LAJMI I FUNDIT:

Eco Guerilla: Kemi kërcënime që të heshtim, po përgatitet rihapja e Jugohromit (Video)

Eco Guerilla: Kemi kërcënime që të heshtim, po përgatitet rihapja e Jugohromit (Video)

Organizata qytetare për mbrojtjen e ambientit “Eco Guerilla” sot në konferencë për shtyp njoftoi se ditëve të fundit persona të ndryshëm kanë shantazhuar duke ju ofruar edhe mjete financiare, në mënyrë që ata të heshtin dhe të mos reagojnë për rihapjen e Jugohromit.

Kryetari i kësaj organizate, Arianit Xhaferi, në konferencë tha se për këtë është njoftuar policia dhe se rastin do ta denoncojnë edhe në ambasada, ndërsa shtoi se kanë kërkuar takim edhe me kryeministrin Zoran Zaev, njofton Telegrafi Maqedoni.


“Duam t’i rikujtojmë që ne kemi pasur sfida edhe më të mëdha dhe nuk kemi lëshuar pe as me qeverinë e kaluar, e lëre më tani. Kauza e Eco Guerillës kurrë nuk është varur vetëm nga disa individë, por nga vullneti dhe përkrahja masovike e qytetarëve. Prandaj lojërat e pista me tendenca mafioze, jo që nuk do të na ndalin, por na motivojnë mos zmbrapsemi nga misioni ynë. Reagimi qytetar do të jetë i shumë i ashpër ndaj çdo shantazhi qoftë nga Jugohromi apo edhe nga qarqe të larta brenda Qeverisë”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se duke pasur parasysh faktin që në vitin 2013 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tetova u rradhit si qyteti më i ndotur në Evropë, nuk duhet të tolerohet asnjë manipulim i mundshëm dhe pa mbikëqyrje rigoroze nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë, të cilët do të konstatojnë nëse projekti dhe sistemi i filtrimit i përmbush standardet e duhura dhe parandalon lëshimin e gazrave helmuese.

“Pa një garancë të besueshme ndërkombëtare nuk do të pranohet asnjë manipulim nga pronarët, qoftë ai edhe në bashkëpunim me Zv. kryeminisitrin Angjushev. Prandaj i vlerësojmë si tendencioze dhe të rrezikshme insistimet e tija për rihapjen e Jugohromit paralelisht me vendosjen e filtrave dhe jo pas përfundimit të vendosjes së tyre, ashtu edhe siç parasheh ligji”, shtoi Xhaferi./Telegrafi/