LAJMI I FUNDIT:

Ekstremizmi i dhunshëm fetar asnjëherë nuk ka qenë pjesë e shqiptarëve

Ekstremizmi i dhunshëm fetar asnjëherë nuk ka qenë pjesë e shqiptarëve

Kosova përgjatë këtyre 16 vjetëve të pasluftës, duket se ka qenë një fushë e lirë eksperimentimeve të ndryshme, në të cilën shumë qarqe dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë lëvruar dhe mbjellë fara të ndryshme me përmbajtje fetare, frytet e të cilave kemi filluar t`i vjelim dhe t`i hamë tani, ca më shumë e ca më pak, ndërsa shija e shumë prej tyre po na del të jetë bukur e ithët.

Ekstremizmi i dhunshëm fetar, për të cilin kemi filluar të flasim viteve të fundit, asnjëherë nuk ka qenë pjesë e shoqërisë kosovare dhe as shqiptare në përgjithësi. Shqiptarët, pa dallim feje, edhe në luftërat e tyre më të ashpra kundër okupatorëve, nuk kanë përdorur as hënën e as kryqin si simbol të tyre të rezistencës.


Ndryshe, ekstremizmi si fenomen nuk është diçka e panjohur në botën e sotme bashkëkohore. Për mos vigjilencën dhe për gabimet tona që ne i bëjmë, si udhëheqës fetar dhe shtetëror, ai ka filluar të marr përmasa edhe në botën e civilizuar perëndimore, i cili po që se vazhdon të jetë në rritje, pasojat do të jenë tragjike për të gjithë.

Në Kosovë si dhe më gjerë në rajon, gjithnjë po flitet për ekstremizmin fetar, por më së shumti të atyre që thirren në emër të Islamit, mirëpo, rrallëherë apo fare hiq, nuk përmendet edhe ekstremizmi i komuniteteve tjera fetare, i cili heshtazi është duke u rritur, ku më shumë e ku më pak.

Çfarë duhet të bëjmë, kush mund ta parandalojë atë, cilat janë hapat të cilët ne duhet t`i ndërmarrim në parandalimin e tij, janë pyetje të cilat kërkojnë përgjigje dhe veprime adekuate e konkrete nga të gjithë ne. Për të tilla pyetje realisht jemi shumë të vonuar.

Rolin kyç në parandalimin e urrejtjes dhe ruajtjes së vlerave të mirëfillta fetare në mesin tonë, si edhe kudo tjetër, e luajnë padyshim gjithë prijësit fetar të të gjitha komuniteteve pa dallim.

Ata, para së gjithash duhet të vetëdijesojnë qytetarët dhe besimtarët mbi të drejtën dhe lirinë fetare të çdo individi, duke mënjanuar dhe flakëruar çdo element grindës dhe acarues me ngjyrë fetare.

Me që i takojë komunitetit më të madh fetar në vend, dua të jem edhe vetëkritikë. Ne, gjatë këtyre viteve nuk e kemi kryer detyrën e duhur për çfarë kemi qenë përgjegjës. Një rol shumë më të madh në parandalimin e rrymave me ideologji të ngurtë dhe devijonte, pse jo edhe afetare, kryesuesit e udhëheqjes fetare në vendin tonë, po të ishin vigjilent dhe të vetëdijshëm në kohë, do të mund ta bënin punë shumë më efektive në këtë drejtim.

Gabimi i bërë deri më tani, duhet të jetë reflektim për një përgjegjësi tonën më të lartë në të ardhmen. Mjaftë kemi probleme tjera, prandaj ky fenomen më së paku i duhet vendit tonë dhe shoqërive në përgjithësi.

Fjala diskutuese në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga QKS, rreth parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm fetar në Kosovë, në prani të përfaqësuesit special të BE Samuel Zhbogar dhe Ministrit të Brendshëm Skender Hyseni.