ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, ka vizituar fermerin Smajl Morina nga fshati Gegjë, duke vlerësuar punën dhe rezultatet e tij në kultivimin e kulturave bujqësore.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Bujqësisë, gjatë vizitës është parë nga afër gjendja e kulturave bujqësore, ndërsa është theksuar se rezultatet e fermerit janë dëshmi e punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm.


“Ajo që pamë nga afër ishte dëshmi e qartë se suksesi në bujqësi nuk vjen rastësisht. Me shumë punë, përkushtim dhe dashuri për tokën, z. Morina ka arritur rezultate që meritojnë çdo vlerësim”, thuhet në njoftim.

Drejtoria bëri të ditur se specat e fermerit ndodhen në një stad të avancuar të zhvillimit për këtë periudhë të vitit, ndërsa edhe plantacioni i shalqirit është në gjendje shumë të mirë.

Sipas të dhënave të publikuara, Smajl Morina kultivon pesë hektarë me shalqi, tre hektarë me speca dhe pesë hektarë me grurë.

“Në sipërfaqet e tij prej 5 hektarësh me shalqi, 3 hektarësh me speca dhe 5 hektarësh me grurë, pasqyrohet mundi i përditshëm i një fermeri që nuk kursen as kohën e as përpjekjen për të nxjerrë më të mirën nga toka”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Bujqësisë e cilësoi Morinën si një shembull të përkushtimit në sektorin e bujqësisë, duke theksuar se fermerët e tillë meritojnë mbështetje të vazhdueshme.

“Fermerë si z. Smajl Morina janë shembulli më i mirë se bujqësia jonë ka potencial të madh kur shoqërohet me punë të ndershme, vizion dhe përkushtim. Ata meritojnë respektin dhe mbështetjen e të gjithëve”, thuhet më tej.

Nga Drejtoria e Bujqësisë u theksua se institucioni do të vazhdojë të mbështesë fermerët e komunës.

“Drejtoria do të vazhdojë të jetë pranë çdo fermeri, duke i mbështetur dhe duke vlerësuar punën e tyre, sepse zhvillimi i bujqësisë fillon nga njerëzit që e punojnë tokën me zemër”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/