Erion Veliaj mbetet në burg, reagojnë avokatët ndërkombëtarë: Shkelje e të drejtave

Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar avokatët e tij ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë vendim si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të një procesi të rregullt ligjor.
Në një deklaratë të përbashkët të firmave ligjore “Kasowitz LLP” (SHBA) dhe “Mishcon de Reya” (MB), mbrojtja juridike e Veliajt paralajmëron se po shqyrton ndjekje të mëtejshme në instanca ndërkombëtare, përfshirë mekanizmat e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR).
Daniel Fetterman, nga firma Kasowitz LLP, thekson:
“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”
Ndërkohë, Ben Brandon, përfaqësues i Mishcon de Reya, deklaron:
“Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut ndalon burgosjet arbitrare dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për papajtueshmërinë e këtij arrestimi me ECHR.”
Sipas avokatëve, vendimi për të mbajtur Veliajn në burg është marrë pa shqyrtuar mundësitë e masave më të buta dhe përbën një rrezik të madh për standardet e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Erion Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndërsa avokatët e tij vendas dhe ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se do të ndjekin rrugët ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për të kundërshtuar këtë masë sigurie.

















































