LAJMI I FUNDIT:

Dy parti politike dënohen nga KQZ me 750 euro, dorëzuan me vonesë formularët e përditësimit të të dhënave të tyre

Dy parti politike dënohen nga KQZ me 750 euro, dorëzuan me vonesë formularët e përditësimit të të dhënave të tyre
Foto: Arkiv

Dy parti politike, Partia Kosovskih Srba dhe Kosova Adalet Türk Partisi, janë gjobitur të enjten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Këto dy parti politike, që vijnë nga radhët e komunitetit serb dhe turk, u gjobitën nga KQZ për shkak se nuk respektuan afatin 31 janar 2024 për dorëzimin e azhurnimeve/përditësimeve të të dhënave të tyre.


Partia Kosovskih Srba u dënua me 250 euro, ndërsa e Kosova Adalet Türk Partisi me 500 euro.

PKS dorëzoi raportin e saj në KQZ me 5 ditë vonesë, ndërkaq KTAP u vonua me 8 ditë, raporton Telegrafi.

Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë, si për çdo vit tjetër, edhe kësaj radhe kanë qenë të obliguara që të dorëzojnë në KQZ të dhënat e ndryshuara vjetore deri në fund të janarit, të cilat duhej të përfshinin, ndër tjerash: shënimet e përgjithshme për partinë politike, shënimet për organin më të lartë ekzekutiv të partisë politike, zyrat e partisë politike dhe përfaqësuesit e degëve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 50 parti politike të regjistruara në Kosovë, 46 parti politike kanë dorëzuar formularët me të dhënat e përditësuara brenda afatit, dy parti politike me disa ditë vonesë dhe dy tjera nuk kanë dorëzuar ende këtë raport. /Telegrafi/