LAJMI I FUNDIT:

Dikur sëmundja gati ia pamundësoi shkollimin, tani boton librin “Guxo”

Dikur sëmundja gati ia pamundësoi shkollimin, tani boton librin “Guxo”

Ditë më parë ka dalë nga shtypi libri i parë me poezi i autores së re nga Kosova, Blerina Murtezi, i titulluar “Guxo”.

Përmes këtij libri, autorja shfaq veten dhe gjithçka në të cilën ajo beson, ëndërron e shpreson.

“Ky libër më përfaqëson mua, kujtimet dhe dhimbjet, humbjen e më të shtrenjtit tim vëlla, e që nga ajo humbje mora forcë e guxim të shkruaj për çdo gjë që kalova e çdo sfidë që përjetova. Dhimbja as nuk pushon as nuk ndalon por ajo të bën saqë ti edhe vrapon”, shprehet autorja.


Libri “Guxo”, botim i “Atunis”, shtjellon tema të ndryshme dhe synon të trokasë në ndërgjegjen e shoqërisë sonë mbi dukuri e situata të ndjeshme nëpër të cilat kalon secili njeri nëpër faza të ndryshme të jetës, përfshirë këtu edhe humbjen e më të dashurve, por edhe guximin e tejkalimit të sfidave me të cilat na përballë jeta, ashtu siç e përballi autoren e librit, e cila tash e disa vite vuan nga Distrofia Muskulare, sëmundje kjo që e ka lënë në karrocë, shkruan AlbFem.

Edhe përkundër të gjitha sfidave dhe vuajtjeve, Blerina është ngritur për të mos u rrëzuar më kurrë, e ka shndërruar dhimbjen në forcë e forcën në art, kurse artin e ka vënë në shërbim të forcimit dhe komunitetit dhe shoqërisë.