Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se si rezultat i bashkëpunimit konsistent ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Bruksel, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Belgjika, në Shqipëri, të shtetasit S. H., 32 vjeç, të lindur në Elbasan.


“32-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë 'Arrest në burg', për veprat penale 'Vrasja me paramendim', mbetur në tentativë dhe kryer në kuadër të organizatës kriminale, dhe 'Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit', thuhet në njoftim. /Telegrafi/