Ndërsa dhjetëra fëmijë të uritur qëndronin në një radhë të gjatë, secili me shpresën se do të merrte qoftë edhe një pjatë të vetme ushqimi, një punonjës ndihme në Gaza, i rraskapitur dhe i pafuqishëm përballë krizës humanitare, pa se tenxherja e fundit u zbraz.

Ai ngriti tenxheren bosh lart në ajër me dëshpërim të thellë, fytyra e tij e lodhur nuk mund t’i fshehte dot emocionet.


Me sytë e mbushur me lot, u përpoq të mos shpërthente në vaj, ndërsa shikonte sytë e fëmijëve që e shikonin plot pritshmëri dhe zhgënjim.

Ishte një moment i dhimbshëm që pasqyronte tragjedinë njerëzore që po ndodh përditë në Gaza – mungesa e ushqimit, vuajtjet e pafajshme dhe ndjenja e pafuqisë për të ndihmuar të gjithë.

Ndryshe, UNICEF dhe WFP ka njoftuar se 470 mijë persona po përjetojnë urinë katastrofale (IPC Faza 5), ndërsa e gjithë popullsia përballet me paqëndrueshmëri ushqimore akute (IPC Faza 3+).

Gjithsej 71 mijë fëmijë dhe mbi 17 mijë nëna po përballen me kequshqyerje të rëndë dhe kanë nevojë urgjente për trajtim. /Telegrafi/