LAJMI I FUNDIT:

Dimitriev: Mbi 1400 vende të reja pune në ZZhIT

Dimitriev: Mbi 1400 vende të reja pune në ZZhIT

Pritet të hapen 1.300 deri në 1.400 punësime të reja në zonat zhvillimore industriale-teknologjike deri në fund të vitit. Përfundimisht me vitin e kaluar në zonat zhvillimore industriale-teknologjike janë hapur 5.100 vende pune, ndërsa vetëm këtë vit janë krijuar 1.050 vende pune, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Drejtori i Drejtorisë së ZZhIT, Viktor Mizo sot e ka informuar kryeministrin Emil Dimitriev se për momentin janë në faza të ndryshme të negociatave me shtatë deri në tetë kompani dhe se pret dy deri në tre kompani të sjellin vendime pozitive për investime deri në fund të vitit.


“Konsideroj se raporti i IBM në pjesën e radhitjes së Maqedonisë si vendi më i mirë në botë pas vendeve të reja të hapura të punës sipas investimeve të huaja të drejtpërdrejta, plotësisht do të ndikojë në tërheqjen e investimeve të reja në Maqedoni. Zonat në Republikën e Maqedonisë kanë efekt të fuqishëm ndaj ekonomisë, veçanërisht në pjesën e hapjes së vendeve të reja të punës dhe në pjesën e eksportit. Për atë politika jonë si Qeveri do të vazhdojë në atë drejtim – të tërheqim investime të huaja të drejtpërdrejta”, ka deklaruar Dimitriev pas takimit me udhëheqësinë e ZZhIT.

Gjatë vizitës së sotme të ZZhIT Bunarxhik, kryeministri Dimitriev ka kryer kontroll në punët ndërtimore të fabrikës “Hightec” dhe fabrikës së dytë të “Van Hool”. Udhëheqësia e kompanisë “Hightec” në Maqedoni, planifikon deri në fund të vitit të përfundojë me ndërtimin e fabrikës dhe në fillim të punësojë 100 persona, ndërsa pastaj sipas planit të punësohen gjithsej 300 persona.

Kompania “Van Hool” e cila është duke e ndërtuar kapacitetin e saj të dytë në Maqedoni do të investojë 15 milionë euro dhe planifikon të hapë 400 vende pune. Me këtë investim të huaj do të hapen 100 punësime plotësuese indirekte përmes kompanisë “Aktiva”, e cila punon me “Van Hool”./Telegrafi/

.