LAJMI I FUNDIT:

Efekti “TikTok”, mbi 15 nxënëse të dy shkollave në Fushë-Kosovë dyshohet se i kanë gërvishtur duart e tyre

Efekti “TikTok”, mbi 15 nxënëse të dy shkollave në Fushë-Kosovë dyshohet se i kanë gërvishtur duart e tyre

Dyshohet se mbi 15 nxënëse të shkollave fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë i kanë gërvishtur duart e tyre.

Sipas drejtorit të Arsimit të Komunës së Fushë-Kosovës, Fatlum Berisha, ata kanë identifikuar 17 raste të nxënëseve që i kanë shkaktuar këto plagë vetes pasi janë nxitur nga një video (lojë) që ka qarkulluar në “TikTok”, e ku shihen pamje të gërvishtjes së duarve.


Ai ka deklaruar se në të gjitha rastet janë të përfshira nxënëse të klasëve gjashtë, shtatë dhe tetë të dy shkollave të përmendura. Sipas tij, këto raste janë raportuar në Polici dhe nuk kanë ndodhur në objektet shkollore.

Në lidhje me këto raste, Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë të njoftuar, porse nuk kanë ndarë më shumë informata.

“Jemi të njoftuar dhe të gjitha informatat po i trajtojmë në koordinim me institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi, nuk ka qenë i qasshëm kur ekipi i KALLXO.com ka tentuar ta kontaktojë.

Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Fushë-Kosovë, ka thënë se fillimisht më 29.05.2024 janë identifikuar gjashtë raste të nxënëseve të shkollës “Mihal Grameno” që i kanë gërvishtur duart e tyre.

Sipas Berishës, drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, më 29.05.2024, e ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila e ka njoftuar më pas Qendrën për Punë Sociale dhe janë ftuar prindërit për intervistimin e nxënëseve në prani të tyre.

Ndërsa rastet e tjera janë zbuluar sot, më 30.05.2024, pasi Berisha u kishte rekomanduar të gjitha shkollave në Fushë-Kosovë që t’i kontrollojnë nxënësit.

Si rezultat i kësaj kontrolle në shkollat e Fushë-Kosovës, Berisha thotë se janë zbuluar edhe gjashtë raste në shkollën “Daut Bogujevci” dhe të tjera në shkollën “Mihal Grameno”.

Sipas tij, gjithsej 17 raste.

“Dje janë identifiku në shkollën “Mihal Grameno” gjashtë raste, ndërsa sot janë identifiku edhe shtatë, sepse në momentin që unë kam marrë informacion dje, unë kam dalë në terren menjëherë dhe sot në mëngjes unë kam rekomandu të gjitha shkollat në komunën e Fushë Kosovës – asnjë fëmijë të mos ta pranojnë në shkollë për pa e kontrollu dhe si rezultat i kontrollës që ka ndodhë sot, prej djeshit janë kanë vetëm gjashtë raste, sot i kemi identifiku 17 raste në përgjithësi”, ka deklaruar Berisha.

Berisha tha se kanë përdorur një praktikë që të mos shkaktojnë panik te nxënësit, duke u thënë atyre se do t’iu kontrollojmë për të parë gjendjen tuaj higjienike si e keni.

Ai ka shpjeguar se nxënëset këto gërvishtje i kanë në pjesë të duarve, shuplakës së duarve. Sipas Berishës, nxënëset kanë deklaruar se i kanë bërë lëndimet në duar me vetëdije si rezultat i një loje në “TikTok” që është duke qarkulluar.

“Gërvishtje të pjesëve të duarve, te pjesa e brendshme e duarve dhe shuplaka në pjesën e sipërme, në momentin që e kanë parë që janë këto gërvishtje të theksume, e kanë njoftuar stacionin policor, gjithashtu Qendrën për Punë Sociale dhe në prani të Qendrës për Punë Sociale dhe Policisë, gjithashtu edhe të prindërve fëmija e kanë pranu që këtë e kanë bërë me vetëdije si rezultat i një loje në “TikTok” që është duke qarkullu”, tha Berisha.

Berisha ka shpjeguar edhe lojën që pretendohet se po qarkullon në “TikTok” dhe në të cilën janë bazuar nxënëset për ta lënduar veten, sipas tij, me idenë që ta ndiejnë dhimbjen duke e nxjerrë atë në sipërfaqe, pra duke i shkaktuar plagë vetes.

“Sipas tyre, janë të shtyrë prej shoqja-shoqes d.m.th., ajo (loja) ekziston, nuk ka lojë që faktikisht e krijojnë këta, po ekziston përmes videove edhe thuhet që dhimbjen që e ke përbrenda nëse e gërvisht veten, dhimta del në sipërfaqe do të thotë janë si ide e këtyre, ne po e dimë që nuk janë të bazuara po ideja është që vjen sipas tyre, për nxjerrjen e dhimtes së brendisë në sipërfaqe”, ka shtuar Berisha.

Drejtori Berisha theksoi se këto raste të lëndimit të vetvetes nga nxënëset nuk kanë ndodhur në objektet shkollore.

“Zakonisht janë klasat 6 deri 9 dhe fatkeqsisht janë të gjitha vajza deri në këto momente që kanë shkaktu këtë lëndim trupor vetvetes. Po këtu vlen me u cekë që në objektet e shkollës nuk ka ndodhë asnjë rast, të gjitha këto veprime janë bërë prej nxënëseve në shtëpitë apo në lokalitetet e tjera, po sipas gjitha gjasave krejt janë bërë në shtëpi”, tha ai.

Se si është i informuar që nxënëset nuk e kanë lënduar veten në objekte shkollore, ai është mbështetur në informatat që ka nga Policia rreth deklarimit të nxënëseve.

“E kanë pranu fëmija, në intervistim asnjëri prej tyre nuk ka thënë që e kemi bërë në shkollë, disa video sipas Policisë që i kanë marrë, vërehen që i kanë publiku në “TikTok”, por janë ambiente shtëpie, nuk janë ambiente të shkollës”, theksoi Berisha.

Ai madje ka përmendur një rast specifik të një nxënëseje të klasës së gjashtë që kishte publikuar video në “TikTok”, sipas tij, duke e lënduar veten.

“Një prej vajzave, sipas Policisë, e ka publiku në “TikTok” videon duke i shkaktu lëndim vetes dhe kur i kanë hy me hulumtu se kah është, e ka pranu vajza, ka thënë po, këtë video e kam postu unë dhe unë jam kjo duke e lëndu veten”, ka thënë Berisha.

Ai tha se është takuar edhe me prindërit, të cilët, sipas tij, kanë qenë shumë të shqetësuar kur i kanë kuptuar këto raste për fëmijët e tyre dhe se nuk i kanë vërejtur lëndimet e tyre.

“Nuk i kanë parë, sepse realisht kanë ndejtë fëmijët me fanelë me mëngë të gjata dhe s’kanë mundur ta vërejnë. Kështu kanë thënë” – ka shtuar Berisha.

Drejtori i Arsimit po ashtu ka treguar se gjendja shëndetësore e nxënësve është stabile dhe se ata janë në shtëpi.

“Ka qenë prezente edhe Qendra e Mjekësisë Familjare, nuk ka asnjë fëmijë i cili rrezikon të ketë diçka”, tha ai.

Për shkak të identifikimit të këtyre rasteve në shkollën “Mihal Grameno”, drejtori i kësaj shkolle ka vendosur t’i shtyjë për një kohë disa aktivitete të shkollës që ishin planfikuar për datën 1 Qershor – Ditën e Fëmijëve, njoftoi Berisha.

Ai njoftoi po ashtu se më 31.05.2024, prej orës 17:00 i kanë ftuar të gjithë Këshillat e Prindërve të qytetit në takim, bashkë me Policinë e Kosovës, pasi vlerësoi se në fshatra të komunës së Fushë-Kosovës nuk kanë asnjë rast të lëndimit të ndonjë nxënësi të natyrës së tillë si në dy shkollat e qytetit.

Ndërsa, mësimi do të vazhdojë i rregullt në Fushë-Kosovë, sipas Berishës, pasi e kanë rritur gatishmërinë e mësimdhënësve për shkak të këtyre rasteve.

Rastet e nxënëseve të shkollës fillore të mesme të ulët “Daut Bogujevci” që kanë lënduar veten kanë alarmuar drejtorin, sekretarin dhe psikologen e shkollës.

Sabri Xhigoli, drejtor në shkollën “Daut Bogujevci”, ka thënë se në shkollën e tyre janë identifikuar gjashtë raste, prej tyre një nuk është cilësuar nga Policia se ka të bëjë me këto raste, pasi ishte vizatim i nxënëses në dorë.

Ai tha se në këto raste janë të përfshira nxënëse të klasëve gjashtë, shtatë dhe tetë. Duke u bazuar në deklaratat e nxënëseve, Xhigoli theksoi se rastet e lëndimit nuk kanë ndodhur në objektin shkollor.

“Krejt është vizatim, rasti nuk ka të bëjë me të edhe rasti u liru. Pra, një vizatim edhe katër gërvishtje. Gërvishtjet kryesisht janë në mes bërrylit edhe byzylykut në pjesën e brendshme. Sipas deklaratave të fëmijëve këto (raste) kanë ndodhë krejt jashtë shkollës” , është përgjigjur Xhigoli.

Për lëndimet e nxënëseve në duar, Xhigoli tha se ka prej tyre që supozohet se kanë ndodhë më herët, para 10 ditësh.

“Ka raste që kanë ndodhë brenda kësaj jave, ka raste që supozohet se kanë ndodhë edhe më herët, do të thotë para 10 ditë e këndej”, tha Xhigoli.

Ai i ka kontaktuar prindërit dhe i ka informuar për rastet e fëmijëve të tyre. Sipas tij, një pjesë e nxënëseve i janë kthyer procesit mësimor, ndërsa një pjesë e tyre janë marrë nga prindërit.

“Ato (nxënëset) një pjesë janë kthy në proces mësimor, një pjesë do të thotë i kanë marrë prindërit edhe varësisht qysh kanë dashtë vetë prindërit, do të thotë ne në atë pjesë nuk kemi ndërhy. Ata të cilët kanë dashtë t’i kthehen procesit mësimor, i kemi pranu në proces mësimor, normalisht që në vazhdimësi do të punohet me ta, psikologia e shkollës, prindër edhe gjithë akterët e tjerë”, tha ai.

Edhe në shkollën “Daut Bogujevci” më 31.05.2024 pritet të mbahet një mbledhje e Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, duke filluar nga ora 17:00, për t’i trajtuar rastet që kanë ndodhur.

“Nesër e kemi ftuar Këshillin e Prindërve të shkollës, do të thotë nga një prind përfaqësues nga secila paralele, do të jetë sekretari (i shkollës) me ta, do të jetë dikush nga DKA-ja, dikush nga Policia edhe do të bashkëbisedohet dukuria edhe që të mobilizohemi të gjithë që në njëfar mënyre të tejkalohet kjo farë krize edhe fëmijët të shmangen nga një shpërfaqje e tillë”, ka treguar Xhigoli. /KALLXO.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Arrestohet asambleisti i LVV-së në Prishtinë, ish-asistenti i kryeministrit Kurti

Arrestohet asambleisti i LVV-së në Prishtinë, ish-asistenti i kryeministrit Kurti

Prishtina
Vërshime të mëdha në Pejë, Muhaxheri thotë se situata është nën kontroll

Vërshime të mëdha në Pejë, Muhaxheri thotë se situata është nën kontroll

Komunat
Shi, shtrëngata dhe breshër – parashikimi i motit për këtë javë

Shi, shtrëngata dhe breshër – parashikimi i motit për këtë javë

Lajme
Çka fitojnë shqiptarët nga qeveria e re në Maqedoni të Veriut?

Çka fitojnë shqiptarët nga qeveria e re në Maqedoni të Veriut?

Politikë
Aksion i madh i Inspektoratit në disa qytete: Mbyllen 30 biznese të “muzikës live” dhe “qendrave të masazheve”

Aksion i madh i Inspektoratit në disa qytete: Mbyllen 30 biznese të “muzikës live” dhe “qendrave të masazheve”

Lajme
Trafikimi me qenie njerëzore, DASH del me rekomandime për Kosovën

Trafikimi me qenie njerëzore, DASH del me rekomandime për Kosovën

Lajme
Kalo në kategori