Anësori i Chelsea, Pedro Neto, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në fund të ndeshjes kundër Paris Saint-Germain, e cila përfundoi me humbjen 5-2 të skuadrës londineze.

Në momentet e fundit të takimit, futbollisti portugez humbi durimin dhe shtyu një djalosh që mbante topat pranë fushës, teksa po përpiqej ta merrte topin sa më shpejt për të vazhduar lojën.


Pas ndeshjes, Neto foli për situatën duke kërkuar falje publike për veprimin e tij dhe duke shpjeguar se reagimi ishte rezultat i emocioneve të momentit.

“Doja të dilja dhe të flisja për situatën që ndodhi në fushë. Dua t’i kërkoj falje djalit që mbante topin. Kam folur tashmë me të. Po humbisnim dhe në emocionet e ndeshjes doja ta merrja topin shpejt dhe e shtyva pak”, tha Neto.


Ai zbuloi gjithashtu se pas incidentit shkoi menjëherë te djaloshi për t’i kërkuar falje dhe i dhuroi fanellën e tij.

“I dhashë fanellën time. Më vjen shumë keq për këtë dhe ndjeva se duhej t’i kërkoja falje. Frëngjishtja ime nuk është shumë e mirë dhe shoku im i ekipit te Portugalia, Vitinha, erdhi për t’i shpjeguar se nuk jam një person i tillë.”

Sipas Netos, situata përfundoi në mënyrë pozitive.

“Në fund ai qeshi. I dhashë fanellën time dhe i kërkova falje rreth 35 herë. Ai e kuptoi çfarë kishte ndodhur dhe ishte i kënaqur me mënyrën si u zgjidh gjithçka".

Gjesti i futbollistit portugez për të kërkuar falje shihet si një përpjekje për të korrigjuar reagimin e tij emocional që tensionoi momentet e fundit të ndeshjes. /Telegrafi/

telegrafi sport app