LAJMI I FUNDIT:

E keni kërkuar NATO-n, njeri

E keni kërkuar NATO-n, njeri
Shqiptarët pranë vagonëve të trenit, gjatë deportimeve të dhunshme masive të vitit 1999 (foto: alliance/dpa)

Ky shkrim që flet për 78 ditët skëterrore të gazetarit Dush Gashi (autor i këtij shkrimi), të familjes, të fqinjëve e miqve të tij – të izoluar gjatë bombardimeve të NATO-s, nën frikën e përhershme të hakmarrjes së forcave serbe, në një gjendje që ngjan me atë të dënuarit me vdekje (edhe më keq sepse, siç thotë autori, ata së paku e dinë datën dhe mënyrën e ekzekutimit dhe, ç’ është më e rëndësishme, e dinë se në litar apo në karrigen elektrike shkojnë vetëm, pa fëmijët e tyre) – është publikuar në të përjavshmen beogradase NIN, më 23 mars 2000, si dhe në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, më 24 mars 2000.

Nga: Dush Gashi


Dy policë serbë rrinin pranë tavolinës në dhomën time të ditës; njëri i trashë e me kokë të rruar, me pushkën automatike të cilën nuk e lëshonte nga dora dhe me aparatin e kyçur për lidhje; tjetri, më i imtë, me pamje më intelektuale, i cili po i shënonte të dhënat personale të anëtarëve të familjes sime. Sapo e kishin kaluar pragun, kishin pyetur për pronarin e banesës, dhe unë u isha përgjigjur menjëherë se ai nuk isha unë (kishte pesë vjet që jetoja në banesën e motrës së gruas, e cila me familjen e saj jetonte me statusin e refugjatit në Gjermani) dhe kërkuan ta lëshoja banesën.

Ishte 1 qershori i vitit 1999, tri ditë para se kryetari i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, të pranonte planin e paqes të Ahtisarit e Çernomirdinit, si kusht për ndërprerjen e bombardimeve të aeroplanëve të NATO-s mbi caqet serbe. Frika, e cila që nga 24 marsi nuk e kishte braktisur shtëpinë time, tash, për herë të parë, po merrte përmbajtje krejtësisht të prekshme.

Gjatë tërë kohës derisa policët “e bënin punën e tyre”, për asnjë çast të vetëm nuk ia dola ta kthej bisedën në “tema jozyrtare”. Me përpjekje të mëdha që të dukem i qetë, përgjigjesha në një varg pyetjesh provokuese të të trashit. Për fat, asnjëherë nuk u ngrit, as nuk bërtiti, duke më kursyer nga ndonjë skenë e pakëndshme para fëmijëve, të cilët, të frikësuar, në kanape, asnjë zë nuk e lëshonin. Por, i trashi ishte fort i vendosur në urdhrin se duhet ta lëshoj banesën. “Sepse, kur të vijnë ‘ata tjerët’, pas pesë-gjashtë ditësh …” Në tentimin tim të fundit të tregoj se nuk jam “njeri që e bën historinë”, të përkthyer në dukje në ankesën “kah t’ia mbaj me këta fëmijë”, i trashi do të thotë: “E keni kërkuar NATO-n, njeri.”

“Po, e kemi kërkuar NATO-n”, me shpëtoi kjo fjali e shkurtër, duke mos e ditur as vetë se me çfarë intonacioni e thashë. E, kjo fjali mund të ishte shkak që polici i trashë, sikur ta kishte kuptuar këtë si njëfarë inati, këshillat e deriatëhershme xhentëlmene t’i shndërronte në diçka tjetër. Përkundrazi, për çudi, atëherë, ndoshta vetëm për një të dhjetën e sekondës, në sytë e policit të trashë pashë një shkëlqim njerëzor. Policët ikën dhe brengën time të madhe çka të bëj, a është ky vetëm kërcënim bosh, apo “ata tjerët” vërtet do të vijnë dhe, kushedi, ndoshta edhe më herët, para kalimit të afatit të “ultimatumit”, për fat, e ndërpreu pranimi i marrëveshjes paqësore. Pas edhe dhjetë ditësh tmerrësisht të gjata, deri me nënshkrimin e dokumentit tekniko-ushtarak në Kumanovë dhe ardhjes së trupave të KFOR-it, do të përfundojë edhe burgu shtëpiak i familjes sime.

Ndoshta është më së lehti të krahasohet kjo me gjendjen e të dënuarit me vdekje, por ky as për së afërmi nuk është krahasim i saktë. Ata së paku e dinë datën dhe mënyrën e ekzekutimit dhe, ç’ është më e rëndësishme, e dinë se, për shembull, në litar apo në karrigen elektrike shkojnë vetëm, pa fëmijët e tyre! Ne nuk e dinim këtë. Në të vërtetë, ndonëse rrallë, ndoshta dhjetë herë gjatë shtatëdhjetë e tetë ditësh, dilja në qytet. Por, ishte kjo si shëtitja e të burgosurve. Mund të dilej kur kishte njëfarë qarkullimi njerëzish, prej rreth orës dhjetë e deri më së voni në tre pasdite, dhe atë kryesisht ndërmjet dy postave: të vjetrës të goditur nga projektilët e aeroplanëve të NATO-s dhe, të resë, nën syrin përherë vigjilent të policëve, rezervistëve, paramilitarëve, por edhe të qytetarëve të rëndomtë.

“Në tren, në tren”, duke aluduar në shkuarjen në Maqedoni, ku nën kërcënimin e armëve ishin përzënë shumica e prishtinasve, ishte klithje e shpeshtë e atyre djemve në uniforma maskimi, po edhe pa to, ditëve të para të bombardimeve, apo ajo e njohur mirë për mua “e keni kërkuar NATO-n” të cilën mund ta dëgjoje edhe nga policët, të cilët kërkonin rend në rreshtat e gjatë para furrave të bukës e minimarketet, të cilët i përbënin kryesisht gratë e mbetura shqiptare dhe fëmijët, sepse për burrat nuk ishte e preferuar të dilej në rrugë.

Në bisedat e shkurta me të njohurit e rrallë të cilët i takoja pas qetësimit të valës së madhe të deportimit, në fytyrat e të cilëve e shihnim vetveten si në një pasqyrë të gjallë – të dobësuar e me rrudha të thelluara në fytyrë (çfarë mendimi i marrë se ndoshta serbët nuk do ta njohin shqiptarin në ne), përpiqeshim të këmbejmë mendime në përpjekje të japim përgjigje në pyetjen vendimtare: çka do të bëhet me ne? Përgjigjen nuk e dinte askush.

E vendësit serbë, pos përjashtimeve të rralla (ka pasur të tilla, edhe vetë jam dëshmitar), fqinjëve të tyre shqiptarë, në mos më shumë, nuk ua thoshin as një fjalë inkurajuese. Ndonjëherë “shiptarit” nuk do t’i përgjigjeshin as në pyetjen më të rëndomtë: Ku ke blerë bukë?

Përjashtim bënte edhe fqinja ime e parë, një grua e vetmuar me të cilën më parë nuk kishim kaluar përtej përshëndetjeve të rëndomta “mirëmëngjesi” e “mirëdita”, e cila një ditë trokiti në derën time dhe më pyeti mos na duhet ndonjë gjë. Atë ditë kuptova se, së paku prej saj, nuk do të kem ndonjë të keqe, dhe kjo nuk ishte pak. Një ditë ajo vërtet ma solli një kuti cigare.

Më vonë, në përfundim të luftës, asaj i ndodhën gjëra të pakëndshme, por, për fat të keq, unë nuk isha ai që do të mund ta mbroja. Nuk do të mund t’i ndihmoja as një njeriu tjetër nga hyrja ime, i cili për kartonët e gjelbër të cilët policia ua jepte shqiptarëve me adresat e reja (shumë njerëz nuk ishin në banesat e tyre), thoshte se ata kanë të njëjtin kuptim si shënjimi i hebrenjve në kohën e nazizmit, e të cilin e kam parë të frikësuar pas lufte dhe i cili u detyrua të braktisë banesën!

Pas njëfarë kohe, kur trenat në stacionin hekurudhor kishin heshtur pak, duke lënë prapa tyre ballkonet tmerrësisht të zbrazët dhe roletat e lëshuara, në Prishtinë u krijua sadopak një gjendje më stabile. Atë kohë edhe pushtetit serb i shkonte për shtati të paraqesë sikur në Prishtinë është “gjithçka normale” dhe se, natyrisht, ata që kanë ikur e kanë bërë këtë “nga frika prej aeroplanëve të NATO-s”.

Nganjëherë kishim më shumë frikë gjatë vikendeve. Filluan të qarkullonin tregime (para furrave, natyrisht) mbi aksione individuale të plaçkitjes nga persona nën uniformë. Flitej edhe për vrasje (një grua është vrarë në Dardani me një plumb nëpërmjet derës së mbyllur). Por, në krahasim me ferrin nëpër të cilin kanë kaluar, për shembull pejanët e gjakovarët dhe, pos vrasjeve të “kokave të zgjedhura”, si Aganit dhe avokatit Bajram Kelmendi (bashkë me dy djemtë e tij), prishtinasit kaluan më mirë: me plaçkitjen e parave dhe automobilave në rrugë për në Maqedoni, e pastaj edhe të banesave dhe shtëpive të tyre të zbrazëta dhe, natyrisht, plaçkitjen e mallit nga dyqanet tregtare e të tjera kryesisht nga “mëditorët” romë të cilët në fund edhe i demolonin ato dyqane.

Por, ne që kishim mbetur (doli se në fillim të luftës nuk kisha menduar aspak me kthjelltësi edhe për atë se si ajo do të përfundonte!) na mundonte se çfarë do të jetë fundi, përkatësisht a do të vijnë trupat e NATO-s me marrëveshje apo në invazion tokësor, për çka kishte filluar të flitej. Në rastin e dytë, vështirë ishte ta paramendosh shpëtimin! Kishte ende mundësi për ta braktisur Kosovën me autobusët e rrallë të cilët shkonin për Maqedoni por, për këtë, së paku me sa di, duhej të kishe ndonjë lidhje të mirë dhe mjaft para.

Atë 24 mars, rreth orës tetë në mbrëmje, kur nëpërmjet xhamit të derës së ballkonit e pashë shkreptimën e parë në qiell nga bomba apo raketa e parë e hedhur në drejtim të Sllatinës, përjetoja njëkohësisht edhe frikë, edhe shpresë. Më së shumti mbështetur pas fatit: Le bë bëhet ajo që është shkruar!

Pritja e heshtur kishte filluar disa ditë më herët, kur Kosovën e braktisën vëzhguesit e OSBE-së dhe të huajt tjerë. Ndonëse edhe gjatë luftës ndikimi i tyre në pengimin e vrasjeve ishte i papërfillshëm, tash, kur na braktisën tërësisht, ndjemë zbrazëti të madhe. Por, bombardimet, si e keqe e domosdoshme, shumica i pranonin si diçka që duhej të ndodhë. Serbët ende nuk kishin dhënë shenjë se do ta bënin atë që e bënë.

Kohët e fundit, para fillimit të bombardimeve, frika kishte hyrë në palcë edhe në qytetet deri atëherë të pa përfshira nga lufta: kishte shpërthime nëpër kafeteri; në Pejë flisnin për xhipin e zi të “dorës së zezë” prej të cilit banorët e Kapeshnicës, sapo ta vërenin, duhej të iknin nga rruga. Mbrëmjeve rrugët e Prishtinës ishin tmerrësisht të shkreta.

Gjithnjë derisa Solana nuk e tha atë fjalinë e njohur, e cila do të hyjë në histori se ka dhënë urdhrin për fillimin e bombardimeve, kisha një shpresë të zbehtë se, në çastin e fundit, Millosheviqi do të lëshonte pe. Në përgjithësi, askush nuk besonte se bombardimet do të zgjasnin aq sa zgjatën. Ndoshta një javë më herët, nga “burime të besueshme”, kisha dëgjuar të flitej se më 24 apo 25 mars (!) aeroplanët e NATO-s, ndoshta me mijëra sish, do të fluturojnë mbi Serbi më shumë duke bërë zhurmë sesa duke bombarduar me të vërtetë dhe, sipas një skenari të përgatitur që më parë, Millosheviqi, duke pasur dalje të ndershme, do të lëshojë pe.

Por, Millosheviqi nuk u “gjunjëzua”. Bombardimet filluan. Informatën e parë, e cila, për fat të keq do të dëshmohet si e saktë, e mora ditën e fundit të kiametit. Njëri nga vëzhguesit e atëhershëm në Kosovë, nga Shkupi i kishte telefonuar një shqiptari në Prishtinë, dhe i kishte thënë: “Dashtë zoti të mos fillojnë bombardimet. Nëse fillojnë, do të jetë katastrofë.”

Ditët e parë do t’i kaloj në frikë, shpesh afër panikut. Dhe, që ishte edhe më vështirë, duhej treguar pamje të qetë (e falënderoj Zotin, mendoj se ia kam dalë me këtë), që fëmijët e mi (djemtë e moshës shtatë, katër dhe dy vjeç), të mos ndjehen të pambrojtur. Ishte shumë e dhimbshme t’u lexosh nga librat e leximit dhe lekturat shkollore – gjë që e bëja për t’ua zëvendësuar sado pak daljen – tregimet mbi fëmijët që ndahen në qershor dhe se do të takohen përsëri në shtator, apo, edhe më e dhimbshme, tregimin metaforik mbi zogun i cili shndërrohet i tëri në gjak për t’i mbrojtur të vegjlit e tij nga sulmi i një zogu më të madh, grabitqar. E ardhmja e fëmijëve të mi tash për tash ishte e ngrirë.

E, se në tokë, deri sa në qiell zhvillohej “lufta e yjeve”, do të ndodhë mesjeta, u paralajmërua qysh mbrëmjen e parë.

Sapo pushoi vala e parë e bombardimeve dhe në bëheshim gati të flinim, në afërsi u dëgjua një shpërthim i tmerrshëm dhe një re e zezë tymi e përfshiu platenë e “Kurrizit”. Siç do të marrim vesh vetëm të nesërmen, serbët, natyrisht, pasi që prej saj i kishin marrë pajisjet e shtrenjta, e kishin shkatërruar ambulancën private “Rezonanca”. Në rrugën e Leninit, edhe mbi dhjetëkatëshe shiheshin flakë. Serbët prapë kanë ndezur diçka. Netët e para mendoja se pas çdo të shtëne, e kishte shumë të shtëna, mbetej ndonjë viktimë diku në tunel apo në labirintet tjera të “Kurrizit”, gjë që doli të mos ketë qenë e vërtetë.

Ditën tjetër, megjithatë, njerëzit dilnin lirisht dhe i blinin mbetjet e fundit të ushqimit në dyqane. Ende nuk dukeshin të frikësuar, por ishin të heshtur dhe në atë atmosferë ishte e pahijshme të flasësh me zë, e lëre më të qeshësh.

Ndoshta duke e mos e parandier se çka do të ndodhë me të vërtetë, apo duke menduar se bombardimet nuk do të zgjasin aq gjatë, apo mbase për shkak të funksionimit të mekanizmave mbrojtës të panjohur për ne para aso përjetimesh traumatike, njerëzit dukeshin pazakonshëm të qetë. Pastaj, pas lajmit për vrasjen e disa intelektualëve të njohur, gazetarësh e personalitetesh tjera publike (që për disa do të jetë i vërtetë), më askush nuk ishte i qetë.

Derisa vajza e motrës, e martuar në Pejë, qysh mbrëmjen e parë më fliste se si kishin filluar të shtënat me rafalë nëpër kulmet e muret e shtëpive, ma ndërprenë telefonin gjë që unë, duke mos e ditur se kjo u kishte ndodhur shumicës së madhe të shqiptarëve, e mora si shenjë shumë të keqe. Nuk mund të hamendësoja se deri në çfarë “niveli” janë përfshirë intelektualët në listat për ekzekutime, prandaj e luta gruan të shkonte te të vetët. Mendoja: edhe po të më ndodhë diçka, së paku të mos jetë kjo para fëmijëve të mi. Çfarë lehtësimi ndjeva vetëm që ia thashë këtë!

Për fat, nuk më dëgjoi! Të sajët i kanë përzënë nën kërcënimin e armëve; dy ditë e net kanë mbetur në stacionin hekurudhor, vetëm disa qindra metra nga lagja jonë, por ne nuk dinim për ta. Gruaja, e cila më vonë e kishte parë shtëpinë e zbrazët (ajo dilte më shpesh dhe na furnizonte me ushqime), dhe në rrugën e tyre nuk e kishte takuar asnjë njeri, megjithatë nuk ishte frikësuar shumë. Por, kur më vonë e kishte dëgjuar lajmin (e rrejshëm) se në varrezat e qytetit ishte shkarkuar një kamion kufomash, ajo për pak sa s’ kapitulloi. Gati sa s’e humbi arsyen, kurse përpjekjet e mija ta bindja se sikur të vrisnin kaq shumë njerëz, kjo do të dëgjohej, ishin të kota.

Por, tmerret u bënë gjithnjë e më të afërta: kam parë se si ndahen familjet; burri, duke mos mundur as vetë t’i ndalojë lotët, e përcolli gruan e fëmijët në stacion, derisa vetë ishte i detyruar të mbetej me të atin që po vdiste dhe kishte frikë se nuk do të ketë kush e si ta varrosin (vdiq po atë ditë kur, nëpërmjet një lidhjeje, disa policë lokalë kishin pranuar ta bartin deri në një fshat); gruaja, të cilës ia kishin arrestuar burrin e tre djemtë (më vonë e kishin lëshuar më të riun, fillorist) dhe e cila me javë nuk mund të merrte vesh gjë për ta edhe pse shkonte nga një stacion policor në tjetrin (të zhvendosur nëpër blloqe banesore) dhe në burgun e qytetit; njeriu të cilit ia kishin burgosur vëllanë, e nga fshati i arrinin lajme për të afërmit e tij të vrarë, lajme nga rrethina mbi vrasjet e njerëzve të cilët i kishim njohur …

Kah fundi i luftës kam marrë vesh për motrën se është në Shqipëri dhe se mu prej duarve të saj ia kishin marrë djalin (tash është lëshuar nga burgu), për kushërinjtë e mi të cilët përmes bjeshkës me borë mezi kanë dalë në Rozhajë dhe, më vonë, se shtëpitë në fshat na janë bërë shkrumb.

Në të vërtetë, kurrë nuk e kam krejtësisht të qartë pse mbeta në Prishtinë. Në ndërtesën tonë nuk pati përzënie të drejtpërdrejtë, por në atë atmosferë ishte marrëzi të rrihej. Natyrisht, nuk kam qëndruar as për shkak të thirrjeve në shumicën e rasteve demagogjike “rrini këtu”. U frikohesha unë vërtet pamjeve të tmerrshme televizive nga Bllaca, të cilat, siç mendoja, fëmijët e mi ende të pafuqishëm nuk do t’i përballojnë, së paku jo në kushtet atmosferike ende të këqija apo, megjithatë, ishte ky vetëm racionalizim i frikës nga të panjohurat e rrugës?

Megjithatë, një ditë i bëmë gati valixhet dhe me një mik, i cili me familjen e tij ishte vendosur tek unë (mendonte se më mirë është të mos shohë diçka që ka parë apo i është bërë se ka parë nga dritarja e tij), vendosëm të nisemi. Por, atë ditë nuk pat kolona drejt stacionit hekurudhor, dhe disa gra e kishin bindur gruan time se “kemi mbetur mjaft”. Atë ditë edhe treni u kthye nga kufiri dhe ditëve tjera luhej loja e vrazhdë me hapjen e mbylljen e kufirit, kështu që ishte shumë me rrezik të niseshim. Mbetëm!

Ka pasur çaste, më vonë, kur i kam thënë gruas që në rreshtat për bukë të shikojë mirë se çfarë janë njerëzit që kanë mbetur. A janë, ndoshta, njerëzit më të marrë apo më të pafuqishëm në qytet!

Vetëm në fund e kam kuptuar se në çfarë foleje grerëzash kisha mbetur. Kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, serbët, nga të gjithë ballkonet e dritaret, shtinin aq shumë me rafalë të gjatë, të të gjithë kalibrave, sa ishte e pamundur të dëgjoje vetveten! Duhet të kenë shpenzuar një depo të tërë fishekësh. Atëherë, një nate me shi, polici nga kati i parë u kthye nga terreni. Kthimin e luftëtarit e shënoi duke e zbrazur një karikator të tërë të kallashnikovit të tij dhe, i lutur nga një zë fëmije a gruaje “hajt edhe njëherë”, e përsëriti veprimin – këtë herë duke e tërhequr më me forcë këmbëzën. Dhe, nuk e dëgjova mirë, tha diçka si “le ta dinë se edhe unë u ktheva”, dhe nuk e dija a është ky inkurajim për bashkëkombësit e tij apo, megjithatë, kërcënim për ne shqiptarët! Askush s’mund të garantonte se nuk do ta zbrazte nga një karikator të tillë në banesat tona (nga hyrja me 68 banesa, bashkë me timen, kishin mbetur vetëm tri familje shqiptare!).

Filloi shpërngulja. Ushtarakë, në kamionë të mëdhenj, i ngarkonin gjërat e tyre, por edhe gjërat që i kishin vjedhur nga shqiptarët. Shpërngulen edhe civilët. Në pjesën e rrugës, e cila shihet mes ndërtesave para viaduktit, lëviznin kolona të gjata të automjeteve ushtarake dhe autoblinda, duke shtënë mu në atë vend, si me komandë, me rafalë të gjatë të mitralozave kalibrash të mëdhenj.

T’ ia shohësh kurrizin ushtrisë serbe! Ia ka vlejtur të rrish në Prishtinë!

Pastaj erdhën rusët. Prapë pati të shtëna, por ardhjen e rusëve e mora si veprim të mirë: serbët ndjeheshin të sigurt, kështu që zvogëlohej mundësia të na vrisnin në ikje e sipër. Më në fund, arritën edhe anglezët. Tash e kam plotësisht të qartë pse shqiptarët i kanë pritur me lule gjermanët në Luftën e Dytë Botërorë!

Në mbrëmjet e këndshme pranverore dilja (sa e dëshiroja këtë gjatë kohës së luftës) në rrugët ende gati të zbrazëta. Serbët, ngadalë, ashtu siç ktheheshin shqiptarët e dëbuar, e ata ktheheshin shpejt, tërhiqeshin prapa perdesh të trasha. Unë e dija shumë mirë se çka do të thotë kjo.

Gjatë kohës së luftës njëherë kam provuar ta ngushëlloj gruan me fjalët: “Grua, prit pash Zotin, të shpëtojmë njëherë vetë, pastaj do t’i qajmë të vdekurit”. Por, edhe vetë fiziologjia kujdesej që të mos ndjesh dhimbje, e as frikë gjatë tërë kohës, duke ia lëshuar vendin një apatie të pandjeshme e vrastare, ndonëse tërë kohën isha i rrethuar me lajmë mbi vrasje mizore të njerëzve që i njihja, ndonëse jo edhe kushërinjve të afërt e miqve.

Pikëllimi i vërtetë e dhimbja erdhën më vonë, kur i shihja njoftimet e vdekjeve pazakonshëm të mëdha, me fotografitë e njerëzve të të gjitha moshave, grave e vajzave, dhe fëmijëve, shumë fëmijëve! Vetëm pas lufte kam marrë vesh për vende të fshehura, edhe në Prishtinë, për torturimin e njerëzve me vegla të tmerrshme, si dhe për gjurmët e atyre torturave, kthina për dhunimin e vajzave të reja, mbi mijëra njerëz nga Kosova të cilëve as sot e kësaj ditë nuk u dihen gjurmët, mbi tmerret e të burgosurve, si edhe të atyre në Dubravë afër Istogut të cilëve u janë mbyllur dyert dhe janë lënë si cak i gjallë i bombarduesve të NATO-s, e pastaj janë nxjerrë në oborr dhe mbi ta kanë shtënë rojet e tyre.

Tash pyetem: si dukesha unë atëherë në sytë e policit të trashë? Si njeri i cili i ndjell demonët, d.m.th. NATO-n? Si ishte e mundur vrasja e mijëra shqiptarëve, të të gjitha moshave e të dy gjinive, nën justifikimin se e kanë kërkuar NATO-n dhe çfarë kanë parë në ta vrasësit e tyre gjakftohtë? A është e mundur që njeriu, të cilin në mjedisin e tij ndoshta as që e konsiderojnë për kriminel, me gjakftohtësi (rasti është përshkruar në shtypin e huaj) të tregojë se si me çekan ia ka thyer kokën fëmijës shqiptar, dhe këtë pothuajse ta konsiderojë veprim normal për “mbrojtjen e atdheut”? A është ky prodhim i propagandës satanizuese kundërshqiptare të regjimit, apo i diçkaje tjetër – “modelit dominues kulturor serb” – cituar sipas Filip Davidit – “të personifikuar në atë që Radomir Konstantinoviqi dikur e quante ‘filozofi e provincës’, ku dominon fryma e barbarogjenisë dhe e ksenofobisë mbi mashtrime kulturore, historike e politike”. Shoqëria serbe do të duhej të merret seriozisht me pyetjen se si është e mundur që “gjyzlyku” i deridjeshëm i rëndomtë i mëhallës, jo vetëm se do të vrasë, por edhe me krenari do të fotografohet (fotografia është botuar këto ditë në shtypin kosovar) i buzëqeshur e me thikën e vënë nën fytin e një të riu shqiptar, ndoshta fqinjit të tij të deridjeshëm. Si është e mundur që “njerëz të rëndomtë”, nja njëzet sish, punëtorë të hekurudhës në Fushë Kosovë e ndonjë polic, të fotografohen pranë tre të rinjve shqiptarë të vrarë, siç e bëjnë këtë rëndom vetëm gjuetarët para gjahut të vrarë?

E keni kërkuar NATO-n!

E, edhe sikur të mos ekzistonte NATO, në rrethanat çfarë ishin krijuar pas fillimit të luftës në Drenicë, do të duhet të lutemi që diçka e tillë si NATO të krijohej. Përndryshe, si do të ndalej kasaphana e cila dita-ditës bëhej më e llahtarshme. Ishte e paimagjinueshme të jetohej në zonat e përfshira nga lufta, por një gjendje e tillë ishte edhe makth i padurueshëm edhe në pjesët më të qeta dhe qytetet deri atëherë të pa përfshira nga lufta. Masakrat kishin filluar më 28 shkurt 1998 në fshatin Likoshan të Drenicës dhe Qirezin e afërm, pas një sulmi të UÇK-së në patrullën e policisë serbe (janë vrarë katër policë dhe janë plagosur disa prej tyre), e pas kësaj policia atë ditë dhe më 1 mars do të vrasë 24 njerëz, dhjetë prej tyre nga familja Ahmeti të cilët së pari ju nënshtruan torturave të tmerrshme. Pastaj numri i viktimave filloi të shtohet e të shtohet gjithnjë, deri në masakrën e njohur në Reçak.

Statistikat e këshillit prishtinas për të drejtat e njeriut thonë se gjatë kohës së asaj lufte bestiale, forcat serbe kanë vrarë 2 100 shqiptarë të identifikuar, prej të cilëve edhe 230 gra, 220 fëmijë dhe mbi 400 pleq, kurse 700 persona janë evidencuar si të zhdukur. Po ashtu, 850 kanë qenë të lënduar, 500 mijë të ndjekur nga shtëpitë e tyre, prej të cilëve jashtë Kosove 190 mijë, 450 fshatra të shkatërruara, 43 500 shtëpi, objekte banimi dhe dyqane …

Edhe sot e kësaj dite, ndonëse nga koha e bombardimeve ka kaluar gati një vit, nganjëherë nuk jam krejtësisht i sigurt se policët amerikanë, të cilët ua bëjnë me dorë fëmijëve të mi deri sa i çoj në çerdhe, apo ushtarët britanikë, të cilët patrullojnë edhe nëpër terrenin me baltë prapa objektit tonë banesor, janë të vërtetë dhe se tërë ajo që ka ndodhur në Kosovë para një vit ka ndodhur me të vërtetë. Ngjarjet, dhe kthesa të cilën e kanë sjellë këto ngjarje, janë aq të mëdha dhe njëkohësisht aq traumatike dhe, si të tilla, ato i kanë këputur diku fijet te jetës sonë. Por, fëmijët tanë më nuk jetojnë me frikë dhe e ardhmja e tyre më nuk është “e ngrirë”.

/Telegrafi/