LAJMI I FUNDIT:

Emra që nuk harrohen: Kontributi i Ymrije Beqajt, në edukim dhe në artin muzikor shqiptar

Emra që nuk harrohen: Kontributi i Ymrije Beqajt, në edukim dhe në artin muzikor shqiptar

Nga: Demir Reshiti

Këngëtarja dhe mësuesja e mirënjohur Ymrije Beqaj, këto ditë ka kremtuar ditëlindjen e saj të 65-të. Me repertorin e saj të pasur, sidomos në vijën melodike të traditës dhe origjinës së saj opojane, ajo ka arritur të prezantojë vlerat e njëmendta të kulturës shqiptare, të cilat ruhen edhe sot në fonotekën e Radiotelevizionit të Kosovës.


Lindi në Prizren, më 3 shkurt 1955. Shkollën fillore dhe Normalen i ka kryer në Prizren, ndërsa Pedagogjinë në qytetin e lindjes dhe në Gjilan. Ka punuar si mësuese në Vërmicë e Prizren, dhe një kohë edhe si udhëheqëse e disa emisioneve të Radio Prizrenit. Në vitin 1982 është transferuar në Prishtinë, ku ka punuar fillimisht si zëvendësuese nëpër disa shkolla, ndërsa nga viti 1987 e deri në pensionim (3 shkurt 2020), si mësuese në Shkollën Fillore “Dardania”.

Qysh si fëmijë ka pasur interesim për muzikën, e sidomos për këngët popullore. Këtë e ka vërejtur babai i saj Shyqriu i cili e ka nxitur akoma më shumë që ta dojë këngën. Ymrijes i kujtohet se shpeshherë babai që e përcillte me rrahje shuplakash, teksa ajo këndonte,. Ndërsa, në shkollën fillore “Emin Duraku”, talentin e saj e vëren mësuesja Vera Zivgareviq e cila e merr në korin e shkollës.

Pas shkollës fillore regjistrohet në shkollën normale “Dimitrije Tucoviq” ku për herë të parë, si nxënëse e vitit të parë, paraqitet si soliste. Prezantimin e parë ia ka bërë vëllai Faiku (tashmë i ndjerë), i cili atë kohë ishte në vitin e pestë të Normales. Më pas angazhohet në SHKA “Emin Duraku” të Zhurit dhe në Shoqërinë “Agimi” të Prizrenit. E, më vonë, nga kryetari i Ansamblit “Shota”, Sylejman Shala, merr ftesë që të kalojë aty si profesioniste (këngëtare e valltare).

Në vitin 1972 paraqitet në festivalin “Kosovarja këndon”, ku nga juria vlerësohet me vendin e dytë. Në vitin 1973 debuton në “Akordet e Kosovës” me këngën “Gocat e Kosovës” të kompozitorit Hysen Badivuku, ndërsa në vitin 1976, në po këtë festival, me këngën “Dashuri dhe lot” të Kadri Hysniut.

Janë rreth 20 këngë nga repertori i saj të incizuara nga produksioni i RTP-së si dhe një numër i konsideruar tjerash gjatë paraqitjeve me shoqëritë amatore. Ndër këngët më të dëgjuara (që dëgjohen edhe sot), janë: “Vet më the të due” dhe “Ku ke Rushe”, ndërsa kënga më e dashur për të mbetët  “Vajzë e vogël”!

Gjatë viteve 1971-1979 ishte pesë herë në Shqipëri si këngëtare, valltare, moderatore, qitëse (ishte edhe pjesëtare e Shoqatës së Shenjëtarisë së Kosovës)! Në vitin 1979, bashkë me dhjetë këngëtarë të RTP-së – Nexhmije Pagarusha, Liljana Çavolli, Shahindere Berlajolli, Sabri Fejzullahu, Bashkim Paquku, Shpresa Gashi… (Ymrija ishte më e reja) – shkojnë në një turne njëmujor në Shqipëri ku prezantohen me disa koncerte.

Ymrija, edhe gjatë punës së saj si mësuese në shkollën “Dardania” në Prishtinë, ka edukuar e arsimuar disa breza të nxënësve të cilët krenohen që e kanë pasur mësuese!  Shumë mesazhe urimi e falënderimi janë nisur në adresë të saj me rastin e pensionimit nga ish-nxënës, nxënës e kolegë të saj të punës të cilët e vlerësojnë lartë punën dhe angazhimin e dhënë në edukimin e brezave të rinj. E kanë quajtur “mësuese hyjneshë e dijes dhe bukurisë”, “mësuese e mirë që inspiron shpresën, nxit imagjinatën, dhe injekton dëshirën për të mësuar”, “mësuese më e mira në aspektin e kulturës, gjuhës, sjelljeve…” etj.