LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e tretë në botë në vështirësi

Ekonomia e tretë në botë në vështirësi

Banka e Japonisë i mbajti politikat monetare të pandryshuara gjatë takimit të Marsit, por ofroi një panoramë të zymtë për ekonominë dhe inflacionin duke treguar kështu se luhatjet globale mund të sjellin stimuj të tjerë në vend.

Dy muaj pasi Banka Qendrore e ekonomisë së tretë më të madhe në botë ndërmori një zhvendosje në norma negative, tregoi se do ti çojë më tej këto në territor negativ dhe të rrisë programin e blerjes së bonove në takimin e ardhshëm. Siç pritej gjerësisht, Banka e Japonisë e mbajti masën monetare në 80 trilionë jen, apo 700 miliardë dollarë dhe normën e interesit që i ngarkohet disa rezervave të institucioneve financiare në bankën qendrore në -0.1%.


“Ekonomia e Japonisë vazhdon të rimëkëmbet në mënyrë të moderuar, pavarësisht dobësive në eksporte dhe ngadalësimeve në ekonomitë e zhvilluara”, tha guvernatori i Haruhiko Kuroda pas takimit 2-ditor të politikave monetare, shkruan Telegrafi. Kjo ishte një pamje më e zymtë se ajo e Janarit, ku banka deklaroi se një rritje e eksporteve po nxiste ekonominë.

Banka e Japonisë uli gjithashtu poshtë pritshmëritë për inflacionin, duke pranuar se një nga kanalet kryesore të programit masiv stimulues nuk po funksionon ashtu siç shpresohej.

Sipas ekspertëve Banka e Japonisë po përpiqet shumë të reduktojë impaktin e normave negative të interesit në sektorin financiar, pasi bankat tregtare po mbajnë një qëndrim tejet kritik mbi politikën. Ulja e vlerësimit mbi ekonominë është një prelud për lehtësime të mëtejshme dhe pritet që Banka të shtojë stimujt përsëri në muajin prill. Bursat aziatike reaguan me rënie ndaj paraqitjes së perspektivës mbi ekonominë të Bankës së Japonisë, por valuta japoneze nuk pati luhatje ndërkohë që normat e interesit nuk ndryshuan. /Telegrafi/