LAJMI I FUNDIT:

Elefanti në dhomë është më i madh seç duket!

Elefanti në dhomë është më i madh seç duket!

Në filmin autobiografik “The Glorias” (ua rekomandoj ta shihni), Gloria Steinem – e njohur si udhëheqëse dhe zëdhënëse e lëvizjes feministe në të ‘60-at e shekullit XX në ShBA – citohet të ketë thënë: “Nisëm t’i rrisim vajzat pak a shumë sikurse djemtë, por të paktë janë ata që e kanë guximin t’i rrisin djemtë sikurse vajzat”.

Jam nënë e një djali që sapo ka nis periudhën e adoleshencës. Megjithëse e konsideroj veten për person të guximshëm, kur djali im një herë më kërkoi t’ia blija një bluzë ngjyrë rozë – meqë në të ishte karakteri i një seriali të cilin ai e pëlqente – me mjeshtri ia ndërrova mendjen që ta zgjidhte të kaltrën. Këtë e bëra pa ia ngarkuar stereotipat gjinorë të ngjyrave dhe nga frika se mund ta tallnin në shkollë, pra se mund ta pësojë nga bulizmi.


Duhet të jemi të sinqertë me veten, së pari kur kërkojmë llogari nga shkolla, nga institucionet apo nga shteti (dhe të kuptojmë se asnjëherë nuk kërkojmë llogari nga vetja). Sa prej jush që keni fëmijë të të dy gjinive, i rritni ata me standarde të njëjta?! Sa prej jush gëzoheni, njësoj, kur djali nis shoqërimin me një vajzë ashtu edhe kur vajza nis shoqërimin me një djalë?!  Sa prej jush investoni njësoj dhe insistoni që edhe djali edhe vajza të trajnohet në futboll apo në karate?! Sa prej jush jeni trashëgimtare të barabarta të pronës familjare?

Rasti i fundit – e që fatkeqësisht nuk do të jetë i fundit – i ngacmimit seksual të një vajze të mitur nga disa djem të mitur, nxiti reagime të shumta. Por, a duhej të ndodhte një rast kaq i rëndë që ne, si shoqëri, ta adresojmë atë që në anglisht njihet si “Elefanti në dhomë” (Elephant in the room – metaforë për një temë ose çështje për të cilën jemi të vetëdijshëm, por për të cilën askush nuk dëshiron ta flasë). Dhuna dhe ngacmimet ndaj grave dhe ndaj vajzave janë rezultat i shoqërisë sonë patriarkale. Madje, në shumë ambiente familjare dhuna është i vetmi mjet komunikimi. Dihet mirë që vajzat tona janë rritur me idenë se ngacmimet e djemve duhet injoruar dhe, në rastin më të keq, ato janë interpretuar si shenja “pëlqimi”, pra si diçka pozitive, ndaj rëndom janë heshtur. Ngacmimi seksual është pjesë përbërëse e kësaj shoqërie; është konstrukt shoqëror dhe kulturor i ngulitur thellë në dimensionet e gjinisë, seksualitetit dhe fuqisë. Sjelljet ngacmuese seksuale nuk ndodhin thjesht ngase djemve u mungojnë njohuritë, nga qëndrimet e tyre seksiste apo nga dëshirat e gabuara seksuale, por janë modeli që ua kemi servuar për ta shprehur pozicionin e tyre publik dhe privat.

Nuk është shpëtimi te futja e lëndës për “Edukim Seksual” në kurrikulën e arsimit parauniversitar – të cilën e shohin si shpëtim “liberalët” apo “radikalët fetarë”. Shpëtimin e shoh tek trajtimi i burimit të problemit; tek luftimi i patriarkatit. Fuqishëm besoj se veç me arritjen e një barazie gjinore, një herë e mirë do t’i jepnim fund “lojës së të fortit” – në të gjitha dimensionet – dhe se do të bëhemi shoqëri më e mirë duke nisur që herët me edukimin në familje.  Dihet mirë që fëmijët e të dy gjinive i rrisim me standarde të dyfishta apo, siç ka thënë Simone de Beauvoir, “vajzat i ngarkojmë me kufizime ndërkaq djemtë me kërkesa – dy disiplina njësoj të dëmshme”. Këtë asimetri gjinore ua ofrojmë edhe si model në familje, prandaj çështjen e fuqisë dhe seksualitetit djemtë e kësaj shoqërie nuk e zotërojnë as kur bëhen burra. Si rezultat i kësaj asimetrie gjinore shfaqen pastaj edhe ngacmimet seksuale në shkollë, në rrugë, në institucione etj.

Edukimi cilësor seksual – si në Finlandë dhe Estoni –  ka dëshmuar se nuk i stimulon marrëdhëniet e hershme seksuale. Madje, edukimi seksual cilësor (me mësimdhënës të përkushtuar e seriozë), ka dëshmuar se mund të çojë në “debutim” të mëvonshëm seksual dhe sjellje më të përgjegjshme seksuale. Pra, vendet e zhvilluara na tregojnë se edukimi seksual nuk i privon fëmijët nga “pafajësia” e tyre, por i bën më të informuar dhe më të përgjegjshëm. Studimet në disa vende evropiane kanë treguar se futja e edukatës seksuale në kurrikulë ka çuar në zvogëlim të shtatzënive dhe të aborteve adoleshente, rënie të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si dhe ka rritur besimin tek adoleshentët duke i shtyrë ata që të zhvillojnë marrëdhënie më të forta e më kuptimplota.

Por, përveç ngacmimit seksual, dhunës e bulizmit, fëmijët tanë  ballafaqohen edhe me dukuri të tjera po aq të dëmshme, sikurse duhani, alkooli, përdorimi i narkotikëve dhe shitja e tyre në oborre shkollash, mbajtje të mjeteve të rrezikshme të cilat kanë për rezultat dëmtimin e përhershëm të jetës së tyre … Elefanti në dhomë është më i madh se kaq!

Edukata seksuale apo edukata fetare nuk i trajton të gjitha këto dukuri të rrezikshme dhe, për më tepër, sikur nuk po ndjehemi komod me asnjërin term. Prandaj, duke filluar me edukimin e hershëm në shtëpi e në shkolla, arsimimit parauniversitar duhet t’i shtohet një disiplinë shumëdimensionale që do t’i ngërthente të gjitha këto në vete – sikurse praktikohet në shumë shtete demokratike me lëndën që quhet “Edukata shëndetësore”.

Në trend

Më shumë
Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Evropa
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Lajme
Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bundesliga
Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Lajme
Kalo në kategori