LAJMI I FUNDIT:

E djeshmja nuk është më

E djeshmja nuk është më

Ditët e para në detyrë të Presidentit Trump dëshmojnë se trashëgimia e mandatit të tij të parë nuk mund të shërbejë domosdoshmërish si udhërrëfyes për katër vitet e ardhshme. Rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë është konfirmim i një botëkuptimi të ndryshëm për rendin ndërkombëtar nga ai që jemi mësuar që prej rënies së Murit të Berlinit.

Të dallueshëm në vlera

Shkalla e ndryshimit strategjik të ShBA-së është më e dukshme në qasjen e tyre ndaj aleatëve evropianë. Qëndrimet e mbajtura nga zëvendëspresidenti Vance në Konferencën e Sigurisë në Munih, alarmuan shumicën e udhëheqësve evropianë dhe thelluan ndarjet politike brenda BE-së. Megjithëse forumi më i lartë i sigurisë, në fjalimin e Vanceit nuk kishte asnjë fjalë për kërcënimet e jashtme të sigurisë me të cilat përballet bashkësia euroatlantike, fjalimi i tij përmbante disa të vërteta të hidhura në lidhje me vlerat dhe parimet e përbashkëta që rregullojnë bashkëjetesën demokratike, një pjesë e të cilave, për fat të keq, më shumë predikohen sesa praktikohen.


Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, liberalët u bënë kampionë të promovimit të demokracisë dhe lirisë. Ndërsa, tani, vendet janë këmbyer. Janë konservatorët që po u mëshojnë vlerave dhe parimeve të demokracisë. Ata mendojnë se këto vlera janë vënë në rrezik si pasojë e hipokrizisë apo kufizimeve të aplikuara nga liberalët. Në këtë pikë, mesazhi nga Vancei ishte kumbues: “ShBA-ja nuk është më në një linjë me Evropën për vlerat që i konsiderojnë thelbësore në një sistem demokratik”.

Është e qartë se ekipi kryesor i presidentit Trump e sheh Evropën më shumë si një cikël zgjedhor eksperimental, pas suksesit të tyre në ShBA, sesa një partnere politike, ekonomike apo ushtarake. Çka do të thotë se spektri politik i pas disa viteve në Evropë mund të jetë krejt i ndryshëm nga ai që jemi mësuar deri tani, si pasojë e ndikimit amerikan. Fuqizimi i partive të frontit të djathtë në Gjermani, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar përbën përparësi për rrethin e ngushtë të presidentit Trump. Administrata Trump e konsideron Azinë si skenën qendrore, ndërsa Evropa nuk ka më të njëjtën rëndësi, qoftë strategjikisht apo kulturalisht. Kjo do të jetë një sfidë themelore për evropianët, të cilët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe rënia e Murit të Berlinit, e kanë konsideruar marrëdhënien e tyre me ShBA-në si një marrëdhënie të bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, me fokus në sigurinë kolektive, sundimin e së drejtës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe një sistem transparent dhe shumëpalësh të tregtisë së lirë.

Për Trumpin, një rikalibrim i përparësive amerikane anembanë botës është i vonuar. Si superfuqia e vetme ushtarake në botë, ShBA-ja duhet të përballojë sfida në tri fronte: në Evropë, në Lindjen e Mesme dhe në Azi. Mirëpo, realitetet ekonomike dhe ushtarake kërkojnë një zhvendosje të konsiderueshme të burimeve larg Evropës. Administrata Trump vlerëson në mënyrë të ngjashme çrregullimet e tregtisë globale, pavarësisht origjinës së tyre, mungesën e politikës industriale që lejoi zbrazjen e shtresave punëtore dhe të mesme, sikundër politikën në fushën e teknologjisë që do të ndikojë në balancën gjeopolitike për dekadat e ardhshme. Në këtë kontekst shtrohet pyetja: Çfarë janë të përgatitur të bëjnë evropianët?

Presidentja e Komisionit Evropian, e cila në Davos foli për pasojat e epokës së “garës së egër gjeostrategjike”, në Munih pranoi “krizën në marrëdhëniet euro-atlantike”. Për shkak të kësaj situate të re, e cila do të ketë pasoja jo vetëm politike, fuqia ekonomike e Evropës merr përparësi strategjike krahasuar me përparësitë e deridjeshme që kishin të bënin me zbatimin e agjendës së gjelbër. Raportet e ish-kryeministrit italian Draghi për konkurrueshmërinë dhe ish-kryeministrit italian Letta për tregun e brendshëm, paraqesin një hartë rruge për fuqizimin e Evropës në përballjen me këtë realitet të ri.

Në tryezë apo në meny?

Pozicioni i përbashkët i aleancës së NATO-s, “asnjë marrëveshje për Ukrainën pa ukrainasit në tryezë”, mori një goditje të fortë teksa ShBA-ja dhe Rusia rivendosën urat e komunikimit në nivelin presidencial dhe u ulën në tryezën e bisedimeve të nivelit të lartë në Riad. As ukrainasit dhe as evropianët nuk ishin pjesë e kësaj tryeze, por e menysë. Duhet kujtuar se samiti i parë i Trumpit me Putinin në Helsinki në vitin 2018, shkaktoi valë tronditëse në Evropë, pasi dukej një takim shpërfillës ndaj shqetësimeve evropiane të sigurisë. Megjithatë, nuk pati shumë ndikim në drejtimin e përgjithshëm të politikës së ShBA-së, e cila vijoi të ishte e ashpër ndaj Rusisë. Ia vlen të kujtojmë gjithashtu strategjinë që përdori presidenti Trump kur u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut. Ai arriti një marrëveshje me të duke pezulluar stërvitjet ushtarake amerikane me Korenë e Jugut, në këmbim të një pezullimi të testeve të raketave koreano-veriore. Pavarësisht alarmit që shkaktoi tek aleati tradicional, Trumpi korri një sukses të rëndësishëm diplomatik me Korenë e Veriut. Kështu që, gatishmëria e Trumpit për të negociuar drejtpërdrejt me Putin, pa evropianët në tryezë, nuk është një praktikë e panjohur. Mirëpo, ulja në tryezë me Rusinë paraqet një ndryshim të pozicionit amerikan, nga mbështetës të Ukrainës në ndërmjetës midis saj dhe Rusisë.

Që prej agresionit rus në Ukrainë, amerikanët dhe evropianët kanë bashkërenduar mbështetjen për Ukrainën, sanksionet kundër Rusisë dhe përgatitjet për rindërtimin e Ukrainës. Artikulimi në publik nga zyrtarët e lartë të administratës Trump se “rikthimi i Ukrainës në kufijtë e para vitit 2014 dhe anëtarësimi në NATO janë opsione jorealiste”, shkaktoi jo pak nervozizëm tek evropianët. Rasti i Ukrainës tregon se siguria e NATO-s dhe ajo e Evropës nuk janë më një dhe e njëjta gjë. Nga sfidat me të cilat përballet Evropa, siguria është më e ngutshme. Përfundimi i agresionit rus në Ukrainë është një objektiv i dëshirueshëm, por mënyra se si mund të arrihet ky objektiv do të jetë përcaktues për sigurinë evropiane. Ndërsa Ukraina përfaqëson sfidën e menjëhershme, sigurimi i sovranitetit evropian është një projekt shumë më kompleks dhe afatgjatë. Evropianët duhet të rimendojnë sistematikisht qasjen e tyre ndaj sigurisë. Nëse do të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, zbatimi i saj do të bjerë kryesisht mbi shpatullat e evropianëve, pasi ShBA-ja ka bërë të qartë se do të reduktojnë angazhimin e tyre në Evropë. Ndaj, evropianëve do t’u duhet të gjejnë një ekuilibër midis zbatimit të paqes në Ukrainë dhe ruajtjes së kapacitetit për të mbrojtur territoret e tjera në kufi me Rusinë.

Në planin afatgjatë, evropianët do të jenë në gjendje më të mirë nëse Ukraina, në një mënyrë a tjetër, bëhet pjesë integrale e mbrojtjes evropiane.

Fituesit dhe humbësit

Është ende herët për të thënë se cilët do të jenë fituesit dhe humbësit e vërtetë nga kjo situatë. Megjithatë, nuk ka dyshim se e djeshmja nuk mund të rikthehet më. Pozita gjeopolitike e Evropës është zvogëluar ndjeshëm. Mënyra e vetme për ta rivendosur atë është shqyrtimi i opsioneve të pamendueshme deri dje. Një nga rregullat themelore të gjeopolitikës është planifikimi i skenarëve më të këqij. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, thuajse i gjithë mendimi strategjik evropian bazohej në skenarin më të mirë, sipas të cilit ShBA-ja do të vijonte të jepte të njëjtin kontribut për sigurinë evropiane. Tani mund të thuhet se siguria e Evropës nuk është më një shërbim i ofruar nga ShBA-ja. Megjithatë, siguria evropiane nuk është e papajtueshme me bashkëpunimin e ngushtë me ShBA-në.

Dymijë vjet gjeopolitikë na kanë mësuar se fuqitë e mëdha vendosin në plan të parë interesat e tyre dhe, nëse është e nevojshme, sakrifikojnë interesat e aleatëve të tyre. Presidenti Trump po sillet si një aktor gjeopolitik duke vënë në plan të parë atë që e konsideron si interesin amerikan. Pak a shumë pozicioni i tij është se amerikanët kujdesen vetëm për interesat amerikane dhe se të tjerët duhet të kujdesen vetëm për veten e tyre. Evropa nuk ka zgjedhje tjetër veçse të përgjigjet me të njëjtën monedhë, duke punuar me vendosmëri për mbrojtjen e interesit të saj. Fuqizimi i pozitës gjeopolitike të Evropës fillon me ushtrimin dhe zgjerimin e përgjegjësive të saj për sigurinë e kontinentit.

Evropianët duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të ndërtuar kapacitetet industriale mbrojtëse, duke krijuar njëkohësisht vende të sigurta pune, duke i dhënë vetes mjetet e sovranitetit dhe duke u bërë aleatë më të dobishëm për ShBA-në. ShBA-ja dhe Evropa kanë pronësi të përbashkët, edhe pse në mënyrë të pabarabartë, të udhëheqjes botërore. E djeshmja nuk është më. Ndaj është koha që ShBA-ja dhe BE-ja të formulojnë një marrëveshje të re bashkëpunimi për dekadat që vijnë. /Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”/