LAJMI I FUNDIT:

Ekipet punuese ia dorëzojnë Thaçit propozimet për reformën zgjedhore (Dokument)

Ekipet punuese ia dorëzojnë Thaçit propozimet për reformën zgjedhore (Dokument)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot edhe zyrtarisht draft propozimet nga dy Ekipe punuese për Reformën Zgjedhore dhe atë Kushtetuese, që ka të bëjë me procesin zgjedhor.

Ekipet e përbëra nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në kuadër të Zyrës së Presidentit, dhe me përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Zyrat e Kryeministrit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Sekretariatit të Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe Përfaqësues të shoqërisë civile, tashmë kanë përfunduar punën e tyre.


Besim Kajtazi, Drejtor i Departamentit për Çështje Juridike në Presidencë, njëherësh koordinator i grupeve për reformën zgjedhore, ka konfirmuar për KosovaPress se tashmë draft propozimet janë dorëzuar.

“Ekipet e punës, pas takimeve paraprake kanë finalizuar pakon e akteve normative. Të gjitha propozimet e dhëna në këto versione të akteve normative, janë nxjerrë me një konsensus të plotë të anëtarëve të ekipeve”, ka shtuar ai.

Sipas Kajtazit, propozimet e nxjerra nga kjo punëtori, janë finalizuar nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare i Zyrës së Presidentit, të cilat iu kanë propozuar presidenti Thaçi.

Me iniciativë të presidentit Thaçi, reforma zgjedhore është rikthyer në agjendën institucionale.

Presidenti Thaçi më parë kishte kërkuar nga këta dy mekanizma që draftet e para të propozimeve të dërgohen më së largu më 20 dhjetor. Pas diskutimeve edhe me partitë politike propozimet pritet të shkojnë në Parlament për votim.