John Taylor dhe Nick Rodhes – anëtarët e grupit ikonik të viteve 1980, Duran Duran – për gazetarin e ditores “The Guardian”, Andy Welch, rrëfejnë për procesin e krijimit të këngës dhe të video-klipit të këngës “Rio”. Këtë shkrim Telegrafi e sjell të plotë si më poshtë.

John Taylor, basist: Isha i fiksuar pas shkrimit të këngëve, me të cilat do të niste koncerti. Thosha: “Duhet të kemi një këngë hapëse!” Kam punuar në këtë ritëm me Roger Taylorin, bateristin tonë. Nuk na dilte nga mendja. E luanim gjatë çdo kontrolli të zërimit, në çdo provë, me synimin që të funksiononte. U ndalëm në këtë ritëm dhe e dija se e kishim zbërthyer. Ishte “Rio”.

Reklama
Reklama

Ishin fillimet e viteve 1980 dhe të gjithë ne luanim shkëlqyeshëm (në instrumente), me besim absolut. Bëhesh i tillë kur ke 60 koncerte në gjashtë muaj. Kënga është si blic. Më pëlqen të them se bazohet në linjat e basit të një të riu. Duke u bërë më i vjetër, nisa të mendoja më ekonomikisht. Mbase mund ta arrija të njëjtin efekt pa luajtur në kaq shumë nota.

Reklama

Më pëlqente (grupi) Chic. Meqë nuk e kisha asnjë iluzion se mund të interpretoja si (basisti) Bernard Edwards, përpiqesha të shkoja në atë drejtim. Por, them se kishte fuqi ajo që bëra në “Rio”. Brian Eno në ditarët e tij ka thënë se ishte gjithmonë emocionuese kur e dëgjoje ndonjë grup që luante në kufirin e aftësive, edhe nëse ato aftësi ishin të ulëta, dhe ai ka të drejtë. Në thelb kënga është gjithçka që kishim mësuar deri në atë moment. Por, nuk kishte pakënaqësi për këtë, pavarësisht se të gjithë luanin diçka dhe secili thoshte: “Unë, unë, unë!”

Reklama

Kohët e fundit, kur unë dhe gruaja ktheheshim në shtëpi nga një restorant, e lëshova KLOS-in, një stacion të muzikës rock me bazë në Los Anxhelos, ku ne sot jetojmë. Gjëja e parë që dëgjova ishte për linjën time të basit në “Rio”, nga dy djem që flisnin për të, duke e analizuar. Nuk mund ta besonin se luajta ashtu, për shtatë minuta. Dhe, kjo më bëri të kuptoj se, po, kjo këngë është q… n… dhe askush nuk do të jetë në gjendje ta largojë nga ne. Mund ta provosh këtë. Duran Duran kanë marrë shumë ndëshkime përgjatë viteve – disa prej tyre i merituan – por kjo pistë është këtu, për të rezistuar.

Reklama
Reklama

Kjo është ajo që ndodhë kur janë pesë djem të rritur me muzikat glam, punk dhe beat, me guximin për të menduar se kanë diçka për të thënë, duke u shtyrë me njëri-tjetrin dhe duke shkaktuar kimi të jashtëzakonshme. Është mahnitëse.

Nick Rhodes, sintisajzerist: Isha 19 vjeç dhe shumë ambicioz, si çdo anëtar tjetër i grupit. Për çdo ditë përparonim, me shpejtësi të madhe. Mezi flinim, jepnim çdo intervistë që mundeshim, shkonim në çdo paraqitje televizive që na ofrohej. Rrinim zgjuar deri në mes të natës duke i modifikuar këngët, incizimet dhe tingujt. Ia dhamë jetën grupit Duran Duran.

Rio është përzierje e çuditshme. Për hyrje i incizova tingujt e shufrave metalike të grand-pianos, një lloj eksperimentalizmi i frymëzuar nga Karlheinz Stockhausen dhe John Cage. Edhe pse videoja si asgjë tjetër i kap momentet e kulturën pop, unë ende kam ndjenja të përziera për të. Nuk do të kisha pranuar ta thosha këtë gjatë asaj kohe, por atëherë isha i shqetësuar nëse uji i kripur stërpikej në kostumin tim të kreatorit Antony Price. Simon Le Bon, këngëtari ynë, njeriu i veprimit, i pëlqen të gjitha këto, por unë nuk isha i lumtur. Nuk më pëlqejnë varkat. Megjithatë, të qenit në një jaht në Karaibe dhe të veshësh kostum të shtrenjtë nuk ishte gjëja më e keqe në botë. Dhe, zgjati në vetëm disa ditë të jetës sime.

Reklama
Reklama

Megjithatë, dukej se gjithçka që bënim ishte që të pinim martini nëpër jahte. Është e vështirë të përballesh me këtë. Na e vështirësoi punën të vlerësohemi seriozisht kur dukej sikur të gjithë e kishim “mënyrën e jetesës të të pasurve dhe të famshmëve”. Por, ideja ishte për të bërë diçka të pasur dhe të ndritshme që do të shkonte me këngën. E, çfarë nuk shkon me këtë aspiratë?

Në atë kohë ishin të shumta grupet që donin të rrinin në Mbretërinë e Bashkuar dhe që ankoheshin dhe bënin këngë rënkuese. Është gjë e mirë kjo. Më pëlqejnë këngët rënkuese. Por, ne e kuptuam mirë atë çfarë ndodhte në Mbretërinë e Bashkuar – kemi kaluar nëpër fundin e viteve 1970, që ishte periudhë mjaft e errët, dhe donim të dilnim nga aty. Donim pak dritë. U rritëm në Birmingemin e vjetër e të bukur, një vend që e dua shumë, si dhe njerëzit e tij, por nëse e keni parë horizontin e vitit 1978 në Birmingem, më lejoni t’ju them se nuk do donit të rrinit aty.

Reklama
Reklama

Sa i përket tekstit, shumicën e herëve nuk di se çfarë shkruan Simoni. Dhe, kjo më pëlqen – pak surrealizëm ose abstraksion. Tekstet duhet t’i lënë gjërat të jenë paqarta. Kur gjërat janë bardh dhe zi, rrallëherë janë aq interesante. Njerëzit ende përpiqen ta zbërthejnë “Rion”. Mendoj se edhe Simoni e bën të njëjtën. /Telegrafi/