LAJMI I FUNDIT:

A është Asociacioni çelësi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

A është Asociacioni çelësi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën – duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.


Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të martën se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Themelimi i Asociacionit ka qenë vazhdimisht kërkesë edhe e vendeve të tjera të grupit QUINT, që, pos Francës e Gjermanisë, përfshijnë edhe SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës nëse planifikon ta dërgojë draft-statutin në Kushtetuese përpara datës 16 maj, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Më 17 prill, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se themelimi i Asociacionit nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në KiE, por shtoi se ai është pjesë e listës së zotimeve në kuadër të raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyyanis, të cilat Kosova i ka marrë përsipër që t’i zbatojë pas anëtarësimit në KiE.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 23 prill, se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike dhe diplomatike në Kosovë pajtohen se vendi duhet të bëjë “hapa pozitivë” për të mos rrezikuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Osmani: Drafti i statutit të Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese
Lexo po ashtu Osmani: Drafti i statutit të Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, thotë se kërkesa ose sugjerimi i partnerëve perëndimorë është i qartë: Qeveria e Kosovës duhet ta dekretojë draft-statutin për Asociacionin dhe ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Në rast se dërgohet [në Gjykatën Kushtetuese], atëherë, faktikisht, mund të thuhet se është debllokuar procesi i themelimit të Asociacionit… Deri më tash, ky proces është bllokuar nga perspektiva e vendimmarrjes politike”, thotë Kamberi.

Sipas tij, praktika e deritashme ka treguar se ministrat e Jashtëm në Këshillin e Evropës, përgjithësisht, i mbështesin vendimet e Asamblesë Parlamentare.

Por, në rastin e Kosovës, thotë ai, marrë parasysh pritjet që i kanë disa vende lidhur me themelimin e Asociacionit, votimi më 16 maj mund të mos jetë fare në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Që të mos duket se po votojnë kundër vendimit të Asamblesë Parlamentare, rrezikohet që të mos futet fare në rend dite, si një e formë e refuzimit jo të drejtpërdrejtë”, thotë Kamberi.

Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin IESEG në Paris, thotë se çdo hap që mund ta bëjë Qeveria e Kosovës në drejtim të themelimit të Asociacionit, duhet ta bashkërendojë me kërkesat e partnerëve kryesorë, nga të cilët pret përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Nëse këto janë pritje nga ata që do të votojnë – dhe Qeveria e di më së miri se cilat janë pritjet – atëherë duhet vendosur në bazë të drejtpeshimit ndërmjet pritjeve dhe gjasave për sukses në votim”, thotë Murtezaj.

Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe
Lexo po ashtu Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Sipas tij, hap tjetër që mund të bëjë Kosova para takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, më 16 maj, është: dërgimi i garancive të qarta te vendet përkatëse se do të zbatohen të drejtat e komuniteteve joshumicë, si dhe i sinjaleve të qarta se do të avancohet i gjithë korpusi ligjor që ndërlidhet me të drejtat e njeriut.

“Do të ishte e dhimbshme që Kosova ta humbiste anëtarësimin pas gjithë këtij rrugëtimi të suksesshëm deri sot”, thotë Murtezaj.

Në një intervistë dhënë REL-it, më 18 prill, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se këshillë e tij për Kosovën do të ishte “ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese” përpara votimit në maj.

Organizata e Knausit publikoi së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Kjo, përkundër marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Eksperti i sigurisë: Largimi eventual i ushtarëve amerikanë nga Kosova do të ishte shqetësues, problemi real janë raportet politike

Eksperti i sigurisë: Largimi eventual i ushtarëve amerikanë nga Kosova do të ishte shqetësues, problemi real janë raportet politike

Siguri
Kush u bë e kush u zhgënjye, përmbledhje e kandidatëve për deputetë

Kush u bë e kush u zhgënjye, përmbledhje e kandidatëve për deputetë

Lajme
Trump kritikon ndarjen e fondeve të USAID-it, përmend Kosovën dhe Serbinë

Trump kritikon ndarjen e fondeve të USAID-it, përmend Kosovën dhe Serbinë

Lajme
“Trupat amerikane mund të largohen nga Kosova”, shkruan Bild – mediumi gjerman sjell edhe skenarët e mundshëm për vendet e tjera evropiane

“Trupat amerikane mund të largohen nga Kosova”, shkruan Bild – mediumi gjerman sjell edhe skenarët e mundshëm për vendet e tjera evropiane

Lajme
Gashi: Prokuroria s’pati nevojë ta detyrojë Kurtin përmes Gjykatës, çështja u politizua

Gashi: Prokuroria s’pati nevojë ta detyrojë Kurtin përmes Gjykatës, çështja u politizua

Lajme
Janë verifikuar mbi 38 mijë pako të votave të ardhura përmes postës

Janë verifikuar mbi 38 mijë pako të votave të ardhura përmes postës

Lajme
Kalo në kategori