LAJMI I FUNDIT:

Edhe Coca Cola që vjen nga Serbia do t’i nënshtrohet taksës 100%

Edhe Coca Cola që vjen nga Serbia do t’i nënshtrohet taksës 100%

Prej të premten në Kosovë nuk do të mund të hyjnë pa iu nënshtruar taksës 100 për qind asnjë produkt nga Serbia, pavarësisht vendit të origjinës. Këtë vendim Qeveria e Kosovës e ka marrë pas kërkesës të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, në mënyrë që masa prej 100 për qind të trajtojë njëlloj të gjitha kompanitë.

Shala ka shpjeguar se është konsultuar me përfaqësuesit e këtyre kompanive para se të merrte vendimin.


“Arsyet të cilat na kanë shtyrë që t’i kemi ato marka në listë më nuk ekzistojnë. Para se ta marr këtë vendim jam konsultuar edhe me përfaqësuesit e këtyre kompanive, të cilët kanë filluar tash edhe tregun që e kanë furnizuar nga Serbia ta bëjnë përmes vendeve tjera të rajonit, Coca-Cola e kompani të tjera. Ka pasur kërkesa që me të njëjtin parim në këtë listë të futen edhe 1 mijë e 300 kompani tjera. E futja e këtyre produkteve eliminon nevojën që taksa të jetë në fuqi. Dhe kemi sugjerim nga të gjithë miqtë tonë që të jemi të barabartë me secilin. Do të thotë ose t’i fusim në listë të gjithë ose t’i eliminojmë të gjithë”, arsyetoi ministri Shala.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se është e papranueshme lëvizja e Serbisë, konkretisht letra e kryeministres Ana Brnabiq, ku u kërkon tërheqjen e njohjeve nga shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën.

“Do ta respektojmë masën 100 për qind. Heqja e listës së vendeve është e një karakteri tjetër. Mendoj se janë plotësuar kushtet që të e vendosim”, u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/