LAJMI I FUNDIT:

Ekonomiksi i futbollit dhe dështimi i UEFA-s

Ekonomiksi i futbollit dhe dështimi i UEFA-s

Një nga shkencat që po përfshin gjithnjë e më shumë fenomene shoqërore në studimin e impakteve të tyre në ekonomi apo në sjelljet individuale, është ekonomiksi. Sot flitet për ekonomiksin e shëndetit, ekonomiksin e drogës, ekonomiksin e mbipeshës, ekonomiksin e konflikteve, ekonomiksin e prostitucionit, ekonomiksin e sporteve deri tek ekonomiksi i kampionit botëror apo ai i kupave të UEFA-s.

Ekonomiksi i sporteve ka identifikuar lidhje me efekte pozitive të aktiviteteve sportive në ekonominë e vendeve apo qyteteve ku zhvillohen aktivitetet. Kjo ka nxitur një konkurrencë të ashpër, deri edhe korruptive për vendet apo qytetet që konkurrojnë për të drejtën e organizimit të evenimenteve të mëdha sportive në nivel botëror, evropian, aziatik, afrikan, latino-amerikan, në futboll, lojërat olimpike dhe sporteve të ndryshme.

Përgjithësisht, organizimi i ngjarjeve të tilla botërore përkëdhel krenarinë kombëtare, ndaj janë të mirëpritura nga publiku i vendeve organizatore. Ekonomiksi i sporteve njeh si impakt pozitiv të tyre rritjen e investimeve publike, hapjen e vendeve të punës, si dhe krijimin e një gjendjeje shpirtërore optimiste që jep efekte pozitive në ekonomi. Impakti kryesor synohet ai afatgjatë, ai pas aktiviteteve të tilla.

Në disa raste, pritshmëritë kanë qenë (shumë) më të mëdha edhe se efektet e përllogaritura me “studime të thelluara ekonometrike”, siç ishte rasti i Greqisë me Lojërat Olimpike në vitin 2004, ku kostot e organizimit u rritën ndjeshëm.

Në ndonjë rast, përfitimi – sidomos në imazhin ndërkombëtar – nga organizimi i ngjarjeve të mëdha sportive është dëmtuar nga fakti se vendet organizatore kanë pasur probleme me lirinë e medias apo liritë politike, siç ishte rasti i Lojërave Olimpike të Sochit në Rusi. Kritikat nga media ndërkombëtare dhe bojkoti nga shumë personaliteteve politike ndërkombëtare në inaugurimin e tyre e zbehin impaktin, edhe pse harxhohen miliarda për të deformuar realitetin.

Ka edhe raste si kampionati botëror “Brazil 2014”, ku kostot e mëdha të investimeve u mbuluan me rritjen e borxhit publik. Protestat kundër kostove të tejrritura të kampionatit botëror dëmtuan impaktin e pretenduar. Risku që kostoja e shtrenjtë do të detyronte në të ardhmen shkurtimin e investimeve dhe politikave sociale rrezikoi jo pak mandatin e dytë të Presidentes së sapozgjedhur.

Nga ky kontest global duhet të zbresim në realitetin tonë ballkanik. A është përdorur sporti për të rritur efektet pozitive në reduktimin e barrierave të bashkëpunimit ekonomik e politik për të ardhmen e përbashkët evropiane?

Për vendet e Ballkanit kjo mund të ishte më e lehtë pasi sportistë nga vende të ndryshme aktivizohen në ekipe europiane, ku ata edhe pse vijnë nga vende “armike”, kanë ndërtuar jo vetëm marrëdhënie profesionale shumë të mira, por miqësore. Ky mesazh pozitiv erdhi nga ekipi i Lacios, ku futbollistë kosovarë dhe serbë u bashkuan për të bërë apel kundër racizmit, për të bërë atë që nuk e bëri UEFA.

Kur gjykoi përgjegjësit e dështimit të ndeshjes Shqipëri-Serbi, UEFA mund t’i kishte mbajtur parasysh në vendimin e saj respektimin e gjetjet të ekonomiksit të sporteve, efektet pozitive afatgjata. A do të ndihmonte vendimi i saj për një klimë pozitive apo duke toleruar huliganizmin do të ushqente armiqësinë?

Sikur të mos mjaftonte historia e dhimbshme deri në fund të viteve 2000, pas ngjarjeve në stadiumin e Beogradit duket akoma aktuale thënia e Churchillit se Ballkani prodhon më shumë histori se sa konsumon.

Sfida e përbashkët e vendeve dhe kombeve të Ballkanit është të prodhojnë histori pozitive më shumë se sa konsumojnë, histori pozitive që lehtësojnë bashkëpunimin, që na largojnë nga e shkuara dhe na afrojnë me të ardhmen e përbashkët evropiane. Kultura, sporti, bashkëpunimi bilateral deri tani mbeten akoma burime të përdorura shumë pak për të prodhuar më shumë histori pozitive dhe bashkëpunim konkret.

UEFA me vendimin e saj nuk ndihmoi për të prodhuar më shumë histori pozitive, por e ushqeu historinë e vjetër të marrëdhënieve të mbingarkuara me urrejtje dhe armiqësi. Nga shumë analistë gjykohet se UEFA dështoi në misionin e saj. Me këtë dështim UEFA u “ballkanizua”, jo vetëm sepse nuk shpalli fajtore Serbinë, por sepse penalizoi edhe fajtorët, edhe të dëmtuarit; vendimi e ngriu dhe vështirësoi qoftë edhe përkohësisht bashkëpunimin midis tyre. Deklaratat dhe kundërdeklaratat deri në nivelet më të larta politike influencojnë jo pozitivisht bashkëpunimin midis dy vendeve.

Diplomacia sportive është një ndër mjetet më efikase për të afruar vendet, për të ulur tensionet, promovuar dhe përshfaqur një imazh pozitiv. Në këtë kontekst, historia ka shumë shembuj të suksesshëm, siç është ai i diplomacisë së pingpongut, i cili afroi Kinën me SHBA-të në vitet ‘70.

UEFA krijoi një precedent negativ, futbolli dhe politika serbe dështuan të përdornin pozitivisht ngjarjet sportive, që mund t’i bënin më sportivë edhe politikanët e ngurtësuar në llogoret “patriotike”.

Pritshmëritë – jo vetëm të shqiptarëve – ishin se gjykimi i UEFA-s do të “korrigjonte” këtë dështim, por sipas analistëve, drejtësia e “verbër” e hapi njërin sy dhe peshorja e saj padrejtësisht anoi në njërën anë, në anën e gabuar.

Edhe nga media ndërkombëtare UEFA po akuzohet se ka bërë biznes me misionin dhe vlerat e saj themelore. Pak rëndësi ka në qoftë se ka ndodhur për “ndere politike” apo përfitime financiare.

Ndoshta ripërsëritja e takimit, qoftë edhe në një fushë asnjanëse, qoftë edhe pa tifozë, mund t’i shërbente më mirë misionit të kulturës, sportit dhe të vetë UEFA-s. Ky vendim mund të ishte më i respektuar edhe nga opinioni publik jo vetëm shqiptar, edhe pse mund të mos ishte në përputhje me të drejtën tonë pas asaj që ndodhi në Beograd.

Ky dështim i UEFA-s i ka rritur zhgënjimet ndaj saj, duke përligjur akuzat se me sportin/futbollin po bëhet gjithnjë e më shumë bixhoz dhe gjithnjë e më pak kulturë dhe diplomaci pozitive.

(Marrë nga: Panorama)

Në trend

Më shumë
U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

Magazina
Ambasadori Martin Berishaj përfundon deklaratën në Speciale, deklarohet avokati Gashi

Ambasadori Martin Berishaj përfundon deklaratën në Speciale, deklarohet avokati Gashi

Lajme
“Ky ishte afati im”, Xabi Alonso konfirmon zyrtarisht vendimin për të ardhmen

“Ky ishte afati im”, Xabi Alonso konfirmon zyrtarisht vendimin për të ardhmen

Bundesliga
Deklarohet ministrja Gorçeviq, Mali i Zi do ta përkrahë në fazën finale anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Deklarohet ministrja Gorçeviq, Mali i Zi do ta përkrahë në fazën finale anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Sa është gjatësia mesatare e penisit tek meshkujt shqiptarë? Zbulohen statistikat

Sa është gjatësia mesatare e penisit tek meshkujt shqiptarë? Zbulohen statistikat

Shëndetësi
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Kalo në kategori