Poezi nga: Jack Micheline
Përktheu: Fadil Bajraj

E kuqja është ngjyra e Gjakut
E kuqja është ngjyra e krahut të Robinit
E kuqja është ngjyra e argjilës
Shkëlqimi rreth Charlie Mingusit është i kuq
E kuqja është ngjyra e tokës dhe e maleve
E kuqja është ngjyrë e nxehtë
E kuqja është sensuale
ka shumë nuanca të kuqe
Bill Saroyan, Henry Miller, Bob Dylan, Charlie Mingus mbajnë kapele të kuqe
Kapele të kuqe mbajnë edhe murgjit tibetanë
E kuqja është ngjyra e hënës
Automjeti i zjarrfikësve është i kuq
Qarku i dritave të kuqe është i kuq
E kuqja është dritë semafori
Ndalu kur të sheh të kuqe
Femrat seksipile veshin të kuqe
E kuqja është e thellë
Demonët janë të kuq
Specat janë të kuq
Kur isha i ri e lyeja dhomën time me të kuqe
Aeroplanët natën pulsojnë me të kuqe
Aeroportet janë të kuqe
Majmuni është i kuq
Disa automobila janë të lyer me të kuqe
Këpucët e kuqe është titulli i një filmi
E kuqja është ngjyra e verës
Lumi i Verës së Kuqe ishte titulli i librit tim të parë
Aniss Nin, Charles Bukowski, Allen Ginsberg të gjithë kanë fytyra të kuqe
Domatet, Mollët, Qershitë dhe Luleshtrydhet janë të kuqe
Buzët joshëse janë të kuqe
Oxhaqet janë të kuqe
Shtëpitë në ferma janë të kuqe
Hambaret janë të lyera me të kuqe
Disa ndërtesa janë të kuqe
Nju Jorku dhe Nju Meksiko janë të mbuluara me të kuqe
Kinezët janë të kuq
Trëndafili është i kuq
E kuqja është ngjyra e dhunës dhe e pasionit
Qielli mbi Franz Klinen ishte i kuq
Qielli mbi Kerouacun, Mingusin dhe Bob Kaufmanin ishte i kuq
Qielli mbi Paris është i kuq
Qielli mbi Londër është i kuq
Qielli mbi Pekin është i kuq
Qielli mbi Moskë është i kuq
Lumi i Kuq është i kuq
E kuqja është ngjyra e dashurisë sime goxha të bukur
Salamandra është e kuqe
Kur Charlie zemërohet, fytyra e tij është e kuqe
Dora e mësuesit është gjithmonë e kuqe
Rrugët e Kalkutës janë të kuqe
Burgjet janë të kuqe
Rusët janë të kuq
Babadimri vesh të kuqe
Hëna mbi Majami është e kuqe
Vampirët janë të kuq
Trëndafili është i kuq.


8 maj 1980