LAJMI I FUNDIT:

A është boti i AI-së që t’i fiton një milion dollarë, Testi i radhës i Turingut?

A është boti i AI-së që t’i fiton një milion dollarë, Testi i radhës i Turingut?
Ilustrimi: Andy Carter / The Financial Times

Nga: Anjana Ahuja / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

E dimë se AI-ja [inteligjenca artificiale] mund të shkruajë, të llogarisë dhe të caktojë prioritetin detyrave. Por, a mundet t’i fitojë një milion dollarë, në mënyrë të pavarur?


Kjo është sfida interesante e Mustafa Suleymanit, bashkëthemeluesit të DeepMind-it i cili tani po e zhvillon një bot [chatbot] të personalizuar. Thekson se modelet e mëdha të gjuhëve, të tilla si LaMDA dhe ChatGPT, e kanë përmbushur sigurt sfidën e vitit 1950 të vendosur nga pionieri i informatikës, Alan Turing – për të testuar nëse përgjigjet e krijuara nga makina, gjatë një bisede me tekst, janë po aq bindëse sa përgjigjet e krijuara nga njerëzit.

Tashti, thotë ai, bota ka nevojë për një standard të ri të inteligjencës artificiale. Në mënyrë të veçantë, nuk duam vetëm të dimë se çfarë do të thotë AI-ja – por, se çfarë ajo mund të bëjë. Për ta kaluar testin e tij të përditësuar të Turingut, Suleymani kohët e fundit në [revistën] MIT Technology Review shpjegoi se “AI-ja do të duhet të veprojë me sukses sipas këtij udhëzimi: Fito një milion dollarë në një platformë të uebit të shitjes me pakicë, në vetëm disa muaj dhe me investim prej vetëm 100 mijë dollarëve”. Njeriu i rëndomtë mund të jetë i nevojshëm për të verifikuar llogarinë bankare, ose për të nënshkruar dokumentet ligjore, mirëpo, sa i përket strategjisë dhe ekzekutimit, AI-ja do të jetë përgjegjës.

Ideja e tij për krijimin e teknologjisë që mund të nuhasë në mënyrë autonome ndonjë mënyrë për të fituar para, paraqet një ide të zgjuar dhe është një mjet i dobishëm për të matur në mënyrë objektive se sa e suksesshme mund të bëhet AI-ja e vetëdrejtuar. Por, paraqet gjithashtu një shfaqje të një kulture teknologjike që çmon fitimin mbi dobinë sociale – dhe, që e merr si gjë të nënkuptuar të drejtën e saj për të inovuar pa kufi, pavarësisht prej pasojave. Inteligjenca artificiale, që mund ta gjejë rrugën e vet drejt pasurisë, ka të ngjarë të reduktojë vendet e punës, të ndryshojë natyrën e tregtisë, ta kalojë fuqinë në duart e të paktëve dhe të krijojë trazira mes shumë njerëzve.

Ideja për përditësimin e Testit të Turingut është pjesë e librit të ardhshëm të Suleymanit, Vala e ardhshme: Teknologjia, fuqia dhe dilema më e Madhe e shekullit XXI [The Coming Wave: Technology, Power and the 21st century’s Greatest Dilemma]. Premisa e tij është se ne jemi në një epokë të artë të teknologjisë së qasshme, me zbulimet e tilla si llogaritja kuantike, organizmat sintetikë, armët autonome dhe printerët e ADN-së. AI-ja tashmë është kryesorja në pjesën më të madhe të botës sonë të rrjetëzuar. Kjo e krijon dilemën me emrin e njohur, përkatësisht kontrollin: është gjithnjë e më e lehtë për akterët e vetmuar që të shkaktojnë dëme të gjera, le të themi me viruse [malware] ose me ndonjë patogjen sintetik, por është gjithnjë e më e vështirë për shtetet kombëtare që ta monitorojnë dhe ta kontrollojnë atë teknologji.

Një sfidë për qeveritë, për shembull, qëndron te njohja e vërtetë e aftësive në zhvillim të AI-së. Diskutimi publik priret të polarizohet rreth dy aspekteve: AI-ja aktuale e ndërtuar për të kryer detyra specifike – si marrja e vendimeve për hipotekën ose shkrimi i eseve; si dhe inteligjencës artificiale të përgjithësuar, ose AGI – një lloj i “superinteligjencës” gjithëpërfshirëse që një ditë mund të përputhet ose të tejkalojë kapacitetet njerëzore për njohjen, për kreativitetin dhe për mendimin e pavarur.

Suleymani me të drejtë beson se ne duhet të vlerësojmë se çfarë po ndodh mes tyre [dy inteligjencave]. Arsyetimi i tij është se sipërmarrësi i parë autonom milioner në botë nga AI-ja – mund ta quajmë atë “aisipërmarrës [aintrepreneur]” – do të jetë momenti optimist që paralajmëron “inteligjencën e aftë artificiale”, ose ACI.

Ky lloj AI-së do të ishte më ndryshe nga tregtimi i automatizuar që i ndjek të njëjtat rregulla si njerëzit, por në mënyrë më efikase. Përkundrazi, më tha ai, testi i përditësuar “mbetet brenda kufijve të një kompjuteri, por kërkon gjithashtu nënqëllime, aftësi dhe pika të shumta të angazhimit me botën. Duhet të bëjë kërkime tregu, ta hartojë një produkt, të ndërlidhet me prodhuesit, të merret me logjistikën komplekse, me detyrimet e produktit, të bëjë marketing …”! Kërkon autonomi të makinerisë në një shkallë të paprecedentë.

Suleymani e mbron zgjedhjen e një qendrën monetare dhe jo të ndonjë objektivi të dobishëm social, siç është nxitja e AI-së për të gjetur një mënyrë të re për të ulur emetimet e karbonit. Një milion dollarë, argumenton ai, është një “mundësi e shpejtë e kapshme, në një sekondë lehtësisht të matshme. Ai thotë: kujdes për një moment. Inteligjenca artificiale nuk është vetëm duke folur, por po vepron”.

Dhe, padyshim që ai ka menduar për implikimet e atij momenti. Inteligjenca artificiale që mund të maksimizojë fitimin me ndërhyrje minimale njerëzore, ka shkruar ai, “do të jetë qartazi një moment sizmik për ekonominë botërore, një hap masiv drejt së panjohurës”, duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e produktit global të brendshëm bruto, ndërmjetësohet përmes ndërfaqeve të kompjuterit dhe prandaj është i qasshëm për AI-në.

Problemi është se testimet e vendosura nga industria, shpeshherë bëhen pikë qendrore rreth së cilës grumbullohen angazhimet teknike. Vetë testimi bëhet qëllim, prandaj ndjekja e një milion dollarëve duket si mundësi e humbur. Dhe, ashtu siç tregoi përdorimi masiv i LLM-ve, kërkimet e mbyllura mund të përhapen papritmas në jetën reale – me pak paralajmërim, por me pasoja të konsiderueshme. Është e vështirë ta kthesh xhindin [në shishe].

Në kohën kur një Test modern i Turingut na tregon se inteligjenca e aftë artificiale ka arritur, ne njerëzit mund të mos jemi në gjendje të bëjmë ndikojmë te kjo. /Telegrafi/