Djali ukrainas prek Parlamentin Evropian me rrëfimin për humbjen tragjike të nënës gjatë sulmit rus

Një djalë 11-vjeçar nga Ukraina, Roman Oleksiv, preku deputetët e Parlamentit Evropian me dëshminë e tij tronditëse për sulmin rus që i mori jetën nënës dhe e la vetë të plagosur rëndë. Historia e tij u prezantua gjatë shfaqjes së një dokumentari për fëmijët ukrainas të prekur nga lufta.
Ngjarja tragjike ndodhi më 14 korrik të vitit 2022 në Vinnytsia, kur tri raketa ruse goditën ndërtesën e një qendre mjekësore. Roman dhe e ëma ndodheshin aty në momentin e shpërthimit. Ai tregoi se kishte arritur ta gjente nënën nën rrënoja dhe t’i thoshte lamtumirë për herë të fundit.
Në sulm u vranë dhjetëra civilë, ndërsa djali mbeti me djegie të rënda dhe plagë që prekën edhe eshtrat. Ai kaloi mbi 100 ditë në koma dhe iu nënshtrua rreth 35 operacioneve.
Gjatë fjalimit në Parlamentin Evropian, Roman theksoi se fëmijët ukrainas vazhdojnë të vuajnë pasojat e luftës dhe kërkoi që ndihma ndërkombëtare të mos ndalojë.
“Kur jemi së bashku, jemi të fortë. Nuk duhet kurrë të dorëzohemi”, tha ai para eurodeputetëve.
Pas trajtimit të gjatë në një klinikë në Drezden, ai u kthye në Lviv, ku ka rifilluar shkollën dhe aktivitetet e tij të preferuara, si vallëzimi në çift dhe interpretimi me harmonikë.
Historia e Romanit është bërë pjesë e një dokumentari që synon të tregojë forcën e fëmijëve ukrainas, të cilët edhe në kushte lufte luftojnë për të vazhduar jetën e tyre. /Telegrafi/



















































