Konferenca dyditore DISICON 8 sot mblodhi përfaqësues të mediave, shoqërisë civile dhe sektorit të teknologjisë të Kosovës, rajonit dhe më gjerë, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë lidhur me integritetin e informacionit në epokën dixhitale.

Tema e kësaj edicioni është “Teknologjia, e Vërteta dhe Besueshmëria”, e cila ka adresuar çështje kyçe për përhapjen dhe verifikimin e informacionit në një kohë kur dezinformimi është një nga sfidat kryesore për shoqëritë moderne.


Pajtim Gashi, Drejtor i Programit nga National Democratic Institute (NDI), ka theksuar rëndësinë e konferencës, duke shpjeguar se gjatë dy ditëve të ngjarjes do të diskutohet ndërlidhshmëria mes teknologjisë, vërtetës dhe besueshmërisë.

f1c56afb 4f7a 45d1 9a34 b9b033adb9b0 Pajtim Gashi, NDI

Ai shpjegoi se kjo është një prej konferencave më të mëdha të këtij lloji në rajon, e cila synon të adresojë sfidat e integritetit të informacionit në Kosovë dhe përtej saj.

“Sot dhe nesër do të mbahet Konferenca për Integritetin e Informacionit, edicioni i 8-të, në të cilën do të fokusohemi në ndërlidhshmërinë në mes të teknologjisë së vërtetës dhe e besueshmërisë. Është një prej konferenca më të mëdha në rajon e këtij lloji, ndërkaq gjatë këtyre dy ditëve do të kemi shumë publikime dhe shumë diskutime që do të tentojnë të adresojnë sfidat e integritetit të informacionit në Kosovë.

Një prej tema kryesore që do të kemi sot në ditën e parë është se si dezinformimi afekton marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, ku në bashkëpunim me partnerin tonë, Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë do të lansojmë një hulumtim analizë të detajuar në këtë temë, i cili do të ndiqet më pas me diskutim në panel për të diskutuar të gjeturat dhe për të parë se si mund të komplementohet dhe më tutje me diskutimet me pjesëmarrësit", ka thënë Gashi

09d919d2 1426 45ea 9d84 17219dfa4a35

Në ditën e parë, konferenca fokusohet kryesisht në temën e dezinformimit dhe ndikimit të tij në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.

Në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, do të lansohet një analizë dhe hulumtim i detajuar mbi këtë temë, i cili do të shoqërohet me një diskutim në panel për të diskutuar gjetjet dhe mundësitë për të luftuar dezinformimin.

Dita e dytë e konferencës do të fokusohet në qëndrueshmërinë institucionale dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, me një vëmendje të veçantë ndaj integritetit të informacionit në proceset zgjedhore.

55a9e41d cb52 4eae 857b e9bdca3e8252

Gashi tha se NDI ka bashkëpunuar me Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për të ofruar mbështetje për përgatitjet zgjedhore dhe për të krijuar kampanja vetëdijesuese për qytetarët lidhur me rreziqet dhe mundësitë e dezinformimit në periudhën zgjedhore.

“Në ditën e dytë do të fokusohemi në qëndrueshmërinë institucionale sa i përket zgjedhjeve, ku kemi bashkëpunuar me Komisionin e Pavarur për Media dhe Komisionin Qendror Zgjedhor. Për t'i ndihmuar ata në përgatitje për procesin e ardhshëm zgjedhor. Me KPM-në kemi bashkëpunuar ose kemi ofruar mbështetje në krijimin e Rregullores për sjelljen e mediave në procesin zgjedhor.

Përderisa me KQZ-në jemi fokusuar në kampanja vetëdijesuese, ku kemi punuar me stafin e KQZ-së, në këtë rast edhe me Zyrën për Edukim Qytetar për t'i krijuar dy kampanja që të fokusohen në integritetin e informacionit si tentim për të vetëdijësuar qytetarët për mundësitë ose rreziqet që mund të kanosen sa i përket integritetit të formacionit në zgjedhjet e ardhshme.

Një tjetër moment i rëndësishëm i konferencës është pjesëmarrja e ekspertëve dhe përfaqësuesve nga kompani ndërkombëtare si Meta, e cila do të paraqesë mjetet dhe iniciativat për mbështetje të integritetit të informacionit në zgjedhje", u shpreh ai.

92d1dfc9 9487 4dca 9a73 7e5be17c9e3a

Po ashtu, Google do të kontribuojë virtualisht duke ofruar eksperiencën dhe mbështetjen e saj për të luftuar dezinformimin.

Gashi gjithashtu njoftoi se në ditën e dytë do të formohet një koalicion i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë BIRN, D4D, NSI dhe HIBRID, që do të monitorojnë mediat online dhe mediat sociale gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

Ky koalicion do të publikojë një raport të detajuar që do të mbulojë katër tema kryesore: dezinformimi brenda dhe jashtë vendit, dezinformimi me bazë gjinore, dhe dezinformimi që përpiqet të përkeqësojë marrëdhëniet ndëretnike.

Sipas tij, konferenca pritet të përfundojë me një kod të mirësjelljes të përbashkët, që do të nënshkruhet nga përfaqësuesit e partive politike, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave, si një angazhim për një proces zgjedhor të pastër dhe transparent.

Ndryshe, DISICON 8 është një ngjarje e rëndësishme që zhvillohet dy herë në vit, dhe ka bërë një kontribut të madh në adresimin e sfidave të integritetit të informacionit, duke ofruar një platformë të rëndësishme për diskutime dhe bashkëpunim ndërkombëtar në këtë fushë të rëndësishme. /Telegrafi/