LAJMI I FUNDIT:

E veçanta çudibërëse e një “palaçoje” …

E veçanta çudibërëse e një “palaçoje” …
Dario Fo

Nga: Halil Matoshi (shkrim i publikuar në tetor të vitit 1997, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)

9 tetori 1997 shqiptarët sërish i la pa kurorë! Akademia Suedeze “zbuloi” edhe një ‘yrnek’ prej artisti “krejtësisht” të panjohur për ne shqiptarët e vetëmjaftueshëm. Ylli shqiptar Ismail Kadare që kaherë është ngritur në zenitet e letrave të përbotshme, megjithatë nuk u ngrit në Nobel … Ai vazhdon ta shkruajë dhe të flasë: “Gjithmonë i jam lojal atdheut tim dhe kombit tim” – deklaroi Kadare për “Zëri”, të martën, më 8 tetor, si përgjigje disa qarqeve shkrimtarësh evropianë që e akuzojnë Kadarenë si shkrimtar nacionalist. Por, a do të mbesë mbreti i letrave shqipe i pakurorëzuar në kryeqytetin botëror të letërsisë “Nobël”? Fundja, Tolstoj, Xhojsi, Kafka, Prusti dhe Borhesi shkuan pa shkëlqimin e monedhës së Nobelit, por kjo aspak nuk do të thotë se këta nuk e shënuan këtë shekull, madje posaçërisht Xhojsi dhe Borhesi konsiderohen shkrimtarët më të mëdhenj të këtij shekulli … Prandaj, Nobeli nuk ia ka siguruar askujt pavdekësinë në botën e letrave, janë veprat ato që ua sigurojnë këtyre shkrimtarëve jetën e amshueshme në Bibliotekën Absolute borhesiane! Prandaj, një Milan Kundera me “Shakanë” apo një Ismail Kadare me “Pallatin e ëndrrave” janë po aq shkrimtarë Nobelë, ndoshta edhe më shumë sesa një dorë nobelistësh, në librat e të cilëve pluhuri i harresës ka krijuar një shtresë zverdhjeje. Vërtet, kush e lexon më Pirandelon apo Hose Selën e kush nuk e lexon Xhojsin, Kafkën e Borhesin!?


Pse jo Kadare!?

Më 8 tetor, fiks në ora 13, shpallej laureati i Nobelit për letërsi i Akademisë Suedeze. Në ora 12 e pyetëm me telefon bashkëpunëtorin tonë në Stokholm se çfarë flitet në shtyp dhe në qarqet letrare suedeze lidhur me laureatin e mundshëm dhe cilat janë gjasët e Kadaresë? “Kadare nuk do të fitojë edhe pse është në rrethin e ngushtë të kandidatëve të mundshëm. Siç flitet në qarqet intelektuale dhe gazetareske këtu në Suedi, ai është shkrimtari më brilant i gjallë sot në Evropë, mirëpo gazetave prestigjioze suedeze dhe vetë akademisë i arrijnë dhjeta letra akuzuese për Kadarenë nga vetë shqiptarët të cilët e denoncojnë atë si njeri influent në jetën e vendit gjatë kohës së diktaturës. Kur tërë Evropa e lexon Kadarenë, shqiptarët e pështyjnë … Për këtë jam i bindur se as kësaj here ai nuk do të nominohet me Nobel.” – na tha Milaim Zeka, i cili po ashtu na i tha emrat e letrarëve që kanë më së tepërmi gjasë sipas qarqeve letrare dhe gazetareske vendore, e këta ishin: austriaku Peter Handke, gjermani Gynter Gras, shqiptari Ismail Kadare, çeku Milan Kundera, meksikani Karlos Fuentes, portugezi Zhoze Saramago, amerikanët Xhon Apdajk dhe Norman Majler, peruani Mario Vargas Ljosa etj. Emri i Dario Fo-së as që zihej fare n’gojë.

Një ditë më parë ne kishim marrë intervistën me Kadarenë dhe ajo botohej të premten kur laureati do të shpallej. Eh, sikur të na udhëheqë një fat intuitiv!? Por, tek lexon Kadarenë bindesh se vërtet ai është një njeri i përkushtuar shqiptarizmës si doktrinë, që evropianët e shohin si nacionalizëm. “Gjithmonë do t’i jem lojal atdheut dhe kombit tim” – thotë Kadare. “Sepse ka një dorë shqiptarësh që e shesin atdheun dhe kombin për një vizë të huaj apo për një drekë në ndonjë ambasadë … ” Kadare nacionalist? Jo, shkrimtar.

Ndodhi sërish e panjohura, ngjashëm sikur vitin e kaluar kur Nobelin e fitoi poetesha polake Vislava Shimborska, ndërkohë që mezi u gjet një ekzemplar i një libri të saj diku në periferi të Varshavës. Sipas Shimborskes, gjasët për të fituar i kishte Mario Vargas Ljosa, madje ajo “votoi” për të, mirëpo megjithë pritjen në ethe të shqiptarëve, reagimeve protestuese të portugalofonëve sikur edhe kinezëve çmimi shkoi në Itali, te “karaxhozi” Fo, i cili është italiani i pestë që fiton çmimin Nobel për Letërsi, këtë herë ‘çeku’ ishte i rëndë një milion dollarë ameriknanë.

Fo do ta mbajë titullin, kurse një milionëshin ka vendosur ta falë për viktimat e terrorizmit shtetëror në Evropë.

Fo qeshë me neveri: Dy palët qeshin, edhe të shtypurit, edhe pushtetarët …

Në ndërkohë që Akademia Suedeze kërkon të veçantën, letërsinë çudibërëse, politikisht dhe moralisht konsistente, kërkon gjithnjë nëpër mijëra faqe të shtypura librash një Nënë Tereze “që lan teshat e qelbura me dorë e jo me makinë rrobëlarëse”!? Po, Dario Fo është krejtësisht tjetër, një “lolo oborri” gjenial që ia mëshon shpullë terrorit shtetëror përmes spektaklit në skenë, luan e qan fatin e të shtypurve, mendon e përqesh pushtetin dhe të gjithë qeshin, edhe të shtypurit, edhe pushtetarët, ja kodi i të veçantës së Fo-së!? Fo paralajmëron, shpall terrorin e egër shtetëror që ka shtrirje të pakufijshme historike në kohë dhe hapësirë dhe përpiqet që ta mund atë me sensin e një “palaçoje”. Fo arrin të bindë pushtetin se e ka keq, arrin ta zbusë egërsinë përmes qeshjes tepër serioze!

Fo megjithatë nuk është “krejt” i panjohur, drama e tij “Morte accidentale di un anarchico” (Vdekja e rastësishme e një anarkisti) ishte shfaqur në teatrot më prestigjioze evropiane.

Ky është një rrëfim dramatik nga një ngjarje e vitit 1921. Emigranti italian, anarkist, kishte “fluturue” për dritaren e burgut të policisë së Nju-Jorkut, nga kati i pestë. Pas peripecive të nduarndurta dhe hetimeve del në shesh se anarkisti nuk kishte bërë vetëvrasje, porse policët dhe hetuesit e kishin mbytur gjatë hetimeve. Pra, është fjala për mbytje shtetërore, më saktë për terror shtetëror.

Kush është dario fo?

Dario Fo është i lindur në San Gjano të provincës së Barezës më 1926, nga i ati punëtor hekurudhe dhe nënës shtëpiake. “Kulturalisht gjithmonë kam qenë pjesë e proletariatit. Kam jetuar me fëmijët e xhamprerësve, peshkatarëve dhe trafikantëve. tregimet që ata m’i thoshin ishin satira të ashpra mbi hipokrizinë e pushtetit dhe klasës së mesme, dyftyrësia e mësuesve, juristëve dhe politikanëve. Jam lindur i politizuar … “ – i pati thënë vitin e kaluar “The Guardian”-it londinez, Dario Fo.

Fo ka studiuar në Milano për pikturë dhe arkitekturë. Pas luftës nis të merret me skenografi e pastaj edhe me shkrime dramash. Ishte anëtar i Partisë Komuniste Italiane, megjithëse sot deklarohet si demokrat i pakompromis, ndërkaq gruaja e tij, Franka Rame, ishte pjesëtare e organizatës ultramajtiste “Ndihma e kuqe militante”. Më 1980 asaj nuk iu dha viza për në ShBA, ndërkaq këtë herë viza nuk iu dha as Darios sepse ishte themelues dhe aktivist i organizatës për të drejtat e të burgosurve. Në ShBA, por edhe në vetë Italinë, Fo pati telashe edhe me censurën.

Fo me ndihmën e PK të Italisë formoi teatrin joprofitabël, një teatër politik. Gjatë luftës në Vietnam dhe ’68-ës evropiane ai me koncepsionet politike ia kaloi edhe vetë Partisë Komuniste, duke qenë shumë më radikal. Për këtë edhe u përzu nga RAI. Atëbotë, pas një emisioni televiziv, Vatikani e pat akuzuar për sakrilexh. Dramat dhe komeditë e tij (ka shkruar mbi 70 sosh) më të njohura janë: “Misterja bufo”, “Vdekja e rastësishme e një anarkisti” (1970) mbi të cilën edhe u vu theksi gjatë arsyetimit të ndarjes së Nobelit; “Nuk mund të paguajmë, nuk duam të paguajmë”, “Tak, tak. Kush është? Policia!”, “Dreqi me cica”; të gjitha nga vitet ’70, por pas dhunës që ushtroi terrorizmi ultramajtist në Itali, Fo iu kthye “temave femërore”, duke shkruar “Të flasim për gratë”, “E tëra është shtëpi, edhe krevati, edhe kisha” etj.

Drama e të terrorizuarve: Pa epilog

Fo është çudia e mbrame botërore, ai qeshë seriozisht, çudia qëndron në atë se ai qeshë! A nuk është shtrirë në perspektiva të gjëra historike terrori shtetëror? A nuk është shkruar në Kosovë “Vdekja e rastësishme e një anarkisti”? A nuk është kjo drama e Xhemajli Berishës dhe dhjeta bashkëkombësve tanë? A nuk “fluturojnë” para hundëve tona qytetarët e Kosovës, ta zëmë, nga katet e larta të policisë serbe e cila “rastet i shpall si vetëvrasje”? Edhe përmes të qeshurit duhet shpallur terrori, duhet alarmuar … ai është këtu. Prandaj, botimi shqip i kësaj drame do të ishte mburrje për shtëpinë botuese që e përkthen dhe ia dhuron lexuesit shqiptar për Vitin e Ri 1998!

Ndonëse ka në letrat shqipe një dorë shkrimtarësh “elitë” që do t’ia tërhiqnin vërejtjen Kadaresë “se këto janë tema për publicistikën”, këta s’di se çka do t’i thoshin këtë herë Dario Fo-së!? Publicist? Ndoshta edhe palaço, pa thojza!? Ect. /Telegrafi/