Pritja më në fund ka përfunduar. Pas një viti të trazuar, plot lëndime, minuta të pakta dhe rikuperim të gjatë, Edon Zhegrova do të nisë sonte titullar për Juventusin në ndeshjen vendimtare të Ligës së Kampionëve kundër Pafos FC.

Lajmi u konfirmua fillimisht nga Luciano Spalletti në “Sky”, ndërsa tashmë është zyrtarizuar edhe nga klubi.


Ky është starti i tij i parë që nga transferimi në Torino, një moment që tifozët bardhezinj e kanë kërkuar vazhdimisht dhe që më në fund po realizohet.

Paraqitja e fundit e Zhegrovës si titullar, në fakt, daton më 14 dhjetor 2024, në një ndeshje lige Lille - Marseille që përfundoi 1-1: ai luajti vetëm 45 minuta.

Sa ka luajtur Zhegrova deri tani për Juventusin?

Ylli i Kosovës ka kaluar një periudhë të vështirë që prej ardhjes së tij. Një pubalgji e zgjatur, e cila përfundimisht kërkoi ndërhyrje kirurgjikale, e kufizoi ndjeshëm në fushë.

Vetëm 100 minuta të luajtura deri më tani me Juventusin, me të gjitha paraqitjet që kanë qenë si zëvendësues, pa asnjë ndeshje të nisur titullar. Edhe fundi i aventurës së tij te Lille nuk shkoi mirë, pasi problemet fizike nisën që aty.

Spalletti e ka futur për ta shtuar cilësinë dhe shpërthimin në repartin ofensiv – dhe pikërisisht këtë do të synojë ta japë sonte.


Pozicioni në fushë dhe skema

Trajneri bardhezi ka vendosur ta aktivizojë Zhegrovën në krahun e djathtë të sulmit, në krah të Kenan Yıldız, ndërsa para tyre do të luajë një qendërsulmues klasik, si Jonathan David.

Pas muajsh zhgënjim, pritje dhe rikuperim, kjo është mundësia që Zhegrova ka kërkuar. Një start në një ndeshje të madhe si kjo, në Ligën e Kampionëve, mund të shënojë pikën e kthesës për karrierën e tij në Torino.

Tifozët e Juventusit e kanë pritur gjatë këtë moment – dhe sonte, në Allianz Stadium, Zhegrova më në fund do të ketë mundësinë të tregojë pse u ble. /Telegrafi/

telegrafi sport app