LAJMI I FUNDIT:

Elon Musku mund të kërkojë llogari nga OpenAI-ja – ndryshe nga bordi i saj

Elon Musku mund të kërkojë llogari nga OpenAI-ja – ndryshe nga bordi i saj

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Paditësi është në situatë konfliktuale. Argumentet ligjore duken të dobëta. Dhe, në disa raste, padia prej 35 faqeve që Elon Musku javën e kaluar shtroi në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, kundër OpenAI-së, tingëllon si mishmash mes skenarit të një filmi fantastiko-shkencor dhe një letre të një dashnori të dëshpëruar. Por, parashtrimi i Muskut se OpenAI-ja ka shkelur statutin e saj themeltar dhe se rrezikon njerëzimin duke i dhënë përparësi fitimit mbi sigurinë, mund të kthehet në lëvizjen më thelbësore për të shqyrtuar përpjekjet e kompanisë për të zhvilluar inteligjencën e përgjithshme artificiale [AGI].


Që nga lëshimi i çetbotit të ChatGPT-së, që mahniti të gjithë në nëntor të vitit 2022, OpenAI është shfaqur si startapi më i atraktiv në botë, me më shumë se 100 milionë përdorues në javë. FT muajin e kaluar raportoi se OpenAI-ja i kishte tejkaluar të ardhurat në bazë vjetore në vlerën prej dy miliardë dollarëve [1.83 miliard euro] dhe se vlerësimi në tregun privat shkoi në më shumë se 80 miliardë dollarë [73.2 miliard euro]. Kompania ka tërhequr 13 miliardë dollarë investime nga Microsoft-i, ndërsa investitorët e tjerë, duke përfshirë fondin e gjigantit Temasek të Singaporit, po konsiderojnë që ta mbështesin atë.

Megjithatë, OpenAI-ja nuk filloi si projekt shumë tërheqës në vitin 2015. Siç thuhet në padinë e Muskut, OpenAI u themelua si laborator kërkimor jofitimprurës, me misionin për të zhvilluar AGI-në – një formë e përgjithshme e AI-së [inteligjencës artificiale] që në shumicën e fushave i tejkalon aftësitë njerëzore – për të mirën publike. I alarmuar nga dominimi i Google-it në fushën e AI-së dhe rreziqet e mundshme ekzistenciale të AGI-së, Musk u bashkua me Sam Altmanit, atëherë president i Y Combinator, për të krijuar një lloj tjetër të organizatës kërkimore “të lirë nga detyrimet financiare”. “Detyra jonë kryesore është ndaj njerëzimit”, thanë nga kompania. Për këtë qëllim, premtoi të ndajë me të tjerët planet, modelet dhe kodin.

Sipas padisë, Musku siguroi pjesën më të madhe të financimit të hershëm të OpenAI-së, duke kontribuar me më shumë se 44 milionë dollarë midis viteve 2016 dhe 2020. Por, entiteti jofitimprurës e kishte të vështirë të konkurronte me talentin e Google DeepMind-it me xhepa të thellë, i cili gjithashtu synonte të arrinte AGI-në. Fuqia e jashtëzakonshme informatike e nevojshme për të zhvilluar modelet gjeneruese të teknologjisë më të avancuar artificiale, gjithashtu e futi OpenAI-në në vorbullën e resë [cloud] të provajderit informatik – Microsoft.

Ky presion i fortë tregtar çoi në krijimin e një entiteti fitimprurës OpenAI dhe më vonë, në vitin 2023, në ndezjen e “marrëveshjes së themelimit” duke pranuar, sipas padisë, investimin masiv të Microsoft-it. OpenAI u shndërrua “de facto në një degë me burim të mbyllur nga kompania më e madhe e teknologjisë në botë”. Modeli i tij kryesor GPT-4 u përfshi gjithashtu në shërbimet e Microsoft-it, duke i shërbyer kryesisht interesave komerciale të kompanisë gjigante. Përpjekja e dështuar e bordit të OpenAI-së për të zëvendësuar Altmanin si shef ekzekutiv gjatë vitit të kaluar, të paktën pjesërisht pasqyroi tensionet midis qëllimit bazik të themelimit të kompanisë dhe qëllimit të ri të fitimit të parave.

Natyrisht, OpenAI e kundërshton versionin e ngjarjeve të Muskut dhe ka lëvizur për të hedhur poshtë pretendimet e tij ligjore. Në një postim në blog, argumentohet se Musku e kishte mbështetur lëvizjen e OpenAI-së për të krijuar një entitet të biznesit fitimprurës dhe se madje kishte dashur ta bashkonte kompaninë në biznesin e tij të makinave Tesla. Për të konkurruar me OpenAI-në, Musku që atëherë ka nisur kompaninë e tij të AI-së, xAI, ndërsa ka tentuar të marrë disa nga shkencëtarët e saj. “Është e mundur që Musku është thjesht duke e përdorur teknologjinë e re duke krijuar kaos në treg”, thanë nga Qendra për Politikat e AI-së.

Por, Musku e ka një rast të fortë moral, nëse jo ligjor. Nëse OpenAI do të ishte në gjendje të evoluonte nga një organizatë e mbrojtur jofitimprurëse që gëzon status bamirësie, në një ndërmarrje fitimprurëse, atëherë të gjitha bizneset fillestare do të ndërtoheshin në këtë mënyrë. Dhe, siç tregoi fiaskoja për shkarkimin dhe ripunësimin e Altmanit, bordi i OpenAI-së nuk mund të llogaritet se ofron mbikëqyrje të fuqishme.

Shpejtë po mbaron koha për të krijuar regjime efektive të qeverisjes për kompanitë e fuqishme të AI-së. Këtë javë, Anthropic, i udhëhequr nga studiuesit që u ndanë nga OpenAI-ja më 2021, e lansoi modelin e tij Claude 3 për të cilin disa përdorues sugjerojnë se e tejkalon GPT-4-shin. “Mendoj se AGI tashmë është këtu”, më tha javën e kaluar Blaise Agüera y Arcas, shkencëtari kryesor në Google AI. Kjo arritje mund të gjenerojë vlerë të madhe, por gjithashtu të paraqesë rreziqe të konsiderueshme, argumentoi ai në një ese të shkruar bashkë me Peter Norvigun.

Rregullatorët aktualisht po hetojnë implikimet e konkurrencës të lidhjes së Microsoft-it me OpenAI-në. Por, duket se nuk po shkojnë askund premtimet e administratës amerikane për të krijuar një Instituti të Sigurisë së AI-së, për të monitoruar kompanitë kryesore. Disa mund ta hedhin poshtë grindjen midis Muskut dhe Altmanit si betejë të lodhshme ligjore midis vëllezërve miliarderë të teknologjisë. Por, pavarësisht nga motivet, Musku po e kryen një shërbim publik për të kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga OpenAI-ja. /Telegrafi/