdha të korrupsionit në nivele të larta; gjashtëdhjetë hetime janë në vijim e sipër. Ndër të shpallurit fajtorë ka gjykatës, policë, zyrtarë qeveritarë dhe politikanë. Këto nuk janë fakte të parëndësishme”.
Hawton thotë se kështu duan të theksojmë faktin se EULEX-i nuk mund të bëjë më shumë.
“Në luftimin e korrupsionit duhet të angazhohemi të gjithë ne. EULEX-i merret me rastet e nivelit të lartë, të ndërlikuara dhe që marrin kohë. Por, pjesa dërmuese e punës në luftimin e korrupsionit është duke u bërë nga autoritetet vendase. EULEX-i mund të merret vetëm me një pjesë të këtij problemi. Prandaj, ne këtë po e bëjmë bashkërisht dhe në mbështetje të autoriteteve vendase. Kjo është arsyeja pse ne po e përkrahim agjencinë vendase kundër korrupsionit dhe po e reklamojmë linjën e tyre telefonike pa pagesë,” shton Hawton.
EULEX fton qytetarët në Kosovë që t’i raportojnë përvojat e tyre personale, përkitazi me korrupsionin, tek autoritetet përkatëse.
Gjatë ditëve në vijim, Zyra e EULEX-it për Shtyp dhe Informim Publik do të ndërmerr hapa konkret në mbështetje të Këshillit Kundër Korrupsionit, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Inspektoratit të Policisë të Kosovës. /Telegrafi/





















































