E ardhmja e harruar
Gjithmonë është thënë se rinia është e ardhmja e një shteti, ndërsa rinia e shtetit tonë për dymbëdhjetë vjet po frymon në hapësira të rrethuara nga antivlerat; po jeton në frymën e pesimizmit dhe në pamundësi për t’i realizuar ëndrrat e tyre.
Rinia është mbërthyer brenda një konfuzioni shumë të paqartë për të ardhmen e tyre, ngase është shtresa më e harruar e shoqërisë sonë.
Sot rinia jonë po ushqehet me bukën e gatuar me brumin e korrupsionit.
Pas dymbëdhjetë vjetëve në liri, katër vjet të pavarësisë së shtetit, qytetarët e Kosovës po kalojnë kohë shumë të rënda, e si pasojë e gjithë kësaj është ekonomia jofunksionale, papunësia në rritje, sistemi shëndetësor në gjendje të mjerueshme - ku nuk ofrohet as ndihma minimale për shërim - arsimi shkollor i të gjitha niveleve në gjendje kaotike, gjyqësori i menaxhuar dhe i telekomanduar në mënyrë indirekte nga organet e pushtetit qendror etj.
Kjo politikë dinake ka injektuar tek të rinjtë ndjenjën e pesimizmit dhe ata e planifikojnë të ardhmen e tyre jashtë vendlindjes, sepse në Kosovë janë mbyllur rrugët e së ardhmes. Sot, një pjesë e madhe e rinisë ka humbur interesimin për shkollim, sepse me fakultet e kryera nuk kanë mundësi punësimi. Jo pse nuk posedojnë dijeni, por ngase nuk janë pjesë e strukturave politike, ose nuk e kanë ndonjë të afërm në organet e shtetit. Nga ky nepotizëm i madh që ka përfshi të gjitha nivelet institucionale, mundësia për punësimin e të rinjve mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar.
Shumë të rijnë për shkak të mungesës së perspektivës për jetë më të mirë, janë të frustruar dhe veprojnë në mënyra të ndryshme. Një pjesë e tyre mundohet t’i shpëtoj gjendjes pasive dhe pa shpresë për të ardhmen, duke e ndjekur rrugën e emigracionit në shtetet perëndimore. Pjesa tjetër e rinisë bredh tërë ditën dhe i frekuenton kafeteritë për ta larguar monotoninë, ngase nuk kanë mundësi për t’u marrë me ndonjë aktivitet tjetër që ju sjell dobi. Ndërsa, disa merren me punë ilegale, bredhin rrugëve, konsumojnë drogë...
Klasa politike duhet t’i ndryshoj qëndrimet dhe veprimet e veta ndaj rinisë, duke iu mundësuar qasje në jetën institucionale dhe në organizata ku mund t’i shprehin idetë dhe vizionet që kanë për të ardhmen e tyre. Sepse, rinia e orientuar sipas principeve të drejta shoqërore është themeli i shoqërisë që krijon udhëheqësit e së nesërmes dhe është shpresa e së ardhmes.
Gjaku i pastër rinor është garanci e qëndrueshmërisë së ç’do vendi dhe shteti, andaj kjo rini ka nevojë për përkujdesje shtetërore, duke filluar nga edukimi, shkollimi, siguria, avancimi i vlerave gjithëpërfshirëse, si dhe angazhimi për eliminimin e faktorëve që prodhojnë urrejtje dhe destabilizim.





















































