LAJMI I FUNDIT:

Edita Tahiri priti Baroneshën Ashton dhe Gjeneralin Jackson

Edita Tahiri priti Baroneshën Ashton dhe Gjeneralin Jackson

Ministrja Edita Tahiri ka pritur sot në një takim dreke ish-përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Baroneshën Catherine Ashton dhe ish-Gjeneralin e parë të KFOR-it në Kosovë, Sir Mike Jackson.

Ministrja Tahiri i falënderoi të dy këto personalitete për kontributin e tyre dhe të Britanisë së Madhe në të gjitha fazat e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke filluar me çlirimin në vitin 1999 e deri në konkretizimin e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.


Në këtë takim u evokuan kujtime të bashkëpunimit nga koha e hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe roli historik i Gjeneralit Jackson në vendosjen e trupave të KFOR-it në Kosovë, si një moment shumë i rëndësishëm në largimin e përhershëm të forcave serbe nga Kosova dhe ndaljen e gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Po ashtu u fol për rolin udhëheqës të znj. Ashton në dialogun e Brukselit për paqe, fqinjësi të mirë dhe integrime euroatlantike, proces ky që ka sjellë për herë të parë marrëveshje të nënshkruara në mes të dy shteteve dhe i cili ka mundësuar që Kosova të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në duke e nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe pasuar nga avancimi i raportit integrues me NATO-n.

Ministrja Tahiri me këtë rast tha se dy personalitetet kanë zënë vend të dinjitetshëm në historinë e re të Kosovës dhe kombit shqiptar.

Ministrja Edita Tahiri tha se Kosova do të mbetet e përkushtuar për vizionin euroatlantik të Kosovës, dhe po punojmë fuqishëm për ndërtimin e shtetit demokratik, të integruar në BE, NATO dhe OKB. Kosova po dëshmohet si faktor paqeje e stabiliteti në rajon dhe qëndron fuqishëm me aleancën amerikane dhe perëndimore në të gjitha sfidat globale të sigurisë, tha ajo, duke shtuar se Kosova përherë do të jetë e vendosur në anën e drejtë duke e fuqizuar edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA-të, Britaninë e Madhe, BE-në dhe NATO-n. /Telegrafi/