LAJMI I FUNDIT:

Dr. Valon Baraliu, eksperti shqiptar që po lë gjurmë në neurokirurgjinë ndërkombëtare

Dr. Valon Baraliu, eksperti shqiptar që po lë gjurmë në neurokirurgjinë ndërkombëtare
Dr. Valon Baraliu, Neurokirurg

Të gjitha rrugët janë të gjata, por rruga e shkencës, sikur nuk ka fund. Një aforizëm thotë se, “po pate për të ecur 1000 km rrugë, ajo fillon me hapin e parë“. Duket se në këtë rrugë hapëroi edhe dr. Valon Baraliu, i cili arriti cakun falë peshës së kësaj këmbëngulje


Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Dr. Valoni, vendosi të ndiqte rrugën e tij, i bindur që do t’i sillte suksesin duke qenë besimplotë se do të arrinte synimet siç u vërtetua edhe ndër vite, kur e nisi rrugëtimin drejt majave në universitetet zulmadhe evropiane e më larg.

Ndonëse ende i ri, ai sot mban mbi supe një karrierë të bujshme në fushën e neurokirurgjisë, por edhe me shumë ide të qarta për të ardhmen, në një profesion shumë delikat ku kërkohet përgatitje e lartë profesionale, vëmendje, guxim; aty ku duhet të jesh i ndjeshëm e human dhe në të njëjtën kohë i drejtë në vendimet klinike që do të marrësh.

Të shohësh frikë në sytë e një pacienti të sëmurë, pasiguri, shpresë dhe dëshirë për jetë, është tundim i papërmbajtur, por është pjesë e pandashme e punës së përditshme të dr. Valonit dhe neurokirurgëve të tjerë. Prandaj, gjithsesi, mjekët shqetësimet dhe dilemat e tyre sikur i ndrydhin dhe, kësisoj mbesin heronj të përjetshëm.

Dr. Valon Baraliu në këtë intervistë rrëfen për profesionin e jetës, për luftën mes emocioneve të pashmangshme e sfiduese, përgjegjësinë e madhe që mban ndaj betimit të profesionit, kujdesit ndaj pacientëve të cilëve gjithmonë u qëndron pranë, por edhe për ‘plagët’ e shëndetësisë sonë.

Dr. Valon, dihet se profesioni i mjekut përherë mbetet atraktiv. Përcaktimi juaj për mjekësi ishte reflektim juaji i brendshëm human apo sugjerim nga prindërit?

Profesioni i mjekut është profesion i nevojshëm gjatë gjithë historisë njerëzore dhe ka evoluar ashtu si gjithë njerëzimi. Është një profesion që kërkon përgjegjësi të madhe, njohuri të thella dhe përherë të përditësuara, vetmohim, disciplinë, gatishmëri të vazhdueshme për veprim, dashuri dhe shpesh sakrificë shumë të madhe në të mirë të popullit. Unë kam pasur fatin të lindi dhe rritem me një familje dhe prindër që më kanë mësuar dhe fisnikëruar me këto vlera që nga fëmijëria. Kështuqë, zgjedhja e profesionit të mjekut mendoj se ka qenë një vendim i natyrshëm i imi për t’u përsosur dhe bërë ky që jam sot. Do të thotë vendimin e kam marrë unë, por kam pasur përkrahjen e përhershme të prindërve.

Je keni patur fatin, por edhe talentin, kureshtjen dhe përkushtimin që profilizimin tuaj ta vazhdoni para ekspertëve eminentë në vende të ndryshme. Sa keni arritur të thithni dije dhe përvojë dhe, a mund të na përshkruani punën tënde?

Për të qenë mjek dhe specialist i mirë duhet kërkuar njohurinë gjithkund në botë dhe duhet të jemi gjithmonë mendjehapur ndaj mënyrave të reja të trajtimit. Posaçërisht dy specializimet e mija nga lëmia e Neurokirurgjisë dhe nënlëmia e Neurokirurgjisë spinale kërkojnë përditësim të vazhdueshëm.

Për këtë arsye unë kam filluar me studimet e mija themelore universitare mjekësore në Kosovë, kam vazhduar me ato pasuniversitare në Angli, Danimarkë, Holandë dhe Gjermani, pastaj kam mbaruar specializimin për Neurokirurgji dhe Kirurgji Spinale poashtu në Gjermani, ku jetoj e punoj edhe sot. Për thellim dhe përditësim njohurish e përvojash kam qenë dhe në vende të ndryshme nga Zvicra, Franca, Italia e SHBA-ja e deri në Lindjen e Largët e Afrikë.

Kjo më ka ndihmuar të marr shumë njohuri shumë të çmueshme profesionale dhe jetësore, ti shoh problemet kirurgjike dhe zgjidhjet nga këndvështrime të ndryshme, t’i kombinoj shkollat dhe metodat e ndryshme aktuale botërore dhe pastaj të krijoj një mendësi, qasje e metodologji efikase neurokirurgjike brenda trendeve të pranuara ndërkombëtarësh , të cilën tash ua mësoj në baza ditore kolegëve të rinj.

Ndonëse ndërhyrjet neurokirurgjike konsiderohen të vështira, gjatë punës suaj jeni përballur me raste të ndryshme, të rënda gjithsesi, por edhe me anomali të shumta. Si keni arritur t’i përballoni këto dallgë të punës suaj?

Profesioni i neurokirurgut është jashtëzakonisht me përgjegjësi për shkak se trajton Trurin dhe Palcën kurrizore që janë organe vitale për funksionim të organizmit. Një trajtim i gabuar neurokirurgjik mund të shkaktojë pasoja e komplikime të pakthyeshme shëndetësore, kështuqë ne nuk e kemi komoditetin të mos jemi të gatshëm për të kryer punën tonë.

Si neurokirurg duhet të jemi mendërisht, fizikisht dhe profesionalisht jashtëzakonisht të përgatitur e kjo arrihet në rend të parë përmes një procesi shumë të gjatë dhe të stërlodhshëm të shkollimit dhe përvojave profesionale të cilat na përgatitin dhe kalitin për çdo lloj sfide. Megjithatë, për të përballuar dallgët e profesionit duhet që në rend të parë ta duam neurokirurgjinë dhe të kemi disiplinë spartakiane në çdo aspekt. Kush nuk i përmbushë këto dy kritere, mendoj se, duhet të orientohet në lëmi tjera mjekësore.

Thënia se “Zoti në qiell dhe mjeku në tokë” ende mbetet si një slogan i besuar dhe i çmuar. Sa po ruhet ky imazh për mjekësinë tonë?

Unë mendoj se çdo mjek ose profesionist mjekësor i cili është shkolluar për Mjekësi dhe ka dhënë një betim kundrejt shkencës dhe pacientit, është dhe duhet të jetë i udhëzuar nga filozofia e kësaj thënieje. Normalisht që mundet gjithmonë të ketë përjashtime por ne si shoqëri nuk duhet kurrë të bëjmë përgjithësime.

Imazhi i mjekësisë sonë është çështje e perceptimit individual dhe në masë të madhe si rezultat i pasqyrës së krijuar nga ambienti ku jetojmë, nga niveli personal i edukatës dhe nga ndikimi i mediave.

Mendoj se rrjedhja e postimi i pakontrolluar i informacioneve të pafiltruara, të paverifikuara, të paramenduara, shpesh skajshmërisht joprofesionale, të anshme e të nxitura nga qëllime financiare, politike e personale të individëve, mediumeve ose qarqeve të ndryshme shoqërore, kanë krijuar dhe po krijojnë një armiqësi, negativitet dhe një dukje të pashpresë për Mjekësinë dhe mjekët në Kosovë.

Si shembull mund t’i merrni faktet e thjeshta si psh. në QKUK dhe spitalet rajonale bëhen përditë operacione dhe trajtime të komplikuara që duke marrë parasysh rrethanat dhe kushtet në të cilat operohet, lirisht mund të quhen si heroike, shpëtohen jetë njerëzish e luftohet ditë e natë me intensitet e dinjitet vetëmohues e gati mbinjerëzor, por opinioni i gjerë nuk e ka idenë për këtë punë për shkak se nuk shkruhet e as propagandohet askund. Në anën tjetër, çdo gabim eventual sado i vogël profesional që mund t’i ndodhë çdo mjeku në botë, për disa klikime fryhet, shpërndahet e stërkeqet deri në masën ku mjeku kryqëzohet publikisht e gati shpallet ‘armik i popullit’. Kjo shkakton prishje të padrejtë dhe të paramenduar të imazhit mjekësor.

Shteti duhet për këso raste urgjentisht të krijojë struktura dhe konjuktura ligjore për kontrollimin e vërtetësisë dhe kundër keqpërdorimit të informacioneve dhe, njëherazi të investojë në promovimin e sukseseve profesionale mjekësore. Kjo pastaj si rrjedhojë rregullon imazhin e vërtetë dhe kthen besimin e popullit të mjekët e mirëfilltë.

Korifenj të kirurgjisë shqiptare: Dr.Valon Baraliu – neurokirurg, Prof.Dr.Mentor Petrela – neurokirurg dhe Prof.Dr.Arben Beqiri – kirurg abdominal

Specialistët tanë, përtej sakrificës profesionale, mendore e fizike, po shtrëngohen të largohen nga vendi? Sa është kjo shqetësuese për shoqërinë tonë?

Çdo largim nga vendlindja është i vështirë dhe shqetësues pavarësisht arsyet. Përshtatja jetësore, kulturore dhe shpirtërore në vend të huaj është proces që merr kohë, është shumë stresues dhe shumë i vështirë posaçërisht kur ndodh në një moshë të pjekur si është rasti i mjekëve.

Për këtë arsye është shumë me rëndësi të ekzistojë një vizion dhe qëllim në rastin e largimit. Unë për vete jam larguar nga Kosova ekskluzivisht për shkak të avancimit tim profesional i cili për shkak të specifizitetit të specializimit tim, ka qenë dhe është deficitar në Kosovë dhe në botë. Mirëpo qëllimi dhe vizioni im ka qenë gjithmonë edhe është ende që largimi të mos jetë i përhershëm, por pas perfeksionimit përfundimtar të cilin edhe e kam arritur, të mund të kontribuojmë dhe në avancimin e shëndetësisë së vendit dhe popullit tonë.

Në anën tjetër është utopike dhe e padrejtë të kërkohet nga një specialist mjekësorë në Kosovë që të mund të mbijetojë financiarisht dhe mbajë familje me nivelin e pagës aktuale në Kosovë, aq më tepër që për tu bërë Kirurg duhen sëpaku 28 vjet shkollim llogaritur nga shkollimi fillor. Është e papranueshme dhe plotësisht e padrejtë që një mjek të paguhet ma pak se një deputet, prokuror, gjykatës ose shërbyes civil ose që një infermier të paguhet më pak se një kamerier, ose punëtor i postës me gjithë respektin për të gjitha ato kategori profesionale.

Shteti duhet që urgjentisht të përpilojë dhe zbatojë një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare për përmirësimit dhe avancimin e sistemit shëndetësorë në Kosovë. Në të kundërtën, do të kemi mungesë të pakthyeshme të profesionistëve mjekësorë dhe stërkeqje të mëtejme të shëndetësisë në Kosovë deri në nivel kolapsi.

Pacientët jo rrallë dhe jo pa arsye shfaqin pakënaqësi lidhur me moskujdesin ndaj tyre. Kush e mban përgjegjësinë për këtë humbje besimi?

Pyetja e juaj ka dy komponente të ndryshme: moskujdesin dhe humbjen e besimit. Çdo pacient që shkon te mjeku shkon për shkak se ka ndonjë problem shëndetësor. Normalisht që një gjë e tillë është apriori përvojë stresuese. Nëse ka moskujdes profesional nga ana e mjekut ose infermierit, atëherë përgjegjësia është individuale e mjekut ose infermierit.

Por nëse vonesa e ofrimit të shërbimit është për shkak të mungesës së infrastrukturës, mungesës së personelit, barnave, materialit mjekësor, gjendjeve të jashtëzakonshme (psh. pandemia, festat, epidemitë gripoze, etj), atëherë çdo pacient duhet të kuptojë që aty nuk është fajtor mjeku ose infermieri.

– Kirurgu merret me Kirurgji, jo me logjistikë, politikë, infrastrukturë e sigurim.

Rrjedhimisht nëse humb besimi profesional mjekësor, atëherë fajtor është mjeku. Kurse nesë humb besimi në Sistemin mjekësor, atëherë faji duhet kërkuar te vendimmarrësit e jo te mjeku e infermieri.

Po e zëmë se qytetarët shpesh i ekzagjerojnë pakënaqësitë. Çfarë duhet bërë që mjekëve t’u hiqet kjo njollë e (pa)merituar?

E para që duhet ta kuptojë secili qytetarë është se sistem ideal dhe të pagabueshëm shëndetësor nuk ka askund në botë. Edhe në vendet më të zhvilluara në botë ka probleme që munden të jenë të përkohshme ose të përhershme. Një problem i përkohshëm nuk do të thotë që krejt sistemi është i keq ose jofunksional. Psh. në momentin e pikërishëm, për shkak të epidemive të gripit në gjithë Gjermaninë ka mungesë të barnave elementare si, psh. Paracetamoli, Ibuprufeni ose barnave kundër kancerit. Kjo nuk do me thënë që krejt sistemi shëndetësor gjerman është i dështuar ose i pazhvilluar. Përkundrazi, sistemi shëndetësor gjerman është model i suksesshëm në botë, por rrethanat ekzistuese botërore ndikojnë në gjendjen momentale.

– Edhe në Kosovë duhet kuptuar që sistemi jonë shëndetësor është larg përsosmërisë, duhet urgjent të reformohet dhe avancohet, por ky është proces që zgjatë dhe nuk mund të bëhet brenda natës. Kështuqë, edhepse nuk është gjithmonë lehtë për tu pranuar, megjithatë duhet të kuptohet që mjeku dhe infermieri nuk janë ata që e ndryshojnë sistemin ose që me paramendim ofrojnë shërbim suboptimal.

Ka kohë që përmendet me të madhe refreni “reformë”. Në fakt, çka i mungon sistemit shëndetësor që të quhet i reformuar dhe i “shëruar”?

Së pari, Shëndetësia duhet të merret shumë seriozisht dhe të futet në agjendën qeveritare si prioritet kombëtar. Për këtë arsye shteti duhet urgjentisht të krijojë një strategji efektive dhe afatgjate për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore, stimulimin financiar e profesional dhe të avancimit profesional mjekësor. Është thelbësore që për përpilimin dhe zbatimin e kësaj strategjie të konsultohen dhe angazhohen direkt ekspertët e mirëfilltë, të dëshmuar dhe të paanshëm mjekësor e jo të bëhen ligje e projekte nga politikan të cilët nuk kanë lidhje me Mjekësi.

Mendoj se strategjia duhet të konceptohet e bazuar në katër shtylla kryesore: Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, ndërtimi i kapaciteteve infrastrukturore (sigurimi i pajisjeve profesionale, spitaleve dhe qendrave të ekselencës, etj), shkollimi i kuadrove profesionale jashtë shtetit dhe ndarja e Linjës së veçantë nga buxheti i shtetit për sigurimin e dinjitetshëm financiar të personelit mjekësor.

Besoj se kur te funksionalizohen këto katër elemente, sistemi shëndetësor mund të quhet i reformuar. Kurse ‘shërimi i sistemit’ merr pak më shumë kohë se kaq.

Si specialist, i cili jeni në luftë të përhershme me sëmundje të ndryshme dhe shpëtoni jetë, çka do të thotë të shpëtosh jetë dhe çka është jeta për ju?

Si specialist dhe si njeri, nuk ka shpërblim më të madh dhe përmbushje më të madhe shpirtërore se shpëtimi i një jete. Mirënjohja nga ana e pacientit dhe ndjenja e krijuar pas kryerjes së suksesshme të një operacioni të komplikuar janë një falënderim dhe kënaqësi që nuk matet e as nuk mund të paguhet me asgjë. Shpëtimi i një jete, do të thotë se ne kemi përmbushur detyrën tonë si njerëz dhe si kirurg dhe njëherazi e ngritë vetëbesimin profesional.

Jeta dhe shëndeti janë pasuria më e madhe që na e ka dhënë natyra, dhe si e tillë duhet të jetohet me nderë e kënaqësi e të mos humbet kot me gjëra të parëndësishme. Veprat dhe gjurmët që lëmë në jetë, na bëjnë të mbahemi mend deri në përjetësi.

A keni pasur oferta edhe nga spitalet tona dhe a keni ndërmend të krijoni ndonjë formë bashkëpunimi?

Unë për momentin punoj si Neurokirurg/Kryemjek Kryesor dhe njëherazi Bashkëdrejtues i Departmentit Interdisciplinar të Kirurgjisë Spinale në Klinikum Lörrach/Kampusi Akademik i Klinikës Universitare të Freiburgut në Gjermani. Kam pasur oferta nga disa spitale në Kosovë dhe jam i gatshëm të jap kontributin tim kudo që është nevoja dhe ku kërkohet ekspertiza ime. Që nga fundi i vitit të kaluar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe me Kolegjin e Kirurgëve te Kosovës, kemi koncipuar disa Projekte të dedikuara për ngritjen e kapaciteteve profesionale kirurgjike të Kosovës përmes këmbimit të ekspertëve të fushës nga Kosova dhe Gjermania si dhe sendërtimit të projektit për Qendrat e Ekselencës Kirurgjike në Kosovë. Shpresoj që gatishmëria e Institucioneve Shtetërore për vazhdimin dhe realizimin e këtyre projekt-ideve të mos mungojë në të ardhmen.

Poashtu, për qëllim të thjeshtësimit të qasjes direkte të pacientëve kosovarë në Ekspertizen Neurokirurgjike dhe të Kirurgjisë Spinale sipas standardeve gjermane, unë kam hapur edhe një Ordinancë Neurokirurgjike në Prishtinë.

Si të përballemi me gjërat që na shqetësojnë dhe janë gjithashtu jashtë kontrollit tonë?

Secili njeri ose lloj i personalitetit ka mekanizëm të ndryshëm të përballjes me sfidat e përballjet. Filozofia ime jetësore është që, njeriu nuk duhet të shqetësohet shumë as për gjërat që janë brenda e as për ato që janë jashtë kontrollit tonë. Nëse ka ndonjë problem që mund ta zgjidhni, atëherë s’ka vend për shqetësim për shkak se e keni nën kontroll tuajin dhe zgjidhja varet prej juve. Po edhe nëse keni ndonjë problem që është jashtë kontrollit tonë, atëherë prapë nuk e vlen të shqetësoheni shumë për shkak se nuk keni kurrfarë ndikimi në zgjidhjen e tij.

Shqetësimi i tepërt nuk sjell kurrfarë dobie, po vetëm vështirësi, pasiguri dhe mjegullim të vizionit jetësor. Është me rëndësi jetike që të mos dorëzoheni kurrë në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë. Asnjë problem nuk është i përjetshëm dhe disa probleme zgjidhen me kohë vetvetiu.

Cilat janë ‘rutinat e tua të shëndetshme’ pa të cilat nuk mund ta parafytyrosh ditën? Si i ‘mbush bateritë’?

Ecja, kafeja, shoqëria e mirëfilltë, ushqimi i mirë, “mosmarrja” e problemeve nga puna në shtëpi!

Si qëndroni me perceptimin e kohës suaj, sepse jo të gjitha gjërat koha i rregullon, madje disa, çuditërisht i ngatërron?

Koha është koncept relativ dhe subjektiv. Jeta zhvillohet dhe vazhdon sipas ciklit të saj e jo sipas konceptit të kohës që e kanë shpikur njerëzit. Çdo gjë zhvillohet në kohën e vet. Për këtë arsye kush nuk ka kohë, nuk do të thotë se është menaxher i dobët i kohës. Kur planifikojmë më shumë se që kemi kapacitet me e realizuar, atëherë gjërat ngatërrohen. Planifikimi i saktë i kohës arrihet me përvojë, mirëpo edhe nëse nuk na del koha, nuk dmth që s’kemi planifikuar mirë. Thjeshtë, proceset në jetë e kanë kahjen e tyre dhe nuk sinkronizohen patjetërsisht me perceptimin e kohës tonë të planifikuar. Me rëndësi është që koha të kuptohet si cilësi e jo si sasi. Kështuqë, koha që kënaqesh “duke e humbur”, nuk është humbje kohe!

A keni ndonjë hobi tjetër, në orët e pakta të lira që i keni?

Sportet luftarake dhe udhëtimet.

Çfarë të çlodh kur ‘nuk punon’?

Leximi i literaturës së mirëfilltë shqipe, posaçërisht të Rilindasëve tanë dhe mosdëgjimi i debateve politike televizive.

Para se ta mbyllim këtë bisedë do të dëshironim nga ju një mesazh sublim drejtuar qytetarëve që ka të bëjë me shëndetin publik, por edhe për ata që politikat shëndetësore i marrin afër zemrës?

Për qytetarin/pacientin: Respektojeni dhe dijani vlerën Mjekut dhe Shëndetësisë. Ata nuk i keni armiq por miqtë e juaj më të mirë. Edhe mjekët janë njerëz si ju edhe nuk kanë fuqi mbinjerëzore që të zgjidhin çdo problem por janë ata që bëjnë çdo përpjekje për të shpëtuar jetën dhe shëndetin tuaj. Mos harroni se ata në çdo moment dhe pa hezitim e sakrifikojnë kohën më të mirë të jetës dhe familjes së tyre, për të qenë në shërbim tuajin 24 orë në ditë në çfarëdo kohë dhe rrethane.

Për Vendimmarrësit: Dijani vlerën Mjekut e personelit mjekësor dhe bëjeni Shëndetësinë prioritet kombëtar. Një populli të sëmurë ose pa përkujdesje shëndetësore nuk kanë çka i duhen as sheshet, as autostradat e as qendrat tregtare. Mos harroni që kur të sëmureni nuk mundeni me gjetë shpëtim as te deputetët, as te ministrat e as te gjykatësit e prokuorët. Mjekët dhe personeli mjekësorë janë heronjtë e vërtetë të kohëve moderne.

Krejt në fund, duam t’ju falënderojmë sërish për kohën tuaj dhe, me dëshirën e përflakur, ju urojmë suksese në punën tuaj sa fisnike, poaq edhe të dobishme.

Ju falënderoj për ftesën, shëndet të mirë, përgëzim dhe suksese në punën tuaj si dhe ju uroj Festat e Fundvitit. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kush është serbi nga Prishtina që Beogradin mund t'ia merr Vuçiqit në zgjedhjet e 2 qershorit

Kush është serbi nga Prishtina që Beogradin mund t'ia merr Vuçiqit në zgjedhjet e 2 qershorit

Serbia
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Botë
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Luka Modric bleu një apartament luksoz në Zagreb - aty ku pritet të kthehet për të jetuar

Luka Modric bleu një apartament luksoz në Zagreb - aty ku pritet të kthehet për të jetuar

Magazina
Eurodeputeti sllovak nxori pëllumbin dhe e lëshoi në Parlamentin Evropian si gjest i paqes në botë – i reagojnë të pranishmit

Eurodeputeti sllovak nxori pëllumbin dhe e lëshoi në Parlamentin Evropian si gjest i paqes në botë – i reagojnë të pranishmit

Evropa
Kalo në kategori