Dukagjini ka arritur të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi ka mposhtur me rezultat 3-0 në shtëpi Feronikelin ’74.

Për epërsinë e vendasve u përkujdes Dienit Isufi i cili në minutën e 16-të u tregua gjakftohtë përballë portierit mysafir për të realizuar për rezultatin 1-0.


Teksa po zhvillohej minuta e 38-të e takimit, Dukagjini ia doli të dyfishojë shifrat.

Kësaj radhe autor i golit ishte Altin Mërlaku i cili me një goditje fantastike realizoi nga distanca për rezultatin 2-0.

Në pjesën e dytë vendasit ia dolën të menaxhojnë mirë epërsinë e krijuar në 45 minutat e para madje duke shënuar edhe një gol tjetër, ndërsa mysafirët ishin të pafuqishëm për të bërë ndonjë ndryshim në rezultat.

Për rezultatin përfundimtar të takimit 3-0 u përkujdes Mërgim Pefqeli që realizoi në minutat e fundit të takimit.

Përveç Dukagjinit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës janë kualifikuar edhe Ballkani dhe Ferizaj, teksa të enjten do të mësohet edhe gjysmëfinalisti i katërt me ndeshjen që pritet të zhvillohet mes Malishevës dhe Llapit./Telegrafi/

telegrafi sport app