LAJMI I FUNDIT:

Ernest Hemingway dhe brezi i humbur shqiptar!

Ernest Hemingway dhe brezi i humbur shqiptar!

21 korriku është datëlindja e shkrimtarit të madh amerikan Ernest Hemingway! Lexuesit e veprave të tij pluskojnë bashkë me të përtej kohërave dhe hapësirës në frymën e artit, aventurës, kulturës, fjalës, sfidës, jetës, luftës, vdekjes dhe humbjes.

Nuk është e rastësishme që lexuesit dhe admiruesit e tij në Shqipëri janë të shumtë. Kjo nuk ka të bëjë as me Lamtumirë Armë, Plaku dhe Deti, as me Kopshti i Edenit, apo vepra të tjera; ka të bëjë edhe me shpirtin e tij, me rrugëtimin e tij për të gjetur lumturinë dhe prehjen.


Ka të bëjë me aventurat e tij të jetës; përpjekjet për të parë dritën përtej ferrit të dy luftërave botërore; me ngjyrat e mrekullueshme të peizazheve të ndryshme ku ai jetoi; me shijet e ëmbla, hidhëta e tharta të alkoolit që pinte në aventurat e tij në mbarë botën; me ajrin e lirisë afrikane, parisiene, spanjolle apo kubane me të cilin ai mbushte mushkëritë dhe zemrën e trishtuar nga makthet botërore të shekullit të njëzetë i cili, për ironi, edhe pse ishte shekulli më modern dhe më i emancipuar i mbarë historisë së njerëzimit, prodhoi luftërat më të mëdha të të gjitha kohëve dhe mori tre herë më shumë jetë sa të gjitha luftërat e mëparshme të njerëzimit.

Përse e pëlqejnë Hemigwayn intelektualët dhe rinia shqiptare? A jemi edhe ne brez i humbur sikurse ai?

Absolutisht po! Ata që kanë lindur në komunizëm e dinë fare mirë që ai regjim na injektoi vaksinën kundër shpresës! Sot, është bërë e modës të pimë ndonjë koktej gjatë darkave por ne që lindëm gjatë atij terri na u injektua në gjak një koktej helmesh, për të patur frikë, për të mos guxuar, për ta kthyer gjithmonë kokën pas sepse gjithmonë është dikush që të ndjek, dikush që të përgjon, është vdekja që të pret dhe jo jeta që nuk ekziston. Frika ishte qumështi i gjirit, dhe makthi ishte abetarja jonë.

Të rinjtë shqiptarë që lindën pas ferrit komunist, nuk arritën të shpëtojnë, sepse post-komunizmi shqiptar nuk solli liri por vetëm purgator. Në vend të ninullave të rinjtë dëgjuan fjalimet e komunistëve me maska progresistësh, të cilët vazhdojnë edhe sot në çdo hapësirë të jetës shqiptare. Duke depërtuar deri në kthinat më të thella të shpirtit.

Kësisoj, të rinjtë e dinë se jetojnë në një vend të humbur, që janë një brez i humbur, ndaj edhe përdorin veprat e Hemigwayt të fluturojnë përtej kontinenteve, të ulen përmes librit në një bar në Venecia, Paris, Barcelonë, apo të pinë një Papa Doble në Havana, të brohorasin Ole në një ndeshje demash në Piazza del Toro, të zgjohen më pamjen madhështore të Kilimanxharos, apo të gjuajnë për peshk në ujërat e kristalta të Karaibeve.

Të rinjtë shqiptarë janë biologjikisht të rinj, por pleq në mendje, në shpresa e në shpirt. Ashtu si Santiago edhe ata luftojnë me peshkaqenët për të siguruar bukën e gojës dhe për të ruajtur krenarinë. Peshkaqenët shqiptarë, ata që e kanë shkatërruar vendin prej tre dekadash, e do vazhdojnë ta shkatërrojnë deri sa brezi ynë, dhe të rinjtë tanë do vdesin, janë edhe më të egër se sa ata të veprës Plaku dhe Deti, sepse këta tanët janë kanibalë ndjenjash dhe varrmihës ëndrrash.

“Jeta e çdo njeriu mbaron njëlloj për të gjithë”, ka thënë Hemingway. “Janë vetëm detajet e jetës së tij, se si jetoi dhe se si vdiq, ato që e dallojnë njërin nga tjetri”.

Shqiptarët e dinë që kanë lindur në një oturak, dhe vazhdojnë të notojnë në këtë oturak, ndaj edhe shumë intelektualë dhe të rinj refuzojnë të lindin dhe vdesin në këtë qoshe të pashpresë të globit. Ata e pranojnë të jenë nënshtetas shqiptarë, por zgjedhin të jenë qytetarë të botës. Ata refuzojnë retorikën dhe mentalitetin arkaik të atyre që mbajnë çelësat e këtij oturaku ballkanik, por zgjedhin të udhëtojnë në kohë, hapësirë dhe imagjinatë, përmes jetës tejet aventureske dhe veprave të jashtëzakonshme të Hemingwayt.

“Njeriu nuk është bërë për t’u mposhtur”, shkruan ai te Plaku dhe Deti. “Njeriu mund të shkatërrohet por jo të mposhtet”.

Edhe brezi i humbur shqiptar, të lindur gjatë ferrit komunist, të skllavëruar nga purgatori i tranzicionit tridhjetë vjeçar, e di që mund të shkatërrohet nga bastardët e historisë, por nuk mund të mposhtet kurrë nga ata, sepse ndonëse e gjithë Shqipëria mbetet e pushtuar nga varfëria, konsumohet nga babëzia, ku në vend të reve të shpresës pikon dhimbje ndërshekullore, në një rresht apo fletë të Hemingway-t mund ta mundësh barbarinë shqiptare, të shpëtosh nga mjegulla e kotësisë, dhe si me magji të transportohesh diku me atë, atje ku ajri është art dhe jo një erë kërme që të kujton se jeton në një tokë të shkretuar.