Donacion i çmuar për arsimin në Zhiti, 28 kompjuterë dhe pajisje tjera për shkollën “Safet Rexhepi”

Shkolla “Safet Rexhepi” në fshatin Zhití të Vitisë është pasuruar me pajisje të reja teknologjike falë donacionit të mërgimtarit Remzi Ibrahimi, i cili jeton dhe punon jashtë vendit.
Ai është pritur nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti, si dhe u.d. i drejtorit të shkollës, Florim Brahimi.
Gjatë këtij viti, Ibrahimi ka dhuruar 28 kompjuterë, 5 televizorë Smart LG dhe një fotokopje, pajisje që tashmë kanë mundësuar hapjen e një kabineti të ri mësimor me kushte të avancuara për nxënësit.
Kryetari Haliti dhe drejtoresha Ajeti e falënderuan mërgimtarin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendlindjes, veçanërisht për kontributin në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies e mësimnxënies. Ata theksuan se ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë në arsim.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë, kryetari Haliti i ndau Remzi Ibrahimit një mirënjohje komunale. /Telegrafi/


































