ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh.

Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.


“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj”, bëri të ditur Gashi.


Ndryshe, Fatmir Sheholli u arrestua më 09 tetor 2025. Ai dyshohet se ka vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiq, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion rreth pronave, aktiviteteve biznesore dhe funksionimit të institucioneve në Kosovë.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se Sheholli ishte i rekrutuar nga BIA dhe kishte ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke marrë informacione që më pas i shpërndante edhe në media online në Kosovë. Ai ishte nën hetime nga gushti i vitit 2024 dhe ishte edhe në përgjim fizik.

Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera. /Telegrafi/