Kujtesë: Vigjilencë maksimale për shëndetin e Enver Hoxhës

Sinjali kishte shkuar rrufeshëm tek mjekët dhe ndihmësmjekët e rojës, tek shefi i Sigurimit, si dhe tek të gjithë ata që ishin në gatishmëri për një rast të tillë. Situata ishte tepër e rëndë, përderisa në një kohë rekord, në Vilën nr 31, ku banonte Enver Hoxha, mbërritën: grupi i mjekëve ekspertë që ndiqnin ecurinë e shëndetit të tij prej më shumë se 12 vitesh, por dhe shoqëruesit e tjerë që përgjigjeshin drejtpërsëdrejti për mbarëvajtjen e jetës, shkruan Shekulli.
Sulo Gradeci përshkruan: “Mjekët po bënin përpjekjet më heroike, të pandërprera, të papërshkruara, për t’i dhënë drejtimin e duhur luftës midis jetës dhe vdekjes. Kishte ndonjë çast kur dukej sikur po arrihej ndonjë përmirësim, por, pastaj papritur rrëzohej gjithçka. Kaluan kështu orë të tëra të një tensioni të patreguar. Vetëm rrahjet e zemrës së tij dëgjoheshin me një tingëllim torturues. Kështu na gjeti ajo orë e hidhur e 11 prillit 1985. Nga kabineti dëgjoheshin vajet e shoqes Nexhmije, të fëmijëve, të motrave. Sakaq u dha te shkallët shoku Ramiz Alia. Kaq e kaq herë e kishim parë të tronditur e të shqetësuar sa më s’ka, por këtë radhë ai nuk përmbahej më”.
Sulo Gradeci kujton se Hysni Kapo, më shumë se 50 vjet më parë, në zyrë tij i ka thënë: “Partia ka menduar të të ngarkojë një detyrë të rëndësishme e delikate…”! Dhe, Sulo ka treguar gatishmërinë e plotë për të siguruar jetën e Enver Hoxhës, duke u shprehur pas vitesh se një gjë e tillë ishte ëndrra e tij e vjetër. Që prej asaj kohe, ai u vu në krye të shërbimit që përgjigjej drejtpërsëdrejti për jetën e numrit një të shtetit shqiptar. Dhe, këtë detyrë e ka kryer më së miri për 30 vjet më radhë.
Sulo Gradeci perifrazon: “Ishin një sërë rrethanash që gjatë viteve ’60 ne nuk e ‘shihnim’ sëmundjen e tij. Ishte ditë e natë në punë, i shëndetshëm, me një organizëm të mrekullueshëm, me një forcë të habitshme për të përballuar ngarkesa të mëdha”.
Deri në fillim të viteve ’70, Enver Hoxha njihej si një konsumues i rregullt i cigareve. Megjithë kërkesën dhe presionet që i bëheshin nga ana e ekipit mjekësor, Enver Hoxha dukej se nuk kishte ndërmend ta linte këtë zakon të vjetër.
“Në vitet e luftës, kur ndodhej i rrethuar mes maleve, ai ka pirë gjethe fiku në mungesë të duhanit. Por, ndër ata që këmbëngulnin më tepër për ta lënë duhanin ishte edhe shoku e miku i tij i fëmijërisë, profesor Fejzi Hoxha. Dhe, pas shumë përpjekjesh, një ditë shoku Enver vendosi që të mos e ndezë më”, kujton Sulo Gradeci.
Duke pasur një kujdes rigoroz, shërbimi pranë Enver Hoxhës ka mundur të çojë jetën e tij pa probleme shqetësuese deri në tetor të vitit 1973. Pikërisht gjatë këtij muaji, kur sapo kishin përfunduar pritjet festive me rastin e 65- vjetorit të lindjes, Enver Hoxhës iu shfaq një kolaps i rëndë. Mjekët ekspertë diagnostikuan me shpejtësi: infarkt i miokardit.
Pikërisht pas kësaj situate, u vendos që për gjendjen e shëndetit problematik të Enver Hoxhës të kujdesej një grup mjekësh të përbërë nga: Fejzi Hoxha, Petrit Gaçe, Isuf Kalo, si dhe Nikolla Shurbani, Ylli Popa, Ahmet Kamberi, Hajro Shyti, Panajot Boga, Arben Fino, Gjergji Cepa, Ylli Shtylla, Bajram Preza, Skënder Sinoymeri, Xhavit Gjata etj.
Pas infarktit të vitit 1973, jeta e Enver Hoxhës ka qenë vazhdimisht në rrezik. Një gjë e tillë konfirmohet dhe nga ish-shefi i Sigurimit, Sulo Gradeci. Në këto kushte problematike për shëndetin Sekretarit të Parë, Komiteti Qendror jo vetëm ka miratuar krijimin e një grupi pune me mjekë specialistë, por nga strukturat përkatëse është vendosur që të ketë edhe një shërbim mjekësor roje - prej 24 orësh.
Fillimisht grupi i mjekëve është vendosur shumë afër Vilës nr. 4, pranë Pallatit të Brigadave në Sauk, ku banonte përkohësisht Enver Hoxha dhe familja e tij (pasi në ato kohë ishte marrë vendimi për ngritjen e shtëpisë së tij të re në qendër të Bllokut). Sulo Gradeci kujton se grupi i mjekëve, gjatë kësaj periudhe të tensionuar, u vendos pikërisht në ambientet e Shkollës së Ministrisë së Brendshme. Në këtë mënyrë, për çdo rast të ngjashëm, apo dhe për forma më të lehta të shfaqjes së sëmundjes, ata do të ishin të gatshëm pranë shtratit të Enver Hoxhës, vetëm në pak sekonda nga marrja e lajmërimit. Ndërkohë, njëri nga mjekët bënte shërbimin e rojës fare pranë Enver Hoxhës, në dhomën përbri. Ndërsa, kur Vila e re në mes të Bllokut, e pagëzuar me numrin 31, u inaugurua më në fund, grupi i mjekëve roje u vendosën gjithashtu po shumë afër shtëpisë, në fund të lulishtes, ku ishte një godinë enkas për shërbimin mjekësor.
Më 7 shkurt 1984, Enver Hoxha lajmërohet për vdekjen e Myslym Pezës. Më 16 shkurt të po këtij viti, ai kalon një situatë tepër të vështirë shëndetësore. Këtë situatë Sulo Gradeci, në ditarin e tij e përshkruan: “Në ecje e sipër mora vesh se shoku Enver kishte pësuar një goditje cerebrale dhe kjo na ra si rrufe. Falë organizimit shumë të mirë shëndetësor, sidomos të ndihmës së parë e të shpejtë, mjekët e caktuar u dhanë në hyrje të shtëpisë. Pasi u sigurova se mjekët Isuf Kalo, Ahmet Kamberi, Sabit Brokaj e ndihmësmjekët Fari Bufi e Edmond Jorganxhiu ishin ngjitur lart, nisëm Myslymin tek Ylli Popa, pastaj tek prof. Bajram Preza e Fejzi Hoxha, si dhe te Ajli Alushani. Me ndihmën e shpejtë e të kualifikuar, që po i jepnin shokut Enver, nuk kishin ndonjë parandjenjë të keqe. Kishim vite të tëra që ia kishin frikën një gjëje të tillë, por shoku Enver nuk pranonte mjekë në shtëpi në kohë normale. Si të thuash, detyrën e ‘mjekut roje’ brenda në shtëpi për vite të tëra e mbulonte shoqja Nexhmije, gjatë 24 orëve. Ashtu si kurdoherë, edhe këtë të enjte, kur pa se kaloi ora e zgjimit nga pushimi i drekës dhe nuk po i binte ziles, ajo hyri në dhomë ta zgjonte dhe e gjeti keq. Për fat të mirë, në saje të masave që ishin marrë prej kohësh, u ndodhën gati mjekët e medikamentet e domosdoshme për përballimin e goditjes”.
Sulo Gradeci shkruan se një ditë më vonë, më 17 shkurt 1984, Enver Hoxha u bë më mirë duke e kaluar situatën. Ndërsa në 23 mars të po këtij viti, pas një mungese prej 37 ditësh, ai u përgatit për të shkuar në zyrën e tij të punës. Ndërsa, më 8 prill 1984, Enver Hoxha ka preferuar që të bëjë një shëtitje me makinë nëpër rrugët e Tiranës.
Ish shefi i Sigurimit, shpjegon me detaje pjesë nga jeta dhe zakonet e Sekretarit të Parë. Kështu, për shembull, Enver Hoxha kishte zakon që të zgjohej herët dhe gjëja e parë që kërkonte ishte kafeja apo qumështi, si dhe shtypi i ditës. Më pas vinte tualeti e pastaj mëngjesi. Sipas përshkrimeve të Gradecit, Enver Hoxha e kishte zakon që mëngjesin ta hante vetëm e me shpejtësi, ndërsa gjatë kësaj kohe makina duhej të ishte bërë gati, pasi ai shfaqej menjëherë në derën e jashtme i gatshëm për të shkuar në zyrën e tij, në KQ. Ndërsa, drekën Enver Hoxha e hante me gjithë familjen, ku futeshin nëna Aneja, motra Sano dhe bashkëshortja Nexhmije. Kurse, darkën e hante bashkërisht edhe me fëmijët: Ilirin, Sokolin dhe Pranverën. Ndërsa, kur të tre fëmijët u martuan, Enver Hoxha preferonte të ishte gjatë darkës me të gjithë familjen e tij. Të dielave dhe në rastet e festave familjare apo zyrtare, Enver Hoxha kërkonte që në tryezën e ngrënies të ishin të pranishëm të gjithë, deri tek nipërit dhe mbesat.
“Lidhur me situatën e krijuar në shëndetin e Enver Hoxhës, Komiteti Qendror dhe qeveria shqiptare morën edhe një sërë masash të tjera. Kështu, për shembull, në Shqipëri erdhi një ekip prej 11 mjekësh kinezë, të specialiteteve të ndryshme, të kryesuar nga profesori Çu. Por, u bashkëpunua edhe me një ekip francez ku u angazhua profesor Miliezi. Pikërisht ky ekip do të ishte i gatshëm pothuaj deri në fund të jetës së Enver Hoxhës. Gjithsesi, të dy këto ekipe, kinezë apo francezë, bashkëpunuan ngushtë me mjekët shqiptarë”, thotë Sulo Gradeci.
Sulo Gradeci kujton se një varg masash u morën menjëherë nga KQ e nga qeveria.
“Plotësimi i këtyre kërkesave fillonte që me blerjen e aparaturave dhe medikamenteve. Porosia e Hysni Kapos ishte që asgjë nuk duhej të mungonte. Bashkëpunimi i parë u bë me Pavllo Milon, drejtorin e Klinikës Speciale, ku u siguruan një sërë aparaturash bashkëkohore”.
Sulo Gradeci kujton se që prej atakut të parë të vitit 1973, Enver Hoxha ka kaluar disa probleme shëndetësore me zemrën e tij.
“Kështu ndodhi për shembull në 26 maj 1984. Atë pasdite, rreth orës 15.30, njoftohemi se ishte dhënë sinjali për grumbullimin urgjent. Ky ishte sinjali më alarmant, kur ndodhte diçka e rëndë. Diçka e keqe po ndodhte me zemrën e komandantit”.
Gjithsesi, në shërbim të afërt të Enver Hoxhës ishte vënë edhe një makinë me një mjek dhe mjetet e nevojshme për të përballuar çdo situatë të mundshme. Kjo makinë qëndronte poshtë zyrës së Enver Hoxhës, në KQ. Por, dhe nëse Enveri lëvizte, makina ambulancë duhej të ishte në dispozicion të tij. Gjithashtu Gradeci thotë se “përveç ndjenjës së lartë të dashurisë e gatishmërisë, detyrat që na takonin ishin: rritja e vigjilencës, forcimi i bashkëveprimit midis mjekut, infermieres, punëtores, rojës, gjer në përsosmëri”. /Telegrafi/









































