Gjilani ka zyrtarizuar sot afrimin e mesfushorit 28-vjeçar Ennur Totre, duke e bërë atë përforcimin më të fundit të skuadrës kuqebardhë në këtë afat kalimtar.

Totre vjen nga ekipi turk Sakaryaspor, ku luajti gjatë edicionit të fundit në Ligën e Dytë. Gjatë karrierës së tij ai ka pasur eksperienca edhe në Ukrainë me Vorskla Poltava, në elitën e futbollit shqiptar me Tiranën, si dhe është rritur dhe spikatur te Shkëndija e Tetovës.


Mesfushori ka gjithashtu dy paraqitje me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, duke sjellë përvojë ndërkombëtare në mesin e Gjilanit.

Ky transferim i shtohet listës së gjatë të përforcimeve që klubi ka bërë këtë verë, përfshirë emra si Vokli Laroshi, Besart Krivanjeva, Mevlan Adili, Lorik Boshnjaku, Mario Zebiq, Astrit Thaqi dhe Redi Kasa.

Gjilani do ta nisë sezonin e ri në Superligën e Kosovës këtë të hënë, kur nga ora 16:30 pret në shtëpi kampionin aktual, Ballkanin – sfidë që pritet të tregojë ambiciet e vërteta të gjilanasve. /Telegrafi/

telegrafi sport app