LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët të shqetësuar me gjendjen në bujqësi, sivjet synohen 20 mijë hektarë më shumë grurë

Ekspertët të shqetësuar me gjendjen në bujqësi, sivjet synohen 20 mijë hektarë më shumë grurë

Këtë vit sipërfaqet e mbjella me grurë pritet të jenë rreth 20 mijë hektarë më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa, krahasuar me vitet e më hershme, sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë bujqësore janë përgjysmuar.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se kulturat bujqësore do të subvencionohen me një shumë prej rreth 25 milionë euro. Por ekspertë të bujqësisë, thonë se kjo fushë është lënë anash nga qeveritë e mëparshme dhe se bujqit janë demotivuar për t’u marrë me mbjellje të grurit.

Shefi divizionit të Prodhimtarisë Bimore dhe të Ujitjes, në Ministrinë e Bujqësisë, Bali Lestrani thotë se kanë marrë të gjitha masat për subvencionet e sivjetme.

“Masa mbështetëse e subvencionimit është për çdo vit, bëhet hartimi i programit por edhe këtë vit është njëjtë sikur vitin e kaluar dhe masa mbështetëse për të gjitha kulturat bujqësore që gjithsej përfshijnë 26 sektorë edhe këtë vit do të jetë me një masë mbështetëse me një shumë prej 25 milionë euro për të gjitha kulturat bujqësore”, thotë Lestrani për Ekonomia Online.

Sipas tij këtë vit janë planifikuar të mbillen 80 mijë hektarë për kulturat e lavërtarisë vjeshtore, ndërsa vitin e kaluar janë mbjellë vetëm 60 mijë hektarë, 20 mijë hektarë më pak, nga që janë planifikuar.

Fillon ekzekutimi i subvencioneve në vlerë prej rreth 11.9 milionë euro
Lexo po ashtu Fillon ekzekutimi i subvencioneve në vlerë prej rreth 11.9 milionë euro

“Zakonisht si edhe viteve të tjera planifikimet janë diku rreth 80 mijë hektar me kultura e lavërtarisë. Viti i kaluar ka qenë një vit kritik për fermerët në përgjithësi në Kosovë për shkak të kushteve klimatike që kanë qenë të disfavorshme për shkak të thatësirave dhe faktorëve të tjerë. Dhe nga planifikimi i viti të kaluar që kanë qenë 80 mijë hektarë të planifikuar me u mbjell, por janë realizuar diku 60 mijë do të thotë afër 20 mijë hektarë kanë qenë më pak. Ndërsa këtë vit po shpresojmë të mbillen 80 mijë hektarë në qoftë se kushtet do të jenë më të mira”, tregon ai.

Lestrani shtoi edhe pse janë bërë të gjitha përgatitjet për mbjellje vjeshtore, mbjelljet ende nuk kanë filluar për shkak të thatësirave.

“Për mbjelljet vjeshtore ende nuk janë bërë përgatitjet e duhura meqenëse sezoni i mbjelljes së kulturave e lavërtarisë në vjeshtë fillon me fazën e parë apo javën e parë të tetorit, por disa nga komunat që na kanë lajmëruar para përgatitjet veç kanë filluar”, shtoi ai.

Por, profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se trendi i sipërfaqeve kultivuese është në rënie si pasojë e demotivimit të fermerëve dhe qeveria e Kosovës bujqësinë duhet ta vë në prioritet.

“Në raport me periudhën tradicionale që kishin fermerët në Kosovë dhe në raport me sipërfaqet e mëdha kultivuese që përfshijnë te gruri ishte kulture strategjike dominuese ne krahasim me te gjitha kulturat e tjera të lavërtarisë. Trendi i sipërfaqeve kultivuese është në rënie arsyet kryesore janë demotivimet e fermerëve dhe unë konsideroj që qeveria e Kosovës duhet bujqësinë ta vejë në prioritet dhe jo vetëm me fjalë nëpër fushata zgjedhore por ajo të jetë realitet në praktikë në mënyrë që të shtojnë bruto prodhimin vendor”, thotë Rusinovci për Ekonomia Online.

Partitë politike, me oferta për subvencionim të pagës në sektorin privat
Lexo po ashtu Partitë politike, me oferta për subvencionim të pagës në sektorin privat

Sipas Rusinovcit nga të dhënat e terreneve si dhe Agjencionit të Statistikave, viti 2018-2019, ka shënuar rënie të eksportit, ndërsa në anën tjetër ka pasur rritje të importit.

“Treguesit nga Agjencioni i Statistikave tregojnë për një rënie të eksportit dhe për një rritje të importit, dukuri kjo që është e padëshirueshme sepse masa stimulative qofshin subvencionet gjithmonë jepen me një qëllim që të shtohet bruto prodhim vendor dhe të reduktohet importi. Unë konsideroj se ndodhemi në periudhën e plotë të muajit shtatorë kohë e cila të gjithë fermerët duhet të kenë një shkallë të mobilitetit të para përgatisin sipërfaqet për mbjelljet e grurit. Është fakt që sipërfaqet e kultivuara po na sjellin nga viti në vit trendi është në rënie dhe kjo situatë është për keqardhje për të gjithë fermerët tradicionalë që i kishte Kosova dhe për të gjitha praktikat e mira kultivuese që i kishim”, thotë ai.

Rusinovci shtoi se Fakulteti i Bujqësisë, Ministria e Bujqësisë dhe Instituti i Bujqësisë në Pejë të gjejnë një emërues të përbashkët në mënyrë që të barten sa më tepër mjete të reja teknologjike

“Nuk ka asnjë arsye që sot agronomi del dhe të ju thotë fermerëve se mbjellja, plehërimi janë të rëndësishme. Por ne duhet të sugjerojmë që kur ajo duhet të bëhet se cila është afati optimal, çfarë është doza optimale e ushqimit përkatësisht e plehërimit dhe sa është sasia optimale e farës për mbjellje dhe këto institucionet kredibile botërore po i quajnë transfere të reja teknologjike me qëllim të shtimit të prodhimtarisë për njësi sipërfaqësore”, shtoi ai.

Rusinovci thotë se vetëm me një bashkëpunim të ndërsjellë mund të përmirësohet gjendje dhe të rritet eksporti i produkteve bujqësore të cilat janë traditë e jona. /EO/