Emily Blunt magjeps me pamjen e re në xhirimet e “The Devil Wears Prada 2”: Nga brune në të kuqe flakë në një rol që rikthehet pas 20 vitesh

Emily Blunt ka befasuar me një ndryshim tërësisht të ri në pamjen e saj, teksa u shfaq për herë të parë në sheshxhirimin e vazhdimit të filmit kult “The Devil Wears Prada 2”.
Aktorja britanike 42-vjeçare u pa në West Side të Manhattanit me flokë të ngjyrosur në një nuancë të kuqe, duke lënë pas ngjyrën klasike kafe të rolit të saj ikonik si Emily Charlton.
E veshur me një kombinim modern të firmës Dior dhe me këpucë elegante të zgjedhura nga stilistja Molly Rogers, Emily dukej si gjithmonë elegante dhe e vendosur në rolin e asistentes së lartë në revistën imagjinare Runway. Rogers është tashmë në krye të kostumeve për filmin, duke pasuar legjendën Patricia Field, shkruan DailyMail.
Vazhdimi i filmit mbështetet në librin “Revenge Wears Prada: The Devil Returns”, dhe sjell një histori të re me Emily-n dhe Andy Sachs (Anne Hathaway) që drejtojnë një revistë dasmash, ndërsa Miranda Priestly (Meryl Streep) kthehet në skenë për ta blerë atë. Konfliktet dhe rivalitetet janë të pashmangshme në një botë mode që po përballet me sfidat e reja të epokës digjitale.
Në set është parë edhe Stanley Tucci si Nigel Kipling, ndërsa kastit i janë shtuar emra si Justin Theroux, Kenneth Branagh, Lucy Liu dhe Pauline Chalamet.
Filmi pritet të dalë më 1 maj 2026, duke përkthyer kështu një pritje gati 20-vjeçare për adhuruesit.
Ndërkohë, Blunt ka zbuluar se bashkëshorti i saj John Krasinski dhe vajzat e tyre janë të entuziazmuara për rikthimin e saj në këtë univers mode.
Ajo nuk e përjashton mundësinë që Krasinski të shfaqet në një paraqitje të shkurtë në film, ndërsa vajzat janë të ngazëllyera për të parë “Mary Schmoppins” në “The Devil Wears Prada”.
Ky rikthim premton të jetë një eksplorim i ri i botës së luksit, egos dhe rivalitetit në modë – me një Emily Blunt që jo vetëm ka ndryshuar ngjyrën e flokëve, por edhe energjinë që sjell me vete në këtë kapitull të ri. /Telegrafi/
































































