LAJMI I FUNDIT:

Enveri e donte Musinenë, por u refuzua dhe ai u hakmor?!

Enveri e donte Musinenë, por u refuzua dhe ai u hakmor?!

Nga: Ermira Isufaj

I ati, një diplomat në karrierë, ndërsa e ëma e lindur në shtetin helen, bijë nga një derë e pasur. Për shkak të pozitës së të atit, jeta deri në moshën 16-vjeçare i kish ofruar Makbule Frashërit gjithçka që dëshironte. Puhiza e lehtë e bregdetit grek, turra vrapi bashkë me shoqet në kopshtet e mbushura me portokaj të zonës së Lipjadhës pranë Korfuzit, ishin vetëm një pjesë e përditshmërisë së vajzës së përkëdhelur, të familjes Frashëri. Por, kthesa e papritur që do të merrte jeta e saj, menjëherë pas ditës që ata do të shkelnin në tokën shqiptare për të vizituar fisin e të atit – të cilët jetonin të shpërndarë mes Tiranës e Korçës – do t’i shembte realitetin përpara syve. Sistemi politik i kohës, ua mbylli kufijtë dhe ata nuk mund të ktheheshin në vendin fqinj.

Gjithçka mbeti pas krahëve, shtëpia, pasuritë, karrigia e diplomatit për Qemalin, babain e saj. Të këqijat do të përplaseshin njëra pas tjetrës, edhe pas integrimit të familjes në shoqëri. Nevoja për të takuar të vëllain në Korçë, u etiketua nga agjenturat e kohës si tentativë arratisjeje nga Shqipëria. U prangos duke darkuar me të vëllain dhe përfundoi në burgun e vjetër të Tiranës. Kaloi ditët e vështira në qelitë e paraburgimit, torturat nga elektroshok, te biruca e mbushur me ujë të ftohtë, derisa i binte të fikët.


Megjithatë, privimi nga liria për 12 vite me radhë, i shërbyen Makbules për të lidhur miqësi të reja, me ato vajza trime të njohura për aktivitetin e tyre antikomunist.

Znj. Makbule, keni lindur në Korfuz të Greqisë, gjatë kohës që babai juaj kryente detyrën e konsullit të Shqipërisë atje. Dy fjalë për babain dhe fëmijërinë tuaj…

Unë jam e bija e Qemal Frashërit. Im atë ishte njohës i gjashtë gjuhëve të huaja, njeri i nderuar dhe me një aktivitet të spikatur diplomatik. Pas studimeve të larta në Greqi, gjatë viteve 1925-1928 mbajti postin e Konsullit për Shqipërinë në Korfuz të Greqisë. Natyrisht, për shkak të punës dhe terrenit ku ai kryente gjithë aktivitetin e tij të përditshëm, u njoh edhe me vajzën greke që do të bëhej gruaja e tij, Lemania.

Kam lindur në Korfuz dhe isha fëmija i vogël i familjes. Për shkak edhe të origjinës së sime mëje, por edhe pozitës së babait, jetonim në kushte shumë të mira. Nuk mund të harroj ato kopshtet e mbushura me portokaj të Lipjadhës, një zonë afër shtëpisë ku banonim. Gjithçka, i ngjante një jete normale, deri në moshën 16-vjeçare, ku e gjithë jeta e familjes do të merrte një kthesë të papritur.

Ç’ndodhi në këtë periudhë?

Babai, për shkak të studimeve disavjeçare, si edhe të postit të punës, kishte shumë vite që nuk takohej me njerëzit e tij të afërm të fisit. Thuajse, i gjithë fisi i babait ishte i vendosur në Tiranë e Korçë, kurse ata të mamasë ishin në Greqi.

Në vitin 1944, im atë vendos që të nisemi e gjithë familja për në Tiranë, për të qëndruar disa ditë me njerëzit e tij të afërm, sepse ishin ndarë prej vitesh. Erdhëm në Tiranë. Unë isha vetëm 16 vjeçe dhe mbaj mend që pas gati një jave që donim të ktheheshim sërish për në Greqi, na u mbyllën të gjitha rrugët, nuk na lanë të dilnim nga Shqipëria.

Na i mbylli Enver Hoxha të gjitha rrugët dhe ne mbetëm këtu në Tiranë. Im atë bëri përpjekjet e veta me njerëz të njohur, që mund të na lejonin lëvizjen nga Shqipëria dhe kthimin tonë në Korfuz, por ishte gjithçka e kotë, e pamundur.

Kështu, kaluan javë, muaj dhe filluam të besonim se realiteti ishte ai që ishte dhe nuk e shmangnim dot. Ndaj, dhe ne duhet të integroheshim në shoqërinë dhe kushtet ku ndodheshim pa asnjë kompromis.

Çdo të thoshte për ju integrimi, përshtatja në ato kushte?

Do të thoshte që duhet t’ia nisnim nga e para. Pas pasurisë që kishim lënë pas krahëve në Greqi, shtëpisë dhe gjithçka tjetër, na duhej që të gjenim një punë, për të mbijetuar. Im atë, duke qenë se përvojën diplomatike e kishte të mirënjohur, mundi të rregullohej në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme këtu në Tiranë, kurse unë nisa punë në punishten e pastave.

Im vëlla ishte në profesion si oficer policie dhe ai shkoi të punonte në Korçë, sepse aty jetonte edhe xhaxhai ynë. Kështu, rrjedha e jetës sonë nisi të hynte në normalitet, edhe pse asgjë përreth nuk kish të krahasuar me atë çka lamë pas në Greqi.

A e kishit ndier hijen e njerëzve të Sigurimit, gjatë lëvizjeve tuaja?

Sigurisht që po! Që në momentin që nuk u lejuam më të dilnim nga Shqipëria – edhe origjina greke nga ana e sime mëje – ishin faktorë që e cenonin bashkëjetesën tone në kushte normale. Sa herë që shkoja në punë, herët në mëngjes, vija re hije të dy burrave që më ndiqnin pas, edhe pse sipas porosisë së prindërve nuk duhet të shprehesha dhe as të flisja shumë, sidomos në ambientin e punës. Por, më e keqja, do të vinte më pas.

E keni fjalën për arrestimin tuaj?

Pikërisht. Isha vetëm 24 vjeçe, isha martuar dhe kisha sjellë në jetë një foshnjë, time bijë. Ime motër, kishte shkuar disa ditë më parë në Korçë, të takonte vëllain, Fuatin, sepse kishte kaluar kohë qëkur ai ishte larguar me punë nga shtëpia, për shkak të punës së tij si oficer.

Ndaj, edhe unë ia besova vajzën mamasë sime dhe vendosa që t’u bashkohesha të dyve, thjesht e vetëm për t’u takuar. Kishim lidhje të fortë me njëri-tjetrin. Shkuam për të ngrënë darkë në një lokal, isha vetëm unë edhe vëllai.

Gjatë darkës, erdhën dy njerëz të Sigurimit që iu afruan tryezës sonë dhe mua menjëherë më vunë prangat. Akuza ishte: “Tentativë arratisjeje nga Shqipëria”.

Sipas tyre, duke qenë se shteti nuk na la të ktheheshim në Greqi, unë kisha gjetur një mundësi për t’u arratisur përmes Korçës, ndaj dhe më arrestuan. Fillimisht më çuan në Drejtorinë e Sigurimit të rrethit Korçë, më pas më transferuan menjëherë, për në burgun e vjetër të Tiranës.

Dolët në gjyq?

Përpara se të dilja në gjyq, në ato birucat e vogla të burgut, kam kaluar net të tmerrshme dhe tortura nga më çnjerëzoret. Më kanë vendosur tri herë në elektroshok, një herë tjetër më futën në një birucë të mbushur me ujë të ftohtë akull, duke më lënë atje për 24 orë rresht, derisa më binte të fikët. Më torturonin, duke më kërkuar të shpjegoja se pse doja të arratisesha, cilët ishin bashkëpunëtorët e mi …?!

Por, unë nuk kisha bërë asnjë tentativë të ngjashme, sepse isha e re, kisha një fëmijë të vogël. Pas torturave në birucë, erdhi dita që dola në gjyq. Prokuror ishte Aranit Çela, i cili së bashku me trupin gjykues më shpalli “armike të popullit”, me akuzën e tentativës për arratisje nga Shqipëria dhe agjitacion e propagandë. Pretenca u dha për 15 vjet, por më pas ma ulën në 12 vite heqje lirie.

Aty, në burgun e vjetër të Tiranës, patët mundësi të njiheshit me të tjera bashkëvuajtëse tuajat?

Kam ndarë ditët e burgut, me Musine Kokalarin, Drita Kosturin, të fejuarën e Qemal Stafës, Lavdije Petrelën, Neta Pacin, e shumë gra të tjera të njohura të cilat përpara se të gjendeshin përballë hekurave të burgut, ishin bërë të famshme për aktivitetet e tyre antikomuniste. Ndaj dhe u etiketuan si disidente të pushtetit popullor e u burgosën.

Cilat ishin bisedat që ndanit me njëra-tjetrën?

Ne takoheshim shpesh me njëra-tjetrën, sepse nuk ishte vetëm ambienti i përbashkët që na lidhte, por edhe puna. Ne të gjitha punonim në rrobaqepësinë e burgut, qepnim uniformat e ushtarakëve.

Më pas, kur burgu i Tiranës u suprimua dhe u detyruan që të na transferonin, ata na dërguan bashkërisht të gjithave për të punuar në Fermën e Kamzës, e më pas na dërguan në Burgun e Kuçovës. Musineja ishte një femër që i kishte shoqet e rralla. Nuk ishte vetëm e ditur, e lexuar, por edhe shumë bashkëpunuese. Madje, sa herë ne femrat donim t’i bënim lutje drejtorisë së burgut për një kërkesë të caktuar, gjithmonë ia besonim Musinesë këtë gjë, sepse ajo përpilonte siç duhet dhe me fjalët e zgjedhura atë mesazh që ne donim të përcillnim. Shpesh dilnim edhe në biseda edhe më personale.

Kujtoj një ditë, kur Musineja më tha se e kishte arrestuar vetë Enver Hoxha, sepse ai kishte ndjenja për të dhe i ishte shprehur se donte të martohej me Musinenë. Ajo thoshte që nuk e pranonte diçka të tillë, sepse nuk kishte asnjë qëllim martese me Enverin. Duke qenë se ky qëllim nuk iu realizua, ai u hakmor duke sajuar gjithfarë akuzash, derisa ajo u dënua.

Po e fejuara e Qemal Stafës, Drita Kosturi, çfarë natyre kishte?

Çuditërisht, ajo ishte më e heshtura nga të gjitha ne, fliste shumë pak, ishte natyrë e qetë. Por, edhe ajo i ndante kujtimet e saj me ne, duke na treguar se sa herë dilnin xhiro me Qemal Stafën, si ajo e adhuronte atë për përgatitjen dhe maturinë që kishte ai djalë etj. Duke qenë një nga krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, qysh prej krijimit të saj, kjo nënkuptonte një raport të denjë mes Qemalit dhe Enver Hoxhës, por asnjë rrethanë sipas saj nuk e përligjte vrasjen e Qemal Stafës.

Teoritë që qarkulluan më pas ishin nga ato të eliminimit të tij nga vetë Enveri, për shkak të rivalitetit politik, deri te vrasja nga pushtuesi italian, por këtë të fundit Drita nuk e besonte.

Gjatë qëndrimit tuaj në burg, ju vizitoi ndonjëherë ndonjë pushtetar i kohës?

Po, një prej tyre ishte Mehmet Shehu. Vinin në mënyrë të beftë, për të inspektuar situatat, herë pas here. Ka hyrë edhe në qelinë time dhe më ka pyetur se pse doja të arratisesha, cilët ishin bashkëpunëtorët e mi, por unë i shpjegova se isha ende një nënë e re me një foshnjë të vogël në krah, e një familje të sapondërtuar dhe nuk kisha kushte të atilla që t’i linin shkas arratisjes sime.

Ndërsa, kur na mblodhi ne të gjitha gratë, mbaj mend që iu drejtua Drita Kosturit duke i thënë që do e vendoste të hapte me duart e saj varrin e vet, sepse do e pushkatonin. Drita, ashtu e qetë siç ishte, ia ktheu se edhe atë e bënte, pa asnjë mëdyshje.

Pas burgosjes, çfarë ndodhi me bashkëshortin e prindërit tuaj?

Sapo më arrestuan, një nga këta persona që iu bashkua akuzave për arratisje ishte edhe im shoq, Laze Alia, me profesion oficer. Ai më kërkoi divorcin, derisa më ndau. Ndërsa babai, duke qenë se vinte shpesh për të më takuar në burg, më sillte edhe vajzën ndonjëherë; por e arrestuan me akuzën se ishte prindi i një të deklasuare dhe “armike të pushtetit popullor”. Atë e internuan në Kuç të Tepelenës, derisa u sëmur rëndë dhe, pas 10 viteve në kamp internimi, ai vdiq. Lajmi i humbjes së tim ati më erdhi në burg dhe nuk kishte dhimbje më të madhe për mua. Doja të mbytesha në pusin e burgut, isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe punonjësit e burgut, pasi e konstatuan këtë, e gozhduan grykën e pusit me dërrasa.

Ju përfituat nga një amnisti e vitit 1964 dhe kështu dolët nga burgu, por tanimë pa bashkëshortin në krah dhe me babain e vdekur…?!

Nuk kishte trishtim më të madh për mua. Kalova 12 vite të mbyllura në qeli, mes torturave që më kanë lënë gjymtime trupore edhe sot. Vitet aty brenda i ngjanin një ferri të vërtetë, por edhe kostoja që pagova ishte shumë e shtrenjtë. Një familje e ndarë, e divorcuar nga bashkëshorti dhe babai i vdekur në kampin e internimit në Kuç të Vlorës. Mu deshën shumë përpjekje që të nisja një jetë të re dhe gjithçka nga fillimi. Nisa të punoja si punëtore e Fabrikës së Qelqit e, më pas, me kalimin e viteve ndjeva peshën e atyre vuajtjeve të më vinin përfund. /Memorie.al/