LAJMI I FUNDIT:

Drama shqiptaro-ruse, mes dashurisë dhe urrejtjes për Stalinin dhe Titon: Khrushchevi donte ta eliminonte Enver Hoxhën

Drama shqiptaro-ruse, mes dashurisë dhe urrejtjes për Stalinin dhe Titon: Khrushchevi donte ta eliminonte Enver Hoxhën

Edhe pas afro 60 vjetësh, mbledhja e 81 partive komuniste në Moskë vazhdon të zgjojë interes në shumë aspekte. Ajo mbledhje ishte me rëndësi botërore. Por, të vërtetat e asaj mbledhjeje nuk janë thënë ende plotësisht.

Komunistët sundonin në gjysmën e botës dhe pikërisht në atë mbledhje mund të thuhet se filloi rënia e komunizmit. Divergjencat parimore në atë mbledhje do të shfaqeshin në shumë aspekte… Nga veprat e Enver Hoxhës kemi mësuar për përplasjen e madhe shqiptaro-ruse në atë mbledhje, përplasje që do të çonte në prishjen përfundimtare të marrëdhënieve. Në atë mbledhje merrnin pjesë udhëheqja më e lartë e partisë dhe shtetit shqiptar: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia dhe të tjerë.


Një nga personazhet më interesantë të mbledhjes historike të nëntorit të vitit 1960, është padyshim Frederik Gjerasi. Ishte vetëm 27 vjeç në atë kohë dhe për aftësitë e jashtëzakonshme që kishte, ishte ndër tre përkthyesit kryesorë të Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 partive. Deri më sot ai nuk kishte folur asnjëherë se çfarë kishte ndodhur në sallën Gjeorgjevskaja dhe në Moskë.

Shtëpia botuese Argeta LMG ka botuar librin me kujtime dhe refleksione të Frederikut nën titullin intrigues “Drama shqiptaro-ruse”. Të vërtetat që Frederiku thotë në këtë libër janë vlera për kompletimin e tablosë të asaj që ai me të drejtë e quan “dramë”, por po aq të rëndësishme janë refleksionet që ai bën për ato ngjarje të pashlyeshme dhe për zhvillimet e mëvonshme.

Në vazhdim, mund të lexoni pjesën e librit ku thuhet se lideri sovjetik, Hrushovi (Nikita Khrushchev), donte ta eliminonte Enver Hoxhën”:

Në fillim Hrushovi sikur nuk kishte mendim të keq për Enver Hoxhën. Në udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik tashmë ishte krijuar një besim në miqësinë shqiptaro-sovjetike. Por, Enveri ishte irrituar shumë kur Hrushovi rivendosi marrëdhëniet me Jugosllavinë. Sovjetikët mbase kishin arsyet e veta në atë kohë që të afronin në anën e tyre këtë shtet të madh me popullsi kryesisht sllave, që kishin luftuar kundër fashizmit dhe udhëhiqeshin nga një parti që quhej “Lidhja e komunistëve jugosllavë”.

Hrushovi e kërkonte afrimin me Jugosllavinë edhe për të treguar, se gjoja fajin e prishjes së marrëdhënieve e kishte patur Stalini. Në të vërtetë, disa autorë që më vonë e kanë studiuar këtë problem, nuk rëndojnë me faj në mënyrë të njëanshme as Stalinin dhe as Titon. Edhe kinezët atëherë kishin lëkundje në qëndrimet ndaj Jugosllavisë, sepse niseshin pikërisht nga fakti që popujt e atij vendi kishin luftuar me repartet partizane në vitet e luftës.

Hrushovi po bënte ndërrime në udhëheqjet e vendeve socialiste, hiqte “dogmatikët” stalinistë dhe vinte njerëz që mbështetnin vijën e tij liberale, si Gomulka në Poloni, Kadari në Hungari. Zhivkovi në Bullgari etj. Në këto kushte, Enver Hoxha po shqetësohej shumë për fatin e vet. Aq më tepër kur Hrushovi rehabilitoi Titon. Enverit vërtet i hyri frika e ndonjë rreziku të mundshëm kundër personit të tij. E kishte ngritur në qiell Titon dikur, por pastaj e shante si askush tjetër.

Nuk e kuptoj, pse disa ngulin këmbë dhe shprehen sot kundër atyre, që vlerësojnë si shkak të prishjes së Enverit me Hrushovin frikën e tij se sovjetikët do ta rrëzonin, siç kishin vepruar me udhëheqje të tjera “dogmatike” në kampin socialist. Por këtë e pranon vetë Enveri në shkrimet e tij. Kështu, te “Hrushovianët” ai thotë se Hrushovi donte “ta marrë kalanë shqiptare nga brenda”, se ai luftonte që elementët antimarksistë “atje ku ishin në udhëheqje të viheshin nën kontrollin e tij dhe atje ku s’ishin, të silleshin, duke eliminuar udhëheqësit e shëndoshë me intriga, me puçe ose dhe me atentate”. Enveri përmend “vdekjet e çuditshme, të papritura” të Gotvaldit, Bierutit, madje të Dimitrovit. Të gjitha këto rrethana nuk mund të mos e trembnin Enver Hoxhën dhe ta shtynin drejt marrjes së qëndrimeve të guximshme për të ruajtur karrigen.

Enver Hoxha fliste me urrejtje për Titon, kurse ky i thoshte Hrushovit fjalë të rënda kundër Enver Hoxhës. Qysh në fjalimin e tij të Puljas, Tito kërkonte të hiqeshin nga postet Enveri dhe Mehmeti. Në kujtimet e veta, Hrushovi shkruan se kur do të normalizonte marrëdhëniet me Titon, qysh në vitin 1954, shumica e partive komuniste e mbështetën, me përjashtim të Enver Hoxhës, i cili “ka karakter të ashpër dhe kur flet për çka nuk i pëlqen, sikur ia kap fytyrën ngërçi dhe gati sa s’kërcet dhëmbët”. Nuk e kuptoj dot nëse këto përshtypje për Enverin i lindën vërtet Hrushovit qysh atëherë, në fillim apo pas gjashtë vjetësh, pas grindjeve të mëvonshme në Moskë, në nëntor I960. Ndoshta janë të dyja bashkë.

Për vizitën e tij në Moskë në qershor 1954, Enver Hoxha thotë se “Hrushovi bënte sikur nuk i vinte re qëndrimet e ndryshme që kishim me njëri-tjetrin për Jugosllavinë”. Me porosi nga Moska, ambasadori Leviçkin e takoi disa herë Enverin dhe i bënte presion që të mos kundërshtojë rivendosjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Pas një viti Mikojani e ftoi “për pushime” dhe qysh ditën e parë i la takim me Tempon në Moskë. Pas Kongresit 20, në dhjetor 1956, kur ishte thartuar me Titon pas ngjarjeve të Hungarisë dhe fjalimit në Pulja, Hrushovi në Moskë i bën elozhe dhe ngrinte dolli për Enver Hoxhën.

Në kujtimet e tij për këtë pritje, Hrushovi thotë se donin ta bënin Shqipërinë “një xhevahir që të joshte botën myslimane”… Dhe, vërtet, pas kthimit nga vizita në Moskë në dhjetor 1956, ku Hrushovi kishte hedhur idenë e bazës së nëndetëseve në Vlorë dhe premtonte xhevahire, Enveri tha se shembulli i Shqipërisë do t’i ndihmonte vendet e botës myslimane të shohin se “marksizëm- leninizmi ishte fari ndriçues i jetës së begatshme e të lirë të popujve”. Ai sikur e besoi që Hrushovi nuk kishte ndërmend ta hiqte.

Në mbledhjen e Moskës të partive komuniste në nëntor 1957, ku ishte dhe Mao Ce Duni, Enverit i kishin rënë në sy divergjenca ideologiike të sovjetikëve me kinezët, të cilët dolën me parullën “imperializmi është tigër prej letre”. Enver Hoxha ndiqte me interes vërejtjet e kinezëve për kongresin 20 dhe më pas qëndrimet e tyre të hapura ndaj Hrushovit. Por, udhëheqja kineze në të vërtetë nuk kishte për Stalinin vlerësime të njëjta me udhëheqjen shqiptare. Kinezët thonin se “Stalini ishte një udhëheqës i madh, që ka bërë gabime të mëdha”. Kurse, Enver Hoxha nisej nga pozita dogmatike dhe nuk pranonte që Stalini kishte bërë gabime. 

Me 1958 De Goli nuk pranoi të vendoseshin në Francë raketat amerikane. Atëherë Hrushovi mendoi që nga Shqipëria të kërcënonte Italinë e Greqinë dhe të propozonte që Ballkani dhe Adriatiku të ktheheshin në një zonë pa armë bërthamore dhe pa raketa. Ishte vazhdim i tezës utopike të Hrushovit për “botën pa ushtri, pa armë e pa luftëra”. Ai erdhi për vizitë në Shqipëri në maj 1959 dhe, sapo zbriti nga aeroplani, siç dihet, kërkoi të mos flitej për Jugosllavinë gjatë ditëve që do të qëndronte në Shqipëri.

Hrushovi i rekomandoi shqiptarëve të mbjellin më shumë agrume, se të gjitha ja blen Bashkimi Sovjetik. Por, Enveri kërkonte uzinë metalurgjike.

Pas prishjes u tha se Hrushovi donte ta bënte Shqipërinë “si kolonitë e bananeve”, dhe siç i kishte thënë Malinovskit që në Butrint mund të ndërtohej një bazë ideale për nëndetëse.

Gjatë ditëve të qëndrimit të Hrushovit në Shqipëri si përkthyes ishte Agim Popa. Myfit Mushi ishte transferuar nga aparati i KQ në Ministrinë e Jashtme. Shkak duhet të ketë qenë se pas dënimit të Teme Sejkos nuk po shiheshin me sy të mirë shumë kuadro nga Çamëria. Ditën e fundit, kur Hrushovi do të fliste nga ballkoni i ish-godinës së komitetit ekzekutiv të Tiranës, u ndesha në korridoret e aparatit me Liri Belishovën, e cila ishte treguar shumë aktive në organizimin e pritjes së Hrushovit. Më tha të bëhesha gati se do të lexoja përkthimin e fjalës së Hrushovit në miting. I fola Agimit për këtë, por e pashë që ai donte ta lexonte vetë dhe unë nuk e zgjata. /Dita/

Në trend Lajme

Më shumë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Theret me thikë një person te Liqeni i Batllavës në Orllan

Theret me thikë një person te Liqeni i Batllavës në Orllan

Kronika e Zezë
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori