Diskutim me SHBA-të dhe KQZ-në, Osmani kërkon standarde të larta demokratike në zgjedhje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot dy takime të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Në takimin e parë, Presidentja Osmani priti të ngarkuarën me punë të SHBA-ve në Kosovë, znj. Anu Prattipati, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe procesin zgjedhor që po afrohet. Presidentja theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për organizimin e një procesi zgjedhor shembullor, duke respektuar standardet më të larta demokratike.
Të dyja palët diskutuan edhe për seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, ku u trajtuan zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për tema të ndryshme të bashkëpunimit bilateral. Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, në një takim të veçantë, Presidentja Osmani priti kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin. Ky i fundit e informoi për ecurinë e përgatitjeve dhe detyrat organizative që po realizohen nga KQZ-ja në kuadër të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Presidentja nënvizoi rëndësinë e garantimit të një procesi të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe shprehu gatishmërinë e institucioneve që të mbështesin çdo hap që siguron integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve.


















































